PS: “Hapja e kutive, themel i hetimit të zgjedhjeve”
Autori i Lajmit: RedaksiaNë prag të negociatave me mazhorancën socialistët përforcojnë idenë për hapjen e kutive të votimit të 28 Qershorit, që siç i cilësoi sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dade, janë themeli i hetimit të zgjedhjeve. Sipas saj, duke pranuar Rezolutën e Këshillit të Evropës, pas përpjekjesh të dështuara për ta ndryshuar atë, Sali Berisha, më në fund, u detyrua të pranojë ekzistencën e krizës politike dhe zgjidhjen e saj në tryezën e Presidentit. Ajo shtoi se Partia Socialiste është e vendosur që kjo krizë të zgjidhet vetëm përmes negociatash në prani të Presidentit të Republikës që do të rezultojnë në ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar me objekt hetimor të pakufizuar të procesit elektoral të 28 Qershorit. “Kur hetohet një krim, me provat nuk mund të ketë kompromis. Për opozitën kutitë janë themeli i hetimit të zgjedhjeve të 28 Qershorit. Sali Berisha nuk do të mund ta pengojë kurrë me forcë këtë hetim, prandaj ne e ftojmë atë të reflektojë me seriozitet dhe të bëhet pjesë e transparencës që kërkon opozita, shqiptarët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë e të heqë dorë nga mjetet e vjetruara për të keqinterpretuar rezolutën e Këshillit të Evropës dhe të vonojë me argumente false zgjidhjen e krizës”, - tha Dade.
Ky lajm është publikuar: 05/02/2010