Jo politizimit të përmbytjes, Po gjendjes së jashtëzakonshme

Nga Zef Preçi *
Fatkeqësia natyrore e përmbytjes nga ujërat e
lumenjve Drin dhe Buna në ultësirën perëndimore të Shkodrës, e ditët e fundit
edhe në lagjet periferike të këtij qyteti kanë sjellë në vëmendjen e opinionit
publik një sërë problemesh të natyrës teknike, juridike, politike,
institucionale etj.
E përbashkëta e këtyre problemeve mbetet një:
shkalla e zbatimit të ligjit si përgjegjësia kryesore e institucioneve
ligj-zbatuese të shtetit shqiptar. Me këtë nuk dua të them se është koha të
politizohet një fatkeqësi natyrore (siç edhe po ndodh për ditë, për fat të
keq).
Përkundrazi, mendoj se është momenti që të
hidhet vështrimi në përmbajtjen e kësaj fatkeqësie, dmth të analizohet funksionimi
i sistemit në tërësi dhe të evitohet përdorimi politik i pasojave te saj. Le
ti marrim disa nga problemet me radhë.
Së pari, menaxhimi i ujërave të rezervuarave
të hidro-centraleve që janë ndërtuar deri më sot mbi kaskadën e lumit Drin.
Sipas mendimit tim, është e padobishme, e dëmshme, dhe djallëzore të hedhësh
baltë mbi energjetiken, sektorin e vetëm të ekonomisë reale të trashëguar nga
periudha socialiste që ka mundur të mbijetojë dhe po funksionon edhe sot e
kësaj dite.
Dhe kjo për shkak se investimet në
energjitikën shqiptare janë realizuar kryesisht në gjysmën e dytë të shekullit
të kaluar dhe pavarësisht se mbas vitit 1990 shteti nuk ka mundur të investojë
në vepra të reja, rehabilitimi dhe modernizimi i atyre ekzistuese ka thithur
qindra milionë euro.
Dmth është kryer rinovimi elektro-mekanik i
tyre dhe janë konkurruese edhe në ditët tona. Mbi të gjitha, energjitika është
ndoshta sektori i vetëm që ka të punësuar me dhjetëra teknikë e inxhinerë që në
biografinë e tyre numërojnë dy a tri dekada pune pa ndërprerje në Koman,
Fierzë e Vaun e Dejës.
Këtyre duhet tu jemi mirënjohës për
mire-funksionimin e hidrocentraleve edhe në këto ditë me reshje të shumta dhe
të zgjatura shiu, bore e breshëri në mbarë Europën.
Ndërsa paniku për rrezikun e çarjes së digave,
besoj se është tejkaluar pas sqarimeve të përgjegjshme të projektuesit të
mirënjohur të digave F. Hoxha, ish-drejtuesit të respektuar të sektorit
energjitik L. Pjetri, dhe të një numri ekspertësh të tjere të njohur në vend.
Mund të thuhet pa mëdyshje se edhe gjatë dy-tre muajve të fundit të tre hidrocentralet
e kaskadës së Drinit janë mbajtur në një regjim normal pune të bazuar në
rregullat teknike përkatëse dhe se çdo koment tjetër, të paktën në nivelin e
sotëm të informacionit zyrtar dhe të analizës, nuk përbën gjë tjetër veçse një
përpjekje për të nxjerrë përfitime politike nga pasojat e derdhjes së ujit si
përmes shfrytëzimit të plotë në nivelin historik më të lartë të rendimentit të
turbinave të këtyre hidrocentraleve, ashtu edhe shkarkimeve të paevitueshme të
tepricave të ujit përtej limiteve të përcaktuara në atë rregullore. Pavarësisht
kësaj, mendoj se duhet mbështetur dhe inkurajuar çfarëdo nisme e prokurorisë së
republikës për hetimin e menaxhimit të rezervave ujore të vendit, ashtu sikurse
edhe analizat e thelluara mbi menaxhimin nga KESH-i të burimeve hidrike në
kaskadën e Drinit nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, Energjitikës dhe Tregtisë.
Komunikimi mediatik i kësaj ministrie gjatë gjithë kohës mendoj se ka qenë në
nivelin e duhur nstitucional duke mundësuar informimin transparent jo vetëm të
publikut, por edhe të qarqeve politike të interesuara.
Së dyti, situata e rëndë në komunat e
përmbytura dhe në lagjet periferike të qytetit të Shkodrës sjell në vëmendjen e
opinionit publik një numër problemesh që kanë të bëjnë me ndërtimet e shtëpive
të banimit në zona të palejueshme nga fshatarët e këtyre zonave; me investimet
publike për mirëmbajtjen e argjinaturave mbrojtëse dhe të rrjetit kullues
përkatës; me zbatimin e investimeve për pengimin e erozionit në rajonet malore
të vendit, me sistemimin dhe rehabilimin e grykë-derdhjes së Bunës, etj.
Nuk është vështirë për të konstatuar se
procesi i legalizimit të ndërtimeve informale, për fat të keq, ka përshpejtuar
okupimin prej tyre të zonave periferike të qytetit të Shkodrës duke përfshirë
edhe bregun e liqenit.
Nuk është vështirë për të kuptuar se shumica e
banesave të reja në fshatrat e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë janë ndërtuar
në tokën e bukës, dmth atje ku deri dje sa për shkak të kontrollit të rreptë
të regjimit, por edhe për shkak të fatkeqësive natyrore si këto që po
përballemi sot, ishte e ndaluar ndërtimi i tyre.
Nuk është vështirë për të kuptuar se prej disa
vitesh investimet publike në përmirësimin e rrjeteve kulluese, në forcimin e
mbrojtjes nga erozioni, thellimin e shtratit të lumenjve dhe vërshimet e
papritura të tyre, në mos janë në nivele modeste, janë inefiçente dhe në
shpërndarjen e tyre ka mungesë transparence dhe korrupsion. Nuk është vështirë
për të kuptuar se pushteti vendor, në kushtet e mungesës së kapaciteteve
njerëzore, materiale e monetare dhe të mosnjohjes së detyrimeve të veta ligjore
në një situatë të tillë vazhdon të jetë pasiv dhe plotësisht i eklipsuar nga
prania e gjerë e autoriteteve qendrore në menaxhimin e situatës së fatkeqësisë
së përmbytjes aktuale në Shkodër.
Kështu që në këtë këndveshtrim mendoj se të
gjitha institucionet ligj-zbatuese të vendit janë drejtpërdrejt ose tërthorazi
bashkë-përgjegjëse për situatën e krijuar dhe nëse mbas kapërcimit të saj nuk
do të kryhen analizat e duhura dhe marrja e përgjegjësive përkatëse, janë të
gjitha gjasat që vendi të mbetet i ekspozuar përballë fatkeqësive të reja në të
ardhmen.
Gjithashtu, nuk është vështirë për të kuptuar
se edhe moti është çrregulluar prej disa vjetësh dhe stinët e vitit nuk janë më
qartësisht të dallueshme si dikur Mjafton të ndjekësh lajmet që vijnë gjatë
këtyre ditëve për fatkeqësi të ngjashme në Bosnjë apo mbi motin e keq në
Europë, Amerikë apo në kontinentet e tjerë.
Së treti, për kapërcimin e situatës, mendoj se
nuk është e mjaftueshme çvendosja e qeverisë dhe opozitës në zonat e
përmbytura. Kjo mbasi përmasat e përmbytjes dhe paqartësitë mbi kohëzgjatjen e
saj bëjnë të domosdoshme vendosjen edhe de jure të gjendjes së jashtëzakonshme
në prefekturën e Shkodrës, sikurse sugjeroi këto ditë ish-kryeministri
socialist Pandeli Majko.
Kjo jo thjesht në zbatim të kuadrit ligjor
përkatës në fuqi, por edhe për një menaxhim më të mirë të burimeve në
dispozicion, angazhimin më të drejtpërdrejtë të Kuvendit të Shqipërisë në
rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2010 dhe vënien në dispozicion të
kësaj prefekture të fondeve përkatëse për ndihmën emergjente të banorëve të
evakuar dhe për rehabilimin e zonës mbas kapërcimit të fazës së emergjencës;
për bashkë-rendimin më të mirë të punës për thithjen e fondeve dhe të
mbështetjes materiale nga donatorët e huaj dhe organizatat e specializuara dhe
ato humanitare; për mobilizimin e nevojshëm të mjeteve dhe makinerive në
administrimin e përmbytjes dhe rehabilimin e pasojave të saj, si dhe për
rregullimin e funksionimit te marrëdhënieve të shtetit me operatorët e ndryshëm
ekonomikë që ofrojnë energji elektrike, ujë, etj., për popullsinë.
Mendoj se në këtë mënyrë procesi
i evakuimit të popullsisë civile mund dhe duhet të bëhet i përgjithshëm, i
detyruar dhe i organizuar. Për të mbrojtur nga vjedhjet dhe dëmtimi shtëpitë
dhe pasuritë e fshatarëve të mbetura shkretë deri në rikthimin e pronarëve të
tyre, mendoj se mund të përdoren forcat e ushtrisë, si dhe mund të rekrutohen
me pagesë edhe një pjesë e fshatarëve të zonës. Nga ana tjetër, mendoj se mbas
kapërcimit të kësaj fatkeqësie, rikthimi i banorëve mund dhe duhet të bëhet i
organizuar dhe vetëm mbas dekontaminimit për të evituar rreziqet e epidemive, vlerësimit
teknik dhe financiar të dëmeve të shkaktuara dhe gjendjes së rrjeteve të
ujësjellësve, rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, etj.
Së fundi, nisur nga problematika e situatës
aktuale të përmbytjes së dhjetë ditëve të fundit në Shkodër dhe lidhjes së
këtij fenomeni me menaxhimin e burimeve hidrike të vendit, mendoj se në të
ardhmen institucionet përkatë