Tragjedia, Oketa mbyll betejën ushtri-ministri
Në ditën e parë të punës, ministri i ri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, u ka kërkuar drejtuesve të ministrisë dhe Shtabit të Përgjithshëm t‘u japin fund deklaratave të ndërsjella në lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Ministri Oketa, gjatë një prononcimi për mediat, ka theksuar se tashmë kjo çështje ka kaluar në kompetencat e organit të Prokurorisë së Përgjithshme, e cila do të merret me hetimin e ngjarjes, duke nxjerrë përgjegjësit që do të ndëshkohen sipas ligjit. Ministri i ri ka bërë publike dy prioritetet kryesore të punës së tij, të cilat janë Samiti i Bukureshtit dhe tragjedia e Gërdecit. Por, ka shtuar ai, menjëherë pas Samitit të Bukureshtit do të iniciojë një tryezë për të diskutuar mbi standardet që duhet të plotësojnë firmat private, të cilat merren me demontimin e armatimeve, por edhe me kontrollin që duhet të ushtrojë shteti, që tragjedi të tilla të mos përsëriten më. Gazmend Oketa është zgjedhur në postin e ministrit të Mbrojtjes pak ditë më parë pas dorëheqjes së ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili e ka mbajtur atë post për gati tre vjet si pjesë e marrëveshjes politike me PD-në. Por, tragjedia e 15 marsit e ndodhur në Gërdec, ku shpërtheu një fabrikë e demontimit të armëve, e detyroi republikanin Mediu të jepte dorëheqjen nga detyra e tij. Tragjedi e cila ka shënuar deri më tani 23 viktima, rreth 300 të plagosur dhe dëme të shumta materiale. Por, shkak i dorëheqjes nuk ishte vetëm shpërthimi i depos, ajo thjesht sa zbuloi "bombën" e vërtetë që fshihej pas demontimit të atyre armëve. Nga publikimi i kontratave, me të cilat firmat kishin të drejtën e shitblerjeve të armëve, ka rezultuar se drejtuesit e lartë të shtetit, ndër ta edhe ish-ministri Mediu, ishin të përzier në një trafik të paligjshëm armësh. Shkelje e cila nuk u la mënjanë nga opozita, që dy ditë pas tragjedisë kërkoi dorëheqjen e Mediut dhe të Kryeministrit Berisha. Në vorbullën e akuzave u përfshinë mjaft emra dhe autoritete të ndryshme, siç ishte edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë. Drejtuesit e këtij të fundit kanë deklaruar se nuk kanë të bëjnë me këtë trafik dhe se ish-ministri Mediu nuk i ka pyetur për vendosjen e fabrikës së demontimit të armëve. Ndërkohë që vetë Mediu gjatë gjithë këtyre ditëve është munduar të shfajësojë veten, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me këtë trafik, por, sipas tij, fajtor është Shtabi i Përgjithshëm. Debat i cili prej disa ditësh ka shkaktuar reagime të ndryshme, të cilat nëpërmjet medias secili është munduar të publikojë shkresa dhe dokumente që vërtetojnë qëndrimet e tyre. Për t‘u dhënë fund këtyre deklarimeve mediatike dhe shkatërrimit të imazhit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, i cili, për hir të së vërtetës, deri tani duhet vlerësuar si mjaft pozitiv, ministri i ri i Mbrojtjes, Oketa, ka urdhëruar mbylljen e debatit mediatik, duke ia lënë hetimin e çështjes Prokurorisë së Përgjithshme. Tragjedia e Gërdecit ka ndodhur në një moment mjaft të papërshtatshëm për vendin tonë, pasi në javën e parë të prillit në Bukuresht zhvillohet Samiti i NATO-s, ku vendi ynë, bashkë me Maqedoninë dhe Kroacinë, presin të marrin ftesën e anëtarësimit për në NATO. Pyetja që është shtruar shpesh ditët e fundit, si nga politika dhe mediat, është e njëjtë: Pas tragjedisë së Gërdecit, a rrezikon apo jo Shqipëria marrjen e ftesës për në NATO? Por, nëse do të ndodhë apo jo kjo kanë mbetur fare pak ditë për ta marrë vesh. Prej javësh politika shqiptare ka ulur intensitetin e akuzave të ndërsjella, kryesisht këto të ardhura nga opozita si shenjë kompromisi për lehtësimin e situatës politike, me shpresë marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO. Kjo, sepse pas Samitit të Bukureshtit opozita pritet të reagojë ashpër në lidhje me keqqeverisjen e Kryeministrit Berisha, ku në qendër do të jetë trafiku i armëve, për të cilin tashmë është akuzuar edhe nga gazeta më e madhe amerikane "New York Times".