E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Do t’i drejtohemi gjykatës, Berisha të paraqesë provat

06/08/2009  Akuzat e PD-së ndaj Ramës

Deklaratat e pasurive të zyrtarëve të lartë vijojnë të sjellin replikat e ashpra në distancë mes selisë rozë dhe asaj blu. Në deklaratat të njëpasnjëshme përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike nuk kursejnë akuzat ndaj njëri-tjetrit, duke sugjeruar që për çdo akuzë të mund t’i drejtohen organeve përkatëse. Kështu, gjatë ditës së djeshme ishte fillimisht selia rozë ajo që pas mllefit që shfryu mbi drejtuesit e lartë të Partisë Demokratike, gjithnjë duke iu referuar pasurive të tyre, deklaroi se do t’i drejtohet gjykatës për akuzat e ardhura nga demokratët për pasuritë e kreut socialist Edi Rama. “Turp dhe trishtim njëkohësisht që Sali Berishës, Jozefina Topallit dhe PD-së u duhet të shpifin kaq shumë për të mbuluar diellin me shoshë! Deklarimet e pasurisë familjare të Sali Berishës janë marramendëse dhe pas tyre fshihen pasuri të padeklaruara edhe më marramendëse, para të zeza, me të cilat u ble shumë varfëri fshatrave edhe më 28 qershor, të cilat janë ogurzeza për demokracinë. Sali Berisha flet për Shqipërinë dhe pasuron vetëm familjen e tij, e cila sot e ka kapur shtetin si asnjëherë më keq. Ndërsa akuzat për të ashtuquajturat pasuri të Edi Ramës do t’i shkojnë gjykatës, duke e ftuar Sali Berishën të paraqesë provat”, - u shpreh kandidatja për deputete e PS-së Elisa Spiropali.

Kundërpërgjigja e PD-së

“Do t’i hapim llogari bankare Ramës për ta ndihmuar”

Zëdhënësja e Partisë Demokratike Erla Mëhilli ka hedhur poshtë qëndrimet e selisë së Partisë Socialiste në lidhje me deklaratën e pasurisë së Kryeministrit Berisha dhe familjarëve të tij. “Avokatët e kryetarit mandatndërprerë të Partisë Socialiste përpara së gjithash të përgjigjen se çfarë e shtyn zotin Rama të japë leje dhjetërakatëshe ndërtimi mbi monumente kulture qindravjeçare si varri i Dervish Pashës, ku po ndërton Fideli, apo Ura e Tabakëve, ku po ndërton Dashnori? Turpi është për zotin Rama dhe Fidelët e Dashnorët e tij. Turpi është për zotin Rama, që tallet me shqiptarët dhe deklaron se pasuria e tij është në limitet e varfërisë. Zoti Rama në deklaratën e depozituar ka deklaruar se ka 400 000 lekë të vjetra të kursyera nga paga në llogarinë e tij bankare”, - tha Mëhilli. Duke përcjellë qëndrimin zyrtar të PD-së, Mëhilli tha se kryesocialisti Rama praktikisht deklaron se ka në llogari aq sa ka pagën mujore një punonjës i thjeshtë në bashkinë e tij. “PD-ja është e gatshme të hapë një llogari bankare për kryetarin e Bashkisë, që strehohet në kullën e Myslym Pezës, dhe fton të gjithë shqiptarët të kontribuojnë me aq sa kanë mundësi për të zbutur varfërinë e skajshme të zotit Rama”, - ironizoi zëdhënësja demokrate.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›