E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sovjetikët kërkojnë të rrëzojnë Maon në sy të Ballukut

Autori i Lajmit: Androkli DraloPekin, 20 janar 1967 – Emri i Bashkimit Sovjetik është lidhur ditën e djeshme me një tentativë të dështuar konspirative për të rrëzuar Mao Ce Dunin. Një gazetë e Rojeve të Kuqe pretendonte se komplotuesit kishin kontaktuar fshehtësisht me ambasadën sovjetike në Pekin dhe kishin përgjuar Kryetarin Mao, - njoftuan agjencia e lajmeve “Reuters” dhe ajo jugosllave “Tanjug” nga Pekini. Duhet thënë se situata nuk është aspak komode, pasi tensionet janë përcjellë direkt në sytë e një delegacioni shqiptar, të kryesuar nga ministri i Mbrojtjes dhe zv.kryeministri, Beqir Balluku. Prapa komplotuesve, - shkruante gazeta, - qëndronte presidenti Liu Shao Çi, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Kineze, Ten Hsiao Pin, dy udhëheqësit armiq kryesorë të Maos. “Nëse ju vazhdoni opozitën kokëfortë dhe nëse nuk kapitulloni”, - i paralajmëroi gazeta këta të dy, - “ka shumë mundësi që ju të kini të njëjtin fat”.

Lajmet nga afishet

Djali i Liut u njoftua se ishte denoncuar ditën e martë nga gruaja e Maos si “një element i fëlliqur, i cili kishte kontaktuar në mënyrë sekrete një vend të huaj” dhe më pas ishte arrestuar. Një korrespondent japonez e mori këtë informacion nga një afishe e Rojeve të Kuqe. Nuk kishte asnjë informacion se kur ishte nisur apo zbuluar ky komplot. I akuzuari, ish-kryetari i Bashkisë së Pekinit, Peng Çen, shefi i përjashtuar i propagandës, Lu Ting Yl dhe ish-shefi i stafit Lo Jui Çing dhe Jang Shang Kun, të gjithë i përkisnin Sekretariatit të Partisë, një bastion kundërshtar i Maos. Ishte pikërisht Jan, ai që u akuzua specifikisht për vendosjen e përgjuesve “prapa shpinës së Kryetarit Mao” dhe se i kishte dorëzuar informacione sekrete një ambasadori sovjetik (emri nuk iu përmend).

Dënohen përpara stadiumit

Personat e akuzuar u dërguan përpara një stadiumi të mbushur plot e për plot më 4 dhe 5 janar, - shkruante gazeta. Ajo i përshkroi ata me koka të përulura dhe në qafë u kishin varur pankarta ku shkruhej: “borgjezë reaksionarë”. Këmba e majtë e Losë ishte në allçi. Sipas gazetës, ish-shefi i stafit ishte përpjekur të kryente vetëvrasje. Lo thuhej se kishte penguar për pesë vjet me radhë ministrin e Mbrojtjes, Lin Biao, (trashëgimtarin e mundshëm të Maos) për një udhëzim të veçantë që kishte lidhje me milicinë. Në Uashington, zyrtarët lajmëruan se Bashkimi Sovjetik është në mes të një fushate kundër “Mao Ce Dunit dhe klikës së tij”. Sipas amerikanëve, sovjetikët kanë nxitur energjikisht ata elementë kinezë që mund të shërojnë plagët e partisë dhe boshllëqet e shtetit që janë hapur gjatë sundimit të Maos. U tha gjithashtu se diplomatët sovjetikë në Pekin, të cilët kanë qenë nën vëzhgimin e rreptë të autoriteteve kineze, prej muajsh kishin mundur të vendosnin disa kontakte me kundërshtarët e Maos, madje thuhej se disa persona ishin parë dhe përpara ambasadës sovjetike.

Akuzohet ish-zyrtari

Ish-minsitri i Mbrojtjes, Peng Tehuai (i përjashtuar në 1959 dhe i arrestuar së fundmi) u akuzua për lidhje prosovjetike dhe një nga çështjet e mistershme tashmë është nëse duhet të rikrijohen lidhjet me Moskën për të rifituar edhe një herë nga anët pozitive të mbrojtjes së saj ushtarake dhe logjistika e tyre. Këtu mund të lindë pyetja nëse akuzat për përfshirjen e sovjetikëve janë serioze, a do të vazhdojë Pekini tani të dërgojë në shtëpi diplomatët sovjetikë apo do të përjashtojë komplotistët vendas? A do të sillnin këto me siguri një prishje të marrëdhënieve diplomatike bilaterale? Nga Pekini, David Oancia, i “Toronto Globe dhe Mail” raportoi se forcat antimaoiste në fshatra po akuzohen rishtas se po u shpërndajnë para punëtorëve të fermave nga rezervat, dhe se po i nxisin ata të braktisin fushat dhe të përshihen “në eksperiencën e shkëmbimeve revolucionare”. Në raportimin e tij, Oancia citoi gazetën “Shangai Liberation Army”. “Në disa zona (të Shangait) orizorja nuk është korrur ende, duke i shkaktuar kështu probleme me vlerësimin dhe shitjen e orizit nga shteti. Oancia tha se për shkak të kësaj, tashmë mund të fillonte ndërprerja e ndihmës ushqimore.

Paralajmërohet populli

Në Pekin, tha Oancia, ishin propaganduar dhe rrugët se si do ti bëhej ballë me nikoqirllëk “kursimit”, - taktikës së opozitës për tu dhënë ryshfet punëtorëve dhe fshatarëve për të mos punuar. Ata që kishin marrë para ekstra u detyruan ti kthenin sërish ato. Ndërsa populli ishte paralajmëruar ti shmangte harxhet e tepërta dhe të kufizon shpenzimet e vizitorëve. Më herët, shumë mallrave të rëndësishme iu vu embargoja, ndërsa dhjetëra dyqaneve iu vu dryni. Njoftimet zyrtare bënë me dije se konfliktet kishin ndodhur në tre qytetet më të rëndësishme: 1) Në Pekin, Rojet e Kuqe kishin mësyrë në zyrat e Komitetit të Partisë së qytetit dhe kishin marrë kontrollin e tyre. Gruaja e Maos kishte lënë të kuptohej se do të përdorej forca nëse 1 milion protestuesit nuk do të ktheheshin në shtëpi. 2) Në Shangai, i brohoritur javën e kaluar si vendi i pikës së kthesës së triumfit të Maos, sepse atje udhëheqësi kinez “kishte arritur një fitore të madhe, por jo të plotë”. 3) Dhe në Kanton, ku pati përleshje mes njësive rivale. Kryeministri Çu En Lai, që besohet se është çelësi i negocimit mes pretendimeve konfliktuale të “revolucionit” dhe “prodhimit”, u citua tu bënte thirrje miliona njerëzve që të largoheshin nga çadrat e improvizuara dhe ti ktheheshin sërish punës. Afishet në rrugë tregojnë se dhuna ka qenë e zjarrtë dhe e pabesueshme. Dje korrespondenti japonez komentoi parullat në Harbin (studentët promaoistë kundër ushtarëve), në Tailen (Rojet e Kuqe promaoiste kundër studentëve), në Dairen, Shenjang, Çençov dhe në provincën Hopeh (Rojet e Kuqe promaoiste dhe fshatarët kundër elementëve partiakë). Mbështetësit e Maos e vazhduan fushatën e tyre për të rimarrë mediet e komunikimit. “Reuters” tha se me fjalën “pushtim” maoistët donin të thoshin “mbikëqyrje”. Një nga problemet e mbështetësve të Maos është se ata i kanë pushtuar gjërat, si për shembull fabrikat, të cilat nuk mund ti drejtonin. Është sugjeruar që opozita të nxisë pushtime të tilla, veçanërisht në Shangai, në mënyrë që tu vënë litarin në qafë djemve të Rojeve të Kuqe.
Ky lajm është publikuar: 04/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›