E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Fshati në papunësi

Tiranë - Partia Socialiste ke reaguar sot për papunësinë e thellë kryesisht në zonat fshatare të vendit. Në një reagim publik, nënsekretari për programin, Ervin Bushati theksoi se qeveria nuk ka bërë asgjë për të ulur papunësinë në fshat “Në fshat papunësia është akoma më kërcënuese sepse shumë pak njerëz e kanë mundësinë të punësohen pranë zonave rurale në të cilat jetojnë, pavarësisht shifrave të pretenduara nga qeveria. Ndikimi i papunësisë në jetën e familjeve në fshat shkakton një gjendje ekonomike të rënduar dhe probleme sociale nga me dramatiket. Papunësia është problemi real që rrënon jetën në fshat sepse në këto zona mundësitë për të siguruar një jetesë dinjitoze nëpërmjet punës së ndershme janë shumë të rralla”-theksoi Bushati për mediat.

Ai tha më tej se në zonat rurale, pamundësia për të pasur një punë i shtyn banorët e këtyre zonave drejt emigracionit ndërkohë që shteti i tyre nuk ka asnjë politikë të qartë për të hapur fronte të reja pune.

“Partia Socialiste është e ndërgjegjshme se sektori bujqësor ka nevoje për politika që të nxisin rritjen e produktivitetit, në mënyrë që ata që figurojnë si të punësuar në këtë sektor të mos jenë të nën-paguar. Gjithashtu, ka nevojë për trajnime dhe shkolla profesionale për të rritur aftësitë dhe produktivitetin e forcës së punës në këtë sektor”-përfundoi deklaratën Bushati.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›