PS, Gjiknuri: Të ikin ideatorët e politikave që shkaktuan përmbytjet

Tiranë, 10 janar NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka ngritur në një komunikim me mediat shqetësimin për mosnisjen e hetimeve nga organi i prokurorisë për krizën humanitare të krijuar në qarkun e Shkodrës. Gjiknuri tha se Berisha duhet të ikë së bashku me ministrin e tij, Dritan Prifti si ideatorë të politikave të papërgjegjshme që shkaktuan tragjedinë.
Partia Socialiste vazhdon të ndjekë me shumë shqetësim situatën e krijuar nga përmbytjet në zonën e Shkodrës. Përtej solidaritetit të natyrshëm me të gjithë banorët e dëmtuar dhe strukturat e sigurisë që punojnë pranë tyre, nuk mund të qëndrojmë gojëkyçur ndaj shkaqeve dhe përgjegjësive që sollën një situatë të tillë. Ditë pas dite, nga dëshmitë e ekspertëve dhe të dhënat kontradiktore të qeverisë, shqiptarët po mësojnë se shkaku kryesor i përmbytjes nuk është natyror, por njerëzor. Dëshmitë e ekspertëve po nxjerrin në pah se tragjedia erdhi si rezultat i keqmamanxhimit nga ana e strukturave shtetërore përgjegjëse për veprat në kaskadën e Drinit, të cilët me veprimet dhe mosveprimet e tyre shkaktuan përmbytjen më të madhe që ka parë ndonjëherë ky vend tha Gjiknuri. Sipas Gjiknurit, nëse nuk e ndjen veten me faj, Berisha duhet të shkarkojë menjëherë Dritan Priftin, cili me arrogancë dhe neglizhencë, duket të ketë shmangur çdo kërkesë që përcaktonte rregullorja në fuqi për manaxhimin e prurjeve ujore. Nëse nuk vepron edhe pas gjithë këtyre dëshmive që flasin qartë për përgjegjësitë e ministrit të tij, Berisha duhet të largohet bashkë me të, si ideatori i politikave që parapërgatitin situatën që shkaktoi tragjedinë. E njëjta thirrje vlen edhe për prokurorinë, e cila duhet të kishte filluar menjëherë hetimet, dhe jo të presë deri sa uji të hyjë në zyrat e saj, e më pas të kujtohet se paska një përmbytje tha më tej Gjiknuri. k.k/NOA