PS: Efekti "Gërdec", një krater në ekonomi
Opozita akuzon se qeveria po fsheh dëmin real të kraterit "Gërdec" në ekonominë shqiptare. Nënsekretari për programin e PS-së, Ervin Bushati, vlerësoi se shteti na paraqet vetëm një fraksion të faturës financiare, por jo koston e vërtetë ekonomike të kësaj tragjedie me përmasa kombëtare. Sipas tij, dëmi i shkaktuar i kalon ato të paraqitura në faturën financiare, ofruar nga qeveria pas një inspektimi njëjavor, thjesht si shtëpi dhe orendi të dëmtuara apo dhe disa krerë bagëti. Ndërsa shtoi se qeveria është e paaftë dhe e papërgjegjshme për të kuptuar shkallën e rëndë të dëmit të shkaktuar në ekonomi, prandaj dhe nuk mund të përballojë situatën ashtu si nuk mundi ta parandalojë atë. "Kjo është një arsye më shumë pse Partia Socialiste është e vendosur në qëndrimin e saj për të kërkuar largimin nga pushteti të qeverisë së sotme", insistoi ai. Bushati këmbënguli se qeveria harron të llogarisë si pjesë të faturës financiare të krimit në Gërdec: kostot e rehabilitimit të infrastrukturës së dëmtuar, kapitalet e biznesit të shkatërruar, tatimet, sigurimet shoqërore dhe zhdoganimet e munguara, vlerën e tregut të materialit luftarak të vjedhur e të shpërthyer, operacionet e shpëtimit dhe mjekimit që vazhdojnë dhe kostot e rehabilitimit të zonës dhe mjedisit në të ardhmen. "Së dyti, qeveria lë fare pa përmendur kostot ekonomike, që janë të tjera dhe më të rënda se ato financiare", tha Bushati. Ai konstatoi se viktima të papërgjegjësisë qeverisëse janë sot, por me ndikim të fortë në ekonomi në të ardhmen: trauma psikologjike dhe sociale, punësimi në zonë, në zonën e dëmtuar dhe më gjerë, aktivitet ekonomik i munguar, investime vendase dhe të huaja, pasiguri ekonomike dhe psikologjike në të ardhmen etj. "Kostot ekonomike janë pasojë direkte e pasigurisë, e aktivitetit informal dhe kriminal, që dolën në pah sapo u shpërnda tymi i shpërthimit", u shpreh Bushati. Në këndvështrimin e socialistëve, efekti "Gërdec" është një shok i vërtetë për ekonominë tashmë të traumatizuar shqiptare; një shpërthim që akoma nuk e ka marrë formën e vetë të plotë. Nënsekretari socialist për programin politik tha se "çdo lek tashmë i dëmtuar dhe shpenzuar, prej papërgjegjësisë së qeverisë në Gërdec, është pasuri kombëtare dhe pronë e çdo shqiptari". Ndërsa në të ardhmen, vijoi ai, pasojat do të jenë rritje ekonomike e frenuar dhe çmime më të larta, shkaktuar nga një treg i deformuar dhe abuzuar prej instancave më të larta të shtetit.