E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama thotë se nuk po ngre struktura paralele

Shkodër, 10 Janar NOA Përmbledhje Foto Update/ - Kryetari
i Partisë Socialiste Edi Rama mohoi sot nga Shkodra se forca politike që ai
drejton po përpiqet të ngrejë struktura paralele me shtetin. Deklaratën Rama e
bëri sot gjatë një konference për shtyp në Zyrën e Shtabit të Emergjencës së PS
që është ngritur për tu ardhur në ndihmë banorëve të qarkut Shkodër.

I shoqëruar nga një grup i gjerë deputetësh,
Rama gjendej edhe sot në zonat e përmbytura të qarkut të Shkodrës. Rama së
bashku me deputetët socialistë kanë bashkëbiseduar me të vjetër e të rinj,
burra e gra të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre në këto momente të një
krize humanitare.

Shoqëruar nga deputetët Pandeli Majkon, Fatmir
Toçi, Besnik Baraj, Pirro Lutaj, Agim Leka, Tom Doshi, Ilir Beqja e Astrit
Beci, Rama ka qenë në fshatrat Trush i Madh e Trush i Vogël, Mushan, në komunat
Dajç, Bushat, si dhe në lagjen periferike të qytetit të Shkodrës, Livadhe.

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve u
shpreh se PS nuk po ngre struktura paralele, por është duke bërë detyrën si një
parti solidare me të gjithë njerëzit:

Në çdo vend të emancipuar, çdo popull i
emancipuar vepron në këto raste duke ngritur struktura vullnetare në të gjitha
pikat e mundshme. Struktura këto, me bazë partiake, me bazë komunitare, me bazë
sociale, me bazë individuale. Këto nuk quhen struktura paralele, por struktura
solidariteti, - sqaroi Rama.

Dhe këto struktura solidariteti, - vijoi Rama,
- janë shprehje e një vetëdije qytetare, europiane në shekullin e 21-të, që për
fat të keq nuk është vetëdija e atyre që sot kanë përgjegjësinë për shkatërrimin
e kësaj katastrofe dhe paturpësinë që të bëjnë politikë me katastrofën, duke u
marrë me opozitën, ndërkohë që duhet të merren me njerëzit. 

e.r/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›