E Diel, 1 Nëntor 2026

FMN: Rishikoni nivelin e taksave

Raporti përfundimtar rekomandon masa shtrënguese mbi borxhin

Ato që nuk tha hapur shefi i misionit, Gerwin Bell, në konferencën për shtyp, janë paraqitur në raportin përfundimtar të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në përfundim të vizitës, ekipi i FMN bën analizën finale të situatës ekonomike në vend, ku ndër të tjera rekomandon rishikimin e taksave. Fondi thotë në mënyrë indirekte që një formë për të rritur të ardhurat në buxhet është rritja e taksave, ose korrigjimi i tyre, duke marrë si shembull masën e re të kontributeve, e cila nuk dha efekt, pavarësisht uljes së saj vitin e kaluar. “Disa reforma për uljen e taksave që janë ndërmarrë në të kaluarën duhet të rishikohen”, thotë raporti zyrtar që misioni i FMN-së ka hartuar pas përfundimit të vizitës në Tiranë. FMN kërkon nga qeveria të rishikojë uljen e kontributeve me 5 pikë përqindje që ajo ndërmori në maj të vitit të kaluar. Sipas ekspertëve të fondit, kjo masë jo vetëm që nuk dha efektin e dëshiruar për rritjen e të ardhurave, por përkundrazi ajo e përkeqësoi deficitin e skemës së pensioneve me 2.5 pikë përqindje ndaj Produktit të Brendshëm Bruto, të cilin FMN e konsideron një nivel shumë të lartë për Shqipërinë.

Një tjetër kërkesë e Fondit Monetar Ndërkombëtar lidhet me ekonominë informate. “Qeveria duhet të ndërmarrë një strategji urgjente për të luftuar ekonominë informate”, thonë ekspertët e FMN-së, duke shtuar se për katër vitet e ardhshme duhet të ndërmarrë një politikë të shtrënguar buxhetore dhe realiste. Një tjetër shqetësim lidhet me nivelin e borxhit. Pavarësisht faktit se qeveria mori vendimin për uljen e deficitit buxhetor, nga 4 për qind, në 3.1 për qind, për FMN-në kjo masë shikohet e pamjaftueshme. Strategjia e qeverisë për të reduktuar borxhin publik gjatë tre viteve të ardhshme më së shumti bazohet në parashikimet optimiste të qeverisë për mbledhjen e të ardhurave, të cilat nuk janë në linjë me parashikimet e FMN-së, çka mund të rezultojë me përkeqësim të mëtejshëm të borxhit.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›