E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Hapjen e kutive e ndalon Kushtetuta

PD citon vendimin e Kushtetueses dhe të Kolegjit Zgjedhor


TIRANË - Ndryshe nga qëndrimi i opozitës, kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, deklaroi se hapjen e kutive e ndalon Kushtetuta dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor.


"Ndjehem i detyruar të informoj shqiptarët se në tryezën e organizuar nga Komiteti Presidencial i Këshillit të Europës, zoti Rama i drejtoi kryeministrit disa herë pyetjen: "ku përmendet fjala gjykatë në vendimin e datës 4/12/2003 të Gjykatës Kushtetuese?".


Më pas, në mënyrën më të papërfytyrueshme, ai deklaroi se fjala gjykatë nuk përmendet në asnjë rresht të këtij vendimi. Në përgjigje të menjëhershme të këtij pretendimi mashtrues, Kryeministri i kërkoi këshilltarit të Presidentit të Republikës, zotit Spiro Peci, vendimin në fjalë dhe lexoi prej tij sa më poshtë vijon: "Komisionet hetimore parlamentare, duhet të respektojnë parimin e ndarjes së pushteteve, parim i cili nënkupton në mënyrë të veçantë, përcaktimin e marrëdhënieve ndërmjet autoritetit të Gjykatave dhe pushteteve të tjera".


Dhe më poshtë: "Element esencial i ndarjes së pushteteve është pavarësia e gjykatave dhe gjyqtarëve. Vendimet gjyqësore mund të ndryshohet vetëm nga një autoritet më i lartë gjyqësor". Për të vijuar me, citoj: "Këto parime, përjashtojnë çdo formë kontrolli parlamentar mbi aktivitetin juridiksional të gjykatave", dhe:


"Artikulimi i vlerësimeve kritike ndaj gjykatave nëpërmjet raporteve të komisioneve parlamentare, nuk është në përputhje me parimet kushtetuese", - tha Patozi, duke shtuar se e njëjta situatë vijon edhe tani. "Në fakt, hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave nuk e ndalon vetëm vendimi Nr. 20, i Gjykatës Kushtetuese, por edhe vendimi i Gjykatës së Apelit, apo siç quhet ndryshe, i Kolegjit Zgjedhor.


Vendimi i Gjykatës së Apelit më datë 27. 07.2009, e ndalon hapjen e kutive, duke rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste, kur gjykon padinë për vendimin e KQZ-së, i cili kishte hedhur poshtë kërkesën e dy komisionerëve socialistë për rinumërim të votave", - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›