Superliga Riluhet ndeshja, Flamurtari mposht 3-0 Besën
Autori i Lajmit: Redaksia
Vlorë - Flamurtari i dha një leksion të hidhur Besës së vendit të dytë në një stadium pa shikues, duke sigluar një fitore të pastër 3-0 në “replay”-in kundër kavajasve, në ballafaqimin e dytë midis tyre për javën e 18-të të Kategorisë së Parë, pas anulimit të takimit të parë origjinal - Flamurtari fitoi edhe në atë takim, 1-0 - për shkak të një gabimi teknik të gjyqtarit Remzi Sadiku. Serinë e “tripletës” kuqezi vlonjate e nisi kapiteni Artan Sakaj me një gol nga pika e bardhë, duke mposhtur kapitenin e Besës, Orges Shehin në minutën e 27-të. Blerja dimërore, kroati Jurika Puljiz, u frenua brenda zonës nga mbrojtësi i Besës, Renato Arapi, dhe gjyqtari Kridens Meta akordoi 11-metërsh të shndërruar në gol nga ish-lojtari i Besës, Artan Sakaj. Goli i dytë i Flamurtarit, mban shenjën golashënuesit më të mirë të sezonit të kaluar. Ish-sulmuesi i Tiranës, Migen Memelli, i cili nuk realizoi penalltinë në ndeshjen e humbur të Flamurtarit me Shkumbinin (2-1) katër ditë më parë, shënoi me kokë në minutën e 69-të golin e dytë të Flamurtarit, të parin me fanellën e vlonjatëve dhe të dytin sezonal. Për të kompletuar triumfin e Flamurtarit mendoi një tjetër afrim gjatë merkatos, Njazi Lena, i ardhur nga Renova e Maqedonisë, duke shënuar golin e tretë në minutën e 82-të e duke i shkaktuar Besës humbjen e 3-të në 19 javë të luajtura të këtij sezoni. Një humbje e hidhur për formacionin e Shpëtim Duros, jo vetëm se vinte pas asaj fitoreje në transfertë 2-0 me Apoloninë në Fier, por edhe për faktin se e sheh sërish veten 12 pikë larg kryesuesve absolutë të kampionatit, Dinamos, që nga ana e saj ka grumbulluar 48 pikë. Flamurtari, nga ana e tij regjistroi fitoren e katërt sezonale, duke u ngjitur tashmë në kuotën e 18 pikëve dhe vendin e 10-të, me pikë të barabarta me Gramozin (vendi i 11-të). Në ndeshjen e ardhshme, Flamurtari do të presë në Vlorë Apoloninë. Fierakët po përjetojnë një krizë rezultatesh. Dinamo e Besa do të përballen në javën e 21-të dhe ndeshja midis tyre në “Qemal Stafa duket se do ti japë përfundimisht fund luftës për titull ende pa filluar faza e tretë. Për sa u përket statistikave, kjo ishte ndeshja e 122-të midis dy ekipeve. Flamurtari regjistroi fitoren e 36-të, kundrejt një Bese që ka në bilancin e saj 55 fitore. 31 ndeshje janë mbyllur në barazim. Me Flamurtarin, që kërkonte medoemos 3 pikët, për tiu larguar sadopak vendit të fundit në renditje, dhe me Besën, që nuk donte të distancohej më shumë nga Dinamo e vendit të parë. Por, krejt ndryshe nga pritshmëritë, në ndeshjen e riluajtur është shfaqur një Besë, që vetëm emrin kishte të tillë, pavarësisht formacionit titullar që ka përdorur trajneri Shpëtim Duro. Lojtarë të skuadrës kavajase, që mezi lëviznin nëpër fushë, a thua i kishe futur me zor në luanin, gabime foshnjarake që në pasimin e parë të topit, mungesë qartësie në organizim dhe një sulm, me Sinanin dhe Cikalleshin, të shkëputur tërësisht nga pjesa tjetër e grupit. Në këtë mënyrë, i është lehtësuar mjaft puna Flamurtarit. Pavarësisht emrave të spikatur të futbollit shqiptar, që ka në gjirin e saj Besa, në Vlorë të gjithë ishin hija e vetvetes, krejt të mpirë, pa dëshirë për të luajtur, aq më tepër për të fituar. Në radhët e vlonjatëve gëzimi për këtë fitore ka qenë i ligjshëm, sepse e shohin veten me 18 pikë tashmë, aq sa edhe Gramozi, duke ia lënë fundin e renditjes Skënderbeut. Ka rënë në sy loja e mirë e Memellit për vlonjatët, i cili ka fituar një penallti, të kthyer në gol nga Sakaj, në pjesën e parë, por ka dyfishuar dhe siguruar fitoren e Flamurtarit në pjesën e dytë.
Ky lajm është publikuar: 04/02/2010