E Diel, 1 Nëntor 2026

Besnik Bakiu:Në rast se ligji nuk shfuqizohet, Kushtetuesja do të kundërshtojë veten

Autori i Lajmit: Anilejda Shëmbitraku
Shtresat e prekura nga ligji për pensionet suplementare të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ Shtetëror vazhdojnë të vuajnë nga mungesa e shpërblimeve që me të drejtë duhet të përfitojnë nga shteti. Ata kanë mbetur peng të ligjit, shqyrtimi i të cilit është në Gjykatën Kushtetuese. Për të na informuar rreth zhvillimeve më të reja, kemi intervistuar Besnik Bakiun, kryetar i Shoqatës së ish-punonjësve të Policisë së Shtetit. “Nga informacionet që ne kemi, trupi gjykues i kësaj Gjykate është duke diskutuar lidhur me kërkesën që ne kemi bërë dhe akoma nuk kanë arritur në një konkluzion përfundimtar. Por pavarësisht kësaj vonese, ne jemi të bindur se vendimi do të shfuqizojë ligjin që ne kemi ankimuar. Kjo pasi në rast të kundërt Gjykata Kushtetuese do të kundërshtonte vetveten”,- kështu ka deklaruar Bakiu.

Gjykata Kushtetuese akoma nuk ka dhënë vendim përfundimtar për kërkesën tuaj, cili është komenti juaj për këtë shtyrje?
Fillimisht, dua të shpreh konsideratën time dhe të organizatës që unë përfaqësoj për këtë Gjykatë. Nga informacionet që ne kemi, trupi gjykues i kësaj Gjykate është duke diskutuar lidhur me kërkesën që ne kemi bërë dhe akoma nuk kanë arritur në një konkluzion përfundimtar. Por pavarësisht kësaj vonese, ne jemi të bindur se vendimi do të shfuqizojë ligjin që ne kemi ankimuar. Kjo pasi në rast të kundërt Gjykata Kushtetuese do të kundërshtonte vetveten. Në Vendimin e saj nr. 9, datë 26.2.2007 në një çështje analoge si kjo (fuqia prapavepruese e një ligji për sigurimet shoqërore suplementare lidhur me të drejtat që janë njohur), thekson: “Duke u dhënë akteve fuqi prapavepruese (rëndom dhe jo si përjashtim), sidomos në rastet kur aktet e reja sjellin efekte të pafavorshme për subjektet që preken prej tij, do të cenohet parimi i sigurisë juridike dhe, rrjedhimisht, do të shkelet parimi i shtetit të së drejtës. Edhe për çështjen në shqyrtim, dhënia e fuqisë prapavepruese për ligjin ka cenuar sigurinë juridike dhe të drejtat e fituara, sepse ka ulur masën e pensioneve në raport me ligjin e mëparshëm. Cenimi i parimit të sigurisë juridike bëhet veçanërisht më i ndjeshëm në marrëdhëniet e sigurimeve shoqërore të disa kategorive punonjësish (p.sh. të ushtarakëve), me qenë se kjo marrëdhënie mbështetet në strukturën ligjore të mbajtjes së besimit dhe në bindjen e të siguruarve për seriozitetin dhe korrektësinë e shtetit. Po kjo gjykatë në Vendimi nr.34, datë.20.12.2005 thekson: “Shteti i së drejtës, i cili garantohet që në Preambulën e Kushtetutës, është një nga parimet më themelore e më të rëndësishme në shtetin dhe shoqërinë demokratike. Si i tillë, ai përbën një normë të pavarur kushtetuese, prandaj shkelja e tij përbën në vetvete bazë të mjaftueshme për deklarimin e një ligji si antikushtetues”. Ka edhe vendime të tjera të kësaj Gjykate në favorin tonë.

Përveç kësaj ju keni kërkuar shfuqizimin e ligjit edhe për proces legjislativ antikushtetues?
Po kjo është një tjetër kërkesë jona për shfuqizimin e këtij ligji. Ne kemi provuar me prova shkresore këtë pretendim. Më konkretisht: Në fazën e përgatitjes së tij, ligji është kundërshtuar nga të gjitha grupet e interesit. Për sa u përket punonjësve të Policisë së Shtetit, është kundërshtuar nga Drejtoria e Përgjithshme, Sindikata e Policisë dhe organizata jonë. Madje, gjej rastin të falënderoj Ministrinë e Brendshme, e cila nuk ishte as si palë e interesuar në këtë gjyq. Projektligji u dorëzua në sekretarinë e Parlamentit në datën 13.5.2009, ku u protokollua me numrin 1428. Po atë ditë, me urgjencë mblidhet vetëm komisioni parlamentar për ekonominë e financat dhe vendos të hiqen 2 presje dhe të ndryshojë një referencë. Ky ligj nuk kaloi fare për mendim në Komisionin Parlamentar të Ligjeve dhe Komisionin Parlamentar të Sigurisë Kombëtare. Më datën 15.5.2009 kaloi në seancë parlamentare dhe u miratua. Argumenti i ngritur nga Këshilli i Ministrave për boshllëqe në legjislacionin ekzistues lidhur me këtë trajtim, për punonjësit e Policisë së Shtetit nuk është i vërtetë, pasi trajtimi i punonjësve të Policisë së Shtetit është rregulluar me një paketë të plotë ligjore e nënligjore, të gjithëpranuar dhe duke pasur në konsideratë nivelin ekonomik të shoqërisë shqiptare, nuk ka paraqitur asnjë shqetësim të qenësishëm deri tani.

Pavarësisht kohës së dhënies së këtij vendimi, ju vazhdoni akoma të jeni pa pensione dhe shpërblime?
Vërtet, kemi nga 1 korriku që një pjesë e madhe e anëtarësisë sonë, e cila i kalon 3 mijë persona, nuk paguhet, megjithëse shteti ka detyrimin ligjor të kryejë pagesat. Këto pagesa nuk janë lëmoshë, por detyrim për punën e kryer dhe sigurimet e paguara. Madje, situata është me e rëndë, pasi nuk kemi as sigurime shëndetësore. E gjithë kjo sepse inspiruesit e këtij ligji që vrapuan për ta miratuar, akoma nuk kanë dërguar në Këshillin e Ministrave vendimin që e bënë ligjin të zbatueshëm. Sinqerisht nuk mund ta kuptoj. Nuk di kujt i intereson diçka e tillë.

Çfarë keni bërë për të zgjidhur situatën?
Si gjithmonë edhe në këtë rast veprimtaria e organizatës sonë ka qenë ligjore e bashkëpunuese. Kemi kontaktuar me instancat më të larta të Ministrisë së Brendshme dhe të organizmave ndërkombëtarë ku u kemi parashtruar situatën, nga të cilët kemi marrë mbështetje për zgjidhjen e situatës. Po si konkluzion kemi prashitur ujë, pasi situata vazhdon të ngelet e njëjtë.
Nëse do të vazhdohet me këtë gjendje, jemi të detyruar tu drejtohemi rrugëve të tjera demokratike duke filluar nga protestat etj.

Parashikimi
E pamundur ndërhyrja e qeverisë në Gjykatën Kushtetuese

“Në këtë proces gjyqësor nuk mund të ketë ndërhyrje të qeverisë. E para, unë besoj në integritetin moral e profesional të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët nuk ndikohen nga asnjë palë në proces, e dyta, qeveria jo vetëm që nuk e ka në axhendë të ndërhyjë, por siç përmenda edhe më sipër, as që ka marrë mundimin të zbatojë detyrimet ligjore (nxjerrjen e vendimeve të Këshillit të Ministrave) për të bërë të zbatueshëm këtë ligj. As në mbledhjen e fundit nuk kaloi ky vendim”.

Do të jap dorëheqjen, nëse ligji mbetet në fuqi

Unë e kam thënë disa herë dhe e përsëris, që është më se normale që dikush, i cili dështon në realizimin e objektivave të tij, duhet të tërhiqet dhe tu hapë krahun të tjerëve. Edhe në rastin konkret, unë e quaj edhe një dështim personal keqësimin që ka pësuar trajtimi i punonjësve të policisë. Këtë vendim të pakthyeshëm timin, ia kam bërë me dije edhe bordit drejtues dhe është në procedurë zgjedhja e drejtuesit të ri. Pra unë aktualisht jam drejtori në detyrë.

Ankesat
Cenohet siguria kombëtare

“Ky ligj cenon sigurinë kombëtare, pasi prek gjithë punonjësit e agjencive të specializuar të sigurisë kombëtare, duke tronditur sigurinë për të nesërmen e mbijetesës biologjike të tyre dhe familjeve të tyre. Po ashtu lihen në mëshirë e rrugës një numër i konsiderueshëm ish- punonjës të këtyre agjencive, të cilët për shkak të detyrës posedojnë informacione të rëndësishme, për të cilat është shumë i interesuar krimi i organizuar. Humbet besimi te shteti yt, për të cilin ke sakrifikuar jo pak. Është shokuese dhe të mos harrojmë se historia botërore ka jo pak precedente kur individë nga ish- zbatuesit e ligjit, të zhgënjyer dhe të tradhtuar nga shteti i tyre, janë bërë të vështirë për tu kontrolluar”.

Shkeljet
Antikushtetueshmëria është flagrante

“Antikushtetutshmëria e ligjit është flagrante, madje do të thosha edhe fyese për nga arroganca e padija. Po citoj vetëm dy vendime të Gjykatës Kushtetuese: Vendimi nr.9/2007 “Cenimi i parimit të sigurisë juridike bëhet veçanërisht më i ndjeshëm në marrëdhëniet e sigurimeve shoqërore të disa kategorive punonjësish, meqenëse kjo marrëdhënie mbështetet në strukturën ligjore të mbajtjes së besimit dhe në bindjen e të siguruarve për seriozitetin dhe korrektësinë e shtetit” dhe Vendimi nr.34/2005 thekson: “Shteti i së drejtës, i cili garantohet që në Preambulën e Kushtetutës, është një nga parimet më themelore e më të rëndësishme në shtetin dhe shoqërinë demokratike. Si i tillë, ai përbën një normë të pavarur kushtetuese, prandaj shkelja e tij përbën në vetvete bazë të mjaftueshme për deklarimin e një ligji si antikushtetues”.

Aktet
Zbatimi i ligjit, i papërgjegjshëm

“Papërgjegjshmëria në zbatimin e normave dhe parimeve më elementare e të përgjithshme të procesit legjislativ gjatë gjithë fazave nga përgatitja deri te zbatimi i këtij ligji. Nuk është argumentuar pse duhej ky ligj për punonjësit e policisë, pasi ishin 2 ligje dhe 11 vendime të Këshillit të Ministrave. Ditën që mbërrin projektligji në sekretarinë e Parlamentit, urgjentisht mblidhen po atë ditë anëtarët e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave pasi “studiojnë me vëmendjen të madhe” 32 nenet e këtij projekti dhe 7 ligjet, nenet bazike të të cilëve do të shfuqizoheshin, vendosin të aprovojnë duke propozuar një “ndryshim esencial” heqjen e dy presjeve”.

Ky lajm është publikuar: 04/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›