E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca e BE-së: Kthimi i PS-së në Kuvend të shoqërohet me veprime konkrete

Mesazhi i Ambasadores së Polonisë: “Dua të theksoj se unë nuk po flas për praninë fizike, por për praninë aktive. Kjo nënkupton bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës. Kjo nënkupton që dy palët të diskutojnë nevojat më urgjente dhe pastaj të votojnë ligjet, që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Ata duhet të sigurojnë shumicën e cilësuar në parlament, në mënyrë që të miratojnë reformat kaq shumë të domosdoshmë për përparimin e Shqipërisë”.

TIRANË Ambasadorja e Polonisë në Tiranë, Irena Tatarzinska, vendi i së cilës mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, i bëri dje apel politikës shqiptare që ta shndërrojë procesin e integrimit të Shqipërisë në një qëllim kombëtar.

“Tani për tani, çështja më urgjente është adresimi i 12 rekomandimeve të Komisionit Europian dhe rekomandimet e raporteve të OSBE/ODIHR-it pas zgjedhjeve të fundit dhe pas zgjedhjeve të fundit parlamentare... ne i trajtojmë së bashku. Nëse më pyesni se a do të reflektohet hyrja e opozitës në parlament në progres raportin e fundit, mund të them se nëse ky kthim do të mbështetet nga veprime konkrete, nga dialogu konstruktiv, i cili duhet të çojë në reforminin e mëtejshëm të vendit, atëherë sigurisht që kjo do të pasqyrohet në raportin përfundimtar të Komisionit Europian”, - tha Tatarzinska në një intervistë për “AS”. Me veprime konkrete, ambasadorja Tatarzinska konsideron votimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar. “Siç e përmenda edhe më parë, prania e opozitës në parlament është jashtëzakonisht e domosdoshme në funksionimin normal të demokracisë. Kjo është e para... Por dua të theksoj se unë nuk po flas për praninë fizike, por për praninë aktive. Kjo nënkupton bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës. Kjo nënkupton që dy palët të diskutojnë nevojat më urgjente dhe pastaj të votojnë ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Ata duhet të sigurojnë shumicën e cilësuar në parlament, në mënyrë që të miratojnë reformat kaq shumë të domosdoshmë për përparimin e Shqipërisë. Prania e opozitës në parlament është absolutisht e domosdoshme. Shqipëria nuk po i përmbush etapat në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian. Ky është një çast shumë i rëndësishëm. Tashmë Shqipëria ka humbur dy vjet. Ajo nuk ka mundur t’i përgjigjet pozitivisht këtyre kushteve. Ajo që dua të theksoj, është se këto kushte nuk kanë për qëllim të vështirësojnë jetën e tyre, por është krejt e kundërta. Ato kanë për qëllim të ndihmojnë në funksionimin normal të demokracisë. Kjo gjithashtu nënkupton përmirësimin e standardit të jetesës të çdo shqiptari”, - tha ajo. Ambasadorja e Polonisë shprehet se koha është tepër e shkurtër që Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive nga progres raporti i Brukselit për Shqipërinë, në muajin tetor. “Nuk ka mbetur shumë kohë deri në publikimin e progres raportit. Bëhet fjalë për më pak se një muaj. Por gjithsesi, pista është e juaja... Shqipëria duhet të fillojë të votojë në parlament reformat e nevojshme. Sigurisht, botimi i progres raportit të ardhshëm është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe urgjent. Aktorët kryesorë të politikës duhet të nxitojnë për realizimin e këtyre reformave. Unë mendoj se ka ardhur koha që politikanët shqiptarë ta shndërrojnë integrimin europian në prioritetin e prioriteteve... ata duhet ta konsiderojnë atë si një qëllim kombëtar. Unë e di se të gjitha forcat politike në Shqipëri e deklarojnë integrimin europian si një përparësi, dhe kjo është vërtetuar në sondazhe edhe nga shoqëria shqiptare përmes një përqindjeje shumë të lartë. Kjo është diçka shumë e pazakontë. Pra, ky proces mbështetet fort nga njerëzit e zakonshëm. Ne, si Bashkimi Europian, i inkurajojmë politikanët shqiptarë dhe shoqërinë civile të jenë aktivë në këtë drejtim, dhe të konsiderojnë 12 rekomandimet e Komisionit Europian dhe rekomandimet e ODIHR-it dhe t’i bëjnë zgjedhjet e ardhshme të pranueshme nga të gjitha palët, në mënyrë që të mos ketë asnjë ankesë. Por për këtë nevojitet reforma në Kodin Elektoral, nevojitet dialogu konstruktiv, në mënyrë që politikanët të përqëndrohen tek kjo nevojë, urgjent,”- u shpreh Tatarzinska.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›