E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do t’i prishnin shtëpinë, vetëhelmohet gruaja

06/08/2009  Rëndë në spital, si shenjë proteste ndaj aktit të inspektoratit të ndërtimit

BERAT- Ka tentuar t’i japë fund jetës së saj një 40-vjeçare pas tentativës së inspektoratit të ndërtimit të bashkisë për prishjen e murit rrethues para shtëpisë. Fadroma e shoqëruar nga policia bashkiake ka mbërritur rreth orës 10:30 në lagjen periferike “Uznovë” në kuadër të prishjes së ndërtimeve pa leje për lirimin e hapësirave publike, por dhe pse kishte njoftuar disa ditë më parë për këtë aksion, banorët e lagjes kanë kundërshtuar me forcë, madje kanë ndërmarrë dhe veprime vetëflijimi.

Vetëhelmimi

Burime spitalore kanë bërë me dije se rreth mesditës ka mbërritur në gjendje të rëndë pranë repartit të urgjencës 40-vjeçarja Adriana Hoxha, banore e lagjes periferike “Uznovë”. Menjëherë 40-vjeçares i është dhënë ndihma mjekësore dhe pasi ka dalë nga gjendja kritike është mësuar se ajo kishte tentuar vetëflijimin duke pirë një sasi medikamentesh, të cilat i posedonte në banesë. Pas daljes nga rreziku ajo ka deponuar se e ka ndërmarrë këtë akt si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të inspektoratit të ndërtimit për prishjen e murit të havllisë dhe shkallëve që zbresin nga banesa. Sipas bashkëshortit të 40-vjeçares, akti i saj ka ardhur si pasojë e veprimeve arbitrare të bashkisë, e cila me pretekstin e zgjerimit të hapësirave publike nuk po merr parasysh dokumentacionin e rregullt që posedojnë banorët. Ai është shprehur më tej se do të ishin plotësisht dakord të prishej muri ashtu si dhe të tjerëve, por në fillim të bëheshin shpronësimet sipas ligjeve në fuqi.

Ndërkohë burime të inspektoratit të ndërtimit pranë Bashkisë së Beratit janë shprehur se në kuadër të rehabilitimit dhe sistemimit të rrugëve në brendësi të lagjeve, sipas projektit muri në fjalë ishte në listën e prishjeve dhe pikërisht për vazhdimin e punimeve për këtë projekt të përbashkët kanë nisur prishjet e objekteve për zgjerimin e rrugës në Uznovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›