E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lajme nga rrethet

06/08/2009  Viktimë 60-vjeçarja nga Patosi

Përzien rrobat në lavatriçe,

e gode tensioni i lartë

FIER- Ngjarja tragjike ka ndodhur mbrëmjen e se dielës në lagjen “Breg” të fshatit Dukas të Patosit, rreth 9 km larg Fierit. Zare Rr., quhet 60-vjeçarja që ka gjetur vdekjen. Mësohet se ajo jetonte në shtëpi me bashkëshortin, nënën, pasi fëmijët i kishte të larguar në emigracion dhe në burg. Rreth orës 18:40 të pasdites së diel në lagjen “Dukas-Breg” të Patosit energjia është rikthyer pas kufizimit prej disa orë të saj. Menjëherë e moshuara i është drejtuar tualetit, ku kishte të vendosur lavatriçen. Teksa rrobat i kishte drejt përfundimit të larjes, me anën e një shkopi ka tentuar t’i përziejë ato. Pa mundur të kryejë asnjë lëvizje të plotë të shkopit, ajo është përplasur fuqishëm pas murit të tualetit. Pothuaj e pajetë është dërguar në spitalin rajonal të Fierit. Mjekët e spitalit pohuan se vetëm pak minuta më pas 60-vjeçarja ka gjetur vdekjen. Grupi i hetimit që ka shkuar në banesën e saj kanë parë se mjeti larës me të cilin Zare Rr. lante rrobat ishte një lavatriçe e tipit kazan. Mbi të është shkarkuar tensioni i lartë vetëm pak minuta pas kthimit të tij në lagjen “Dukas”.

A. Damini

Ra në një gropë

Shkon për t’u freskuar në

Lumë, mbytet 13-vjetari

BERAT- Ka humbur jetën një 13-vjeçar mesditën e djeshme në ujërat e lumit Osum. Burime nga vendi i ngjarjes pohojnë se 13-vjetari L. G; banor i qytetit të Beratit, ka qenë duke u larë në vendin e quajtur “Ura e re”. Por hasja në një prej gropave të krijuara si pasojë e marrjes së inerteve nga firmat e ndërtimit ka bërë që fëmija të humbasë jetën duke u mbytur. Sipas dëshmitarëve, 13-vjeçari ka hyrë në ujërat e lumit, dhe pse nuk dinte të notonte, duke menduar se nuk kishte thellësi, por guximi fëmijëror i ka kushtuar jetën. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të ditës së djeshme dhe fëmijët e tjerë, të trembur, kanë kërkuar ndihmë nga më të rriturit që gjendeshin rastësisht pranë. Menjëherë nga ana e tyre është vepruar për t’i ardhur në ndihmë 13-vjeçarit, duke e nxjerrë nga ujërat dhe duke i dhënë ndihmën e parë në përpjekje për t’i shpëtuar jetën, por gjithçka ka rezultuar e kotë, pasi fëmija nuk ka mundur të shpëtojë. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, që pas transportimit për në morg të 13-vjecarit kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të mbytjes së të miturit. Ky është rasti i parë i humbjes së jetës nga mbytja në lumin Osum, i cili përshkon përmes qytetin e Beratit.

S. Gorica

Elbasan, flet kryetari i komisionit të strehimit, Kujtim Hazbiu

“Distancohemi nga rasti, kemi pasur sinjalizime”

Përfitimi i banesave në proces tejet transparent, sipas ligjit

ELBASAN- Pas akuzave për korrupsion në strehim ka reaguar menjëherë kryetari i komisionit të strehimit dhe njëkohësisht edhe nënkryetar i këshillit bashkiak të Elbasanit, Kujtim Hazbiu. Ai deklaroi dje se distancohet në mënyrë të prerë nga rastet korruptive të përfitimit të banesave kundrejt mitmarrjes. Duke iu referuar rastit të kryetarit të PLL-së së Elbasanit Shpëtim Myftarajt, i ndaluar nga zyra e krimit ekonomik për korrupsion pasiv, zoti Hazbiu u shpreh se “komisioni i strehimit nuk ka asnjë lidhje me këtë person dhe se gjithçka që mund të ketë ndodhur është veprim dhe përgjegjësi personale e autorit. Komisioni i strehimit punon në bllok dhe në mënyrë kategorike ne nuk pajtohemi me këtë rast. Situata është mjaft banale dhe këshilli bashkiak nuk ka asnjë lidhje me këtë person”.

Kryetari i komisionit të strehimit, Hazbiu, shpjegoi më tej se përfitimi i banesave nga të pastrehët bëhet sipas një procedure të përcaktuar në ligj. “Dokumentacioni i kërkuar depozitohet në zyrën e të pastrehëve dhe më pas i përcillet komisionit të strehimit të këshillit bashkiak. Komisioni merr në analizë të gjitha dokumentet dhe klasifikon personat që plotësojnë kriteret. Lista i përcillet komisionit dhe më pas votohet në këshillin bashkiak.” I pyetur në ka pasur raste të sinjalizimeve për korrupsion apo tentativava të tilla në këmbim të apartamenteve, Hazbiu pranoi se është përballuar me situate të tilla. “Po, është e vërtetë se në zyrë na kanë ardhur persona që kanë shkuar deri aty sa të shprehen se sa të holla i kanë dhënë dikujt për të përfituar shtëpi. Por në të gjitha rastet kemi qenë të prerë dhe nuk i kemi trajtuar në listat e strehimit. Elbasani numëron mbi 1500 të pastrehë.

L. Lleshi

Ndalen punimet prej 3 javësh

Bashkia shtyn përurimin

e rrugës “Kristaq Rama”

DURRES- Shtyhet përfundimi i rikonstruksionit të rrugës “Kristaq Rama” në Durrës, duke mos qenë e vetmja rrugë e mbetur e papërfunduar që nga periudha e fushatës zgjedhore të 28 qershorit. Bashkia e Durrësit ka vendosur të investojë 16 799 985 lekë për rikonstruksionin e kësaj rruge, afro 100 m të gjatë dhe 8 m të gjerë. Punimet kanë nisur më datën 20 shkurt të këtij viti dhe në bazë të marrëveshjes mes bashkisë dhe subjektit zbatues gjithçka duhej të përfundonte brenda datës 20 korrik 2009, datë e caktuar për përurim. Firma sipërmarrëse herë pas here ka ndeshur në probleme gjatë zbatimit të projektit, pasi gjatë gërmimeve thuhet se kanë dalë në sipërfaqe objekte të ndryshme e rrënoja arkeologjike. Gërmimi i thellë për të shtrirë kolektorin e ujërave të zeza ka ndeshur në tjegulla, tulla, materiale të ndryshme dhe objekte, të cilat janë inspektuar nga përfaqësues të departamentit arkeologjik. Bashkia e kishte menduar që të priste shiritin e përurimit të rrugës, që nis te busti i Azem Hajdarit dhe përfundon te banka “Tirana” pranë kryqëzimit tek treni, me rastin e përfundimit të zgjedhjeve qendrore. Vetë kryetari i bashkisë i ka inspektuar disa herë punimet për të nxitur përfundimin para afatit, ndërsa pas zgjedhjeve të 28 qershorit punëtorët e firmës janë larguar. Sipas deklarimeve gjatë fushatës elektorale, shiriti i përurimit do të pritej nga kryetari i PSSH-së Edi Rama, por pas zgjedhjeve gjithçka është lënë pezull.

Xh. Gradica

Deklarata në një ceremoni martesore

Famullitari i Shkodrës dom

Sukaj: “Jo” martesave gay

SHKODER- Kleri katolik ka reaguar nëpërmjet dom Gjovalin Sukajt, famullitar i Shkodrës, kundër projektligjit të propozuar për martesën e çifteve të të njëjtit seks. Ky reagim u bë nga famullitari Sukaj gjatë një ceremonie për celebrimin e një çifti të sapomartuar të seksit të kundërt në kishën e madhe të qytetit të Shkodrës. Gjatë kësaj ceremonie të gëzueshme dom Sukaj u bëri thirrje atyre që kanë në dorë fatet e vendit tonë që të reflektojnë para se të marrin vendime që çoroditin familjet. Dom Gjovalin Sukaj, famullitari i Shkodrës, i nxitur nga obligimi ndaj komunitetit, shprehu jo vetëm qëndrimin e tij personal, por edhe të kishës kundër projektligjit të propozuar nga kryeministri i vendit tonë Sali Berisha, që ka si qëllim lejimin e martesave të personave të të njëjtin seks. Kundër këtij projektligji ka reaguar pak ditë më parë dhe myftiu i Shkodrës Ndriçim Sulejmani, i cili në reagimin ndaj këtij propozimi të Kryeministrit Berisha ka theksuar se bie ndesh me moralin dhe traditën e familjeve shqiptare.

V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›