E Diel, 1 Nëntor 2026

Libri i ri, Berluskoni manipulon fotot

Autori i Lajmit: A.Dralo
Milano - Titulli është i qartë. “Ne e duam Berluskonin”. Bëhet fjalë për një libër fotografik në formën e një albumi, dedikuar Kryeministrit të Italisë, Silvio Berluskoni, ku janë mbledhur fotografitë që mbajnë firmën e botuesit Peruzzo Alberto. Ndërsa lexon parathënien, ti bëhesh dëshmitar i angazhimit të kavalierit në nivelet kombëtare dhe ndërkombëtare të jetës politike italiane. “Ne e duam Berluskonin” vjen në formën e një albumi kujtimesh, ku janë mbledhur shkrepjet më të famshme të historisë politike të kryeministrit italian. Në foto Berluskoni shfaqet mes admiruesve dhe liderëve më të mëdhenj të historisë botërore dhe që nga data 27 janar libri shitet në të gjitha libraritë italiane. Megjithatë, dikush që ka nisur ta shfletojë ka vënë re ndonjë detaj të çuditshëm. Vakon Sartirani është një specialist grafike nga Bergamo dhe një ditë vendosi të blinte librin me fotot e kryeministrit italian. “E bëra për shkak të kuriozitetit profesional”, - tha Sartirani. “Kisha dëgjuar shumë kritika për sa i përket pamjeve dhe doja të sigurohesha në se ishin të vërteta apo jo”. Menjëherë, Sartirani kishte vënë re se në foto kishte pasur ndërhyrje dhe fotografi të veçanta ishin modifikuar (herë lehtësisht të dukshme me sy të lirë për shkak të mosprofesionalizmit, por dhe ato më mjeshtëroret mund të kuptoheshin fare lehtë nga një sy profesionisti pas provës dixhitale. Por një foto në veçanti tërhoqi vëmendjen e fotografit verior. Ishte njëra ku Berluskoni buzëqeshte dhe duke bërë me shenjë me duar nga një turmë e jashtëzakonshme e mbledhur përpara sheshit Duomo në Milano. “Në radhë të parë ka gabim me diçiturën, pasi ajo foto është shkrepur në vitin 1998 dhe jo në 2008-ën, siç shkruhet në diçiturën e saj”, - thotë Vacon Sartirani. E më pas bëhet fjalë për ndërtimin e imazhit. Berluskoni mban një buqetë me lule në duar çka është montazh, por në skajet e sheshit në qendër të Milanos janë shtuar dhe disa katrorë me njerëz për të treguar se sheshi është plot. Dhe kjo pjesë është montazh. Është përdorur programi klasik “Photoshop”, pasi kuptohet shumë mirë se ata persona që ndodhen në cep të Duomos ndodhen gjithashtu brenda turmës. Por ku janë pasaktësitë e tjera? Sartirani e skanon fotografinë dhe e dërgon në blogun San Precario, ku vizitorët gjejnë të tjera “pasaktësi”. Njëri prej tyre për shembull janë flamujt e lëvizjes Forza Italia, që qëndrojnë shumë lart dhe nuk kuptohet se kush po i mban. Pastaj është parmaku i ballkonit nga flet kavalieri konturet e të cilit janë shumë të zbehta për të qenë e vërtetë”, - vazhdon Sartirani, i cili vëren ndryshime dhe në dritën që i është dhënë fytyrës së Kryeministrit të Italisë. Por kjo nuk është një praktikë e pazakontë, - thotë fotografi bergamas. Botuesi Alberto Peruzzo nuk duket se është shqetësuar. Ai do ti ketë të dhënat e para të shitjeve në duar ditën e sotme. Në treg janë hedhur 70 mijë kopje dhe ai thotë se libri do të ketë sukses. Ai thotë se për shkak të miqësisë që ka me kryeministrin vendosi të hedhë në treg një libër të tillë. “Berluskoni nuk është një shenjt, por këta po i atribuojnë përgjegjësi që nuk i takojnë”. Megjithatë, përpara se ta dërgonte librin për botim në shtypshkronjë, ai tha se ai ishte redaktuar disa herë. Ai e dinte se unë po përgatisja për të botuar një libër dhe më kërkoi të kishte një kopje përpara se të hidhej në qarkullim për të parë nëse fotot ishin në rregull”, - tregon Peruzzo, i cili nuk nguron të thotë se ishte pikërisht kryeministri, i cili i sugjeroi disa ndryshime. Çfarë doni tju them. Unë do ta kisha lënë gjithçka natyrale, por ai kërkoi të ndryshonte disa detaje të skenografisë. Pastaj, njerëzit janë mësuar ta shohin në këtë mënyrë, përndryshe nuk do ta kishin njohur”.

Ky lajm është publikuar: 04/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›