Topalli i kërkon opozitës "armëpushim" deri në Samit
Një ditë pas takimit të krerëve të PS-së me ambasadorët e vendeve perëndimore të akredituar në Tiranë, nga mazhoranca vjen një manovër që ngjan si "ngritje e flamurit të bardhë", apo "apel për paqe", për të pezulluar për një farë kohë deklaratat e ashpra dhe kërkesat për largimin e qeverisë. Ky apel ka dalë as më pak e as më shumë, nga goja e numrit dy të shtetit shqiptar, e cila është dhe një nga krerët e selisë blu, përkatësisht kryeparlamentares, Jozefina Topalli. Gjatë një interviste për mediat kryesore, Kryetarja e Kuvendit, duke vënë theksin te bashkëpunimi mes forcave politike, Topalli thekson se "axhenda e re do të thotë bashkëpunim dhe unë besoj te ky bashkëpunim, sepse besoj në sinqeritetin dhe seriozitetin në artikulimin me një zë të të gjithë forcave politike për perspektivën, integrimin në NATO dhe BE". Në fakt, ka shtuar gjatë deklaratës së saj, Topalli, Samiti i Bukureshtit në përgjigje të gjithë meritës dhe progresit të bërë gjatë kësaj periudhe është sfidë, është detyrim, por është dhe një test për të gjitha forcat politike për të çuar përpara këtë bashkëpunim, në atë që unë vazhdoj të insistoj: në domosdoshmërinë e reformës së shtetit. Të gjitha vendet e tjera, thotë Topalli, që kanë ndjekur këtë rrugë, kanë kuptuar se bashkëpunimi midis forcave politike është e vetmja rrugë, është e vetmja zgjidhje për të bërë të mundur që vendi i tyre të ecë më tej në proceset dhe në sfidat që sjell ky shekull i ri. "Vetë NATO-ja në Samitin e ardhshëm do hapë një debat mbi perspektivën, por dhe mbi sfidat e mëdha që ajo është e detyruar t‘ia njohë vetes, me gjithë partnerët e saj në këtë shekull të ri", tha Topalli, duke shtuar se ajo konsideron si shumë të rëndësishme për shqiptarët dhe që përjetohet në mënyrë të veçantë dhe me një sens të madh përgjegjësie, por dhe me sensin e meritës, është fakti se të bëhesh pjesë e asaj që është aleanca e lirisë, për shqiptarët në mënyrë të veçantë ka një substancë krejt të ndryshme nga shumica e vendeve të tjera, meqenëse ne lirinë e kemi jetuar më pak se kushdo tjetër gjatë historisë. Sipas Topallit, "marrja e ftesës për anëtarësimin në NATO" është padyshim ngjarja më e madhe historike për vendin tonë. Kryeparlamentarja theksoi se me marrjen e ftesës më 3 prill do të thotë se marrim përgjigjen e meritës së progresit të reformave, por në të njëjtën kohë kjo nënkupton një axhendë të re për politikën shqiptare. "Kjo nënkupton detyrime të reja që progresin e arritur gjatë kësaj periudhe, ta avancojmë në atë që unë mendoj se duhet të shihet si një reformë e madhe e shtetit, që nënkupton një demokraci që të performojë akoma më mirë një ekonomi edhe më solide, një bashkëpunim i forcave politike edhe më i ngushtë në reformat e shtetit, gjë që do të sjellë një si energji të madhe për shqiptarët dhe do të afronte dhe më shpejt atë që ne e kemi si projektin tjetër të rëndësishëm që është perspektiva evropiane", është shprehur Topalli. Duke theksuar se reformat e realizuara nga qeveria dhe Kuvendi do të hyjnë në një fazë të re, do të hyjnë në fazën e sfidave të reja dhe të një serioziteti, të një urtësie dhe të një bashkëpunimi, që në mënyrë të veçantë do të formalizohet në Parlament, por që kërkon mbështetjen e liderëve kryesorë të forcave politike në Shqipëri. Më tej, Topalli ka theksuar se për Shqipërinë në historinë tonë 17-vjeçare, kjo është padyshim ngjarja më e madhe. Është substanca reale e asaj që shqiptarët kanë pasur si projektin e tyre më të madh. Dhe besoj se, nëse në datën 3 prill ne do të marrim lajmin e marrjes së ftesës së Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë për t‘iu bashkangjitur Aleancës më të madhe, ky është një moment për të cilin të gjithë shqiptarët pa përjashtim duhet të jenë shumë krenarë.