E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milo: “Tryeza e aleatëve, para negociatave te Topi”

Autori i Lajmit: S. TopiKryeministri Sali Berisha nuk është entuziast për tryezën e negociatave. Ai kërkon që ish-vartësit e tij ti konsiderojë akoma si vartës, pavarësisht nëse ata drejtojnë institucione të rëndësishme, siç është rasti i Presidentit të vendit. Kështu pohon kreu i Partisë Demokracia Sociale, në një intervistë për gazetën “Ballkan”. Milo konfirmon se gjatë këtyre ditëve, kreu i PS-së, Rama, ka vijuar negociatat individuale me krerët e partive opozitare të majta dhe të djathta, ndërsa shton se hapja e kutive të votimit do të jetë dhe një nga kushtet e negociatave.
Zoti Milo, si e konsideroni deklaratën e djeshme të kryeministrit Berisha se është i gatshëm për negociata me Ramën, por pret ftesën e presidentit Topi?
Këto janë truket e politikës shqiptare. Nëse e vutë re, deklarata e zotit Berisha u bë pas një takimi që ai pati me ambasadorin e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë dhe ambasadorin e Spanjës që është vend kryesues i BE-së për këto gjashtë muaj. Patjetër që ambasadorët kanë shkuar në zyrën e zotit Berisha për ta nxitur atë, për të mos thënë për ti bërë presion, që ai të shprehet për pjesëmarrjen e tij në tryezën e sugjeruar për tu organizuar nga zoti Topi midis palëve në konfliktin politik tashmë të njohur. Por Berisha me stilin e tij, që dëshiron të tregojë se është sa i vendosur aq edhe kryeneç, bëri një deklaratë të zakonshme dhe të stilit të tij që lëshon pak, por edhe atë çka lëshon me një frazë të dytë e vë në dyshim dhe e zhvlerëson. Këtë e bën sepse di të luajë politikisht dhe sepse do të tregojë që vajtja e tij në tavolinë është shumë e kushtueshme pra me pak fjalë, do ta shesë shumë shtrenjtë uljen në një tavolinë me zotin Rama dhe sidomos nën kryesinë e presidentit Topi, të cilin ai qëllimisht e ka neglizhuar gjatë gjithë kësaj kohe, duke u nisur nga mentaliteti i tij i njohur, i komandantit suprem, se kushdo që ka dalë nga Partia Demokratike dhe është bërë drejtues institucioni, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një vartës i tij i përjetshëm që duhet ti bindet në çdo rast e për çdo çështje. Nga kjo pikëpamje zoti Berisha lëshoi edhe frazën që ky takim duhet të përgatitet me kujdes, sepse, po qe se shkohet për një pirje kafe, atëherë kjo mund të bëhet në çdo moment. Po të analizohet me kujdes e gjithë deklarata e zotit Berisha mund të konkludojmë se ai kërkon të japë mesazhin se nuk është entuziast për këtë tryezë, kërkon të përcjellë bindjen e tij se kjo tryezë nuk do të prodhojë asnjë rezultat konkret për të zgjidhur krizën politike dhe me gjysmë zëri dhe zemre shprehu që do të shkojë në këtë tavolinë të organizuar nga presidenti Topi.
Kur do të bëhet kjo tryezë negociatash sipas jush?
Besoj se kjo tryezë do të bëhet gjatë ditëve të ardhshme para se të vijë delegacioni i nivelit të lartë të Këshillit të Evropës më 22 shkurt. Vetë ky delegacion shpreson që të marrë një rezultat në datën që do të vijë ose të marrë pjesë në fazën finale negociatore për ti dhënë fund krizës politike.
Cili është pozicioni dhe qëndrimi i partive opozitare në këtë çështje. A është diskutuar kjo gjë në takimin tuaj me zotin Rama dhe a ka pasur diskutime dhe me krerët e tjerë opozitarë?
Zoti Rama ka zhvilluar këto 3-4 katër ditë takime dhe konsultime me të gjithë kryetarët e partive të opozitës, të majtë dhe të djathtë. Pra takimi është ezauruar jo në formën e tij kolektive por në konsultime individuale për të diskutuar dhe për të marrë mendime nga kryetarët e partive të tjera opozitare. Pa dyshim që në këto takime janë diskutuar të gjitha çështjet që janë në rend të ditës për krizën politike, edhe për tryezën, edhe për bojkotin dhe për veprimet e mëtejshme të opozitës në fund të muajit shkurt apo dhe në fillim të muajit mars. Çdo gjë tani është përqendruar në përgatitjen për të marrë pjesë në negociata me qëllim që PS të shkojë në këto negociata me një platformë të qartë politike, ku do të prezantohen opsionet e saj për të kapërcyer krizën ku elementi i hapjes së kutive do të jetë i pranishëm dhe do të kërkohet që në një mënyrë ose në një tjetër të bëhet transparenca e plotë e procesit zgjedhor të 28 Qershorit pa kufizime dhe pa vënë në dyshim legjitimitetin e mandateve të fituara nga këto zgjedhje.
Ju thoni se do të kërkohet hapja e kutive atë çka deklaron vazhdimit dhe Rama, por nga ana tjetër Berisha është shprehur hapur kundër kësaj kërkese..
Zoti Berisha, si ujk i vjetër i politikës shqiptare, është i njohur për intrasigjencën e tij taktike politike që lufton dhe këmbëngul deri në momentin më të fundit përtej të cilit nuk ka më veç greminë politike. Këtë e ka dëshmuar edhe në mjaft raste të tjera gjatë këtyre 20 viteve të politikës shqiptare. Prandaj unë mendoj se ai do ta përdorë përsëri këtë stil dhe këtë metodë deri në një moment kur ai do të gjykojë se nuk ka shteg tjetër për manovra politike. Për rrjedhojë, do të gjendet një modus vivendi që edhe mishi të piqet dhe helli të mos digjet.
Si mund të gjendet ky modus vivendi?
Është i vështirë për tu arritur, sepse është në radhë të parë e vështirë politika shqiptare, e cila karakterizohet më shumë nga përplasja, nga konflikti dhe nga mungesa e kulturës politike të kompromisit dhe të marrëveshjes. Nuk është hera e parë që jemi ndodhur në situata të tilla krize, madje shumë më të thella dhe dramatike, por zgjidhjet janë gjetur. Problemi është tek çmimi, tek kostoja që ka një zgjidhje politike, e cila në raste të tjera mund të ketë qenë shumë herë më e madhe, por që besoj se nuk duhet të shërbejë si një precedent për të kapërcyer dhe këtë krizë politike që kemi aktualisht.
Kush do ta paguajë më shtrenjtë këtë kosto politike?
Duhet të zgjidhet problemi në mënyrë parimore, jo në formën e pazarit politik. Duhet gjetur një zgjidhje e atillë që të sigurojë transparencën e procesit zgjedhor të 28 Qershorit në emër të garancive dhe përmirësimeve ligjore që në zgjedhjet e ardhshme më të afërta, cilado qofshin ato, lokale ose parlamentare, të mos përsëriten të njëjtat sjellje dhe të njëjtat procedura si ato që u panë gjatë zgjedhjeve të kaluara. Mendoj që mesi i artë duhet kërkuar pa lënduar pozicionet ekstreme që kanë aktualisht të dyja forcat politike. Pra që transparenca e procesit zgjedhor të 28 Qershorit të bëhet pa kufizime, që do të thotë të hapen kutitë, por dhe që Grupi Parlamentar i PS-së të hyjë në Parlament dhe të vazhdojë jetën normale politike që i duhet vendit, shoqërisë dhe imazhit të lënduar të Shqipërisë kundrejt ndërkombëtarëve.
Pra hapja e kutive do të jetë një nga kushtet?
Patjetër.
Cilat do të jenë pikat e tjera të platformës me të cilën zoti Rama do të paraqitet në tryezën e negociatave?
Të gjitha pikat e platformës unë nuk mund ti njoh, por ajo çka unë mund tu them është se Kryetari i Partisë Socialiste është i vendosur së bashku me kolegët e tij që të vazhdojë aksionin politik të protestës shumë më fuqishëm se çka është bërë deri tani në momentin kur nuk do të ketë një zgjidhje politike të krizës deri në fund të muajit shkurt ose fillimi i marsit.
Opozita deklaron vazhdimin e protestave, por Këshilli i Evropës duket se nuk e ka mirëpritur këtë opsion, çka u deklarua dhe gjatë diskutimit të 28 janarit në Asamblenë e këtij Këshilli nga zoti Farina.....
Zoti Rama dhe opozita shqiptare nuk i kanë të gjithë miq dhe mbështetës në Asamblenë e Këshillit të Evropës. Madje një shumicë e tyre janë kundërshtarë politikë dhe mbështesin zotin Berisha dhe partinë e tij të krahut konservator. Kështu që asnjëherë nuk mund të pritet që një përfaqësues i së djathtës evropiane të mund të mbështesë një parti të së majtës evropiane. Këto rreshtime politike kanë vlerë edhe për Evropën edhe për Këshillin e Evropës edhe për Parlamentin e Bashkimit Evropian, sepse janë rregulla bazë të funksionimit të institucioneve politike. Prandaj, mendoj se këto deklarata, si nga e majta si nga e djathta, në këto raste duhet të merren me një farë rezerve se kanë dhe ato brenda një subjektivizëm politik.
Do të ketë një tryezë të përbashkët të aleatëve opozitarë, para se të nisin negociatat me mazhorancën?
Kemi biseduar që të vazhdojmë të jeni në kontakte që do të thotë që bisedimet mund të jenë paraprake dhe mund të ketë dhe një konsultim përpara se të hapet tryeza e negociatave.
Partia Socialiste ka diskutuar mundësinë e çuarjes në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së mandateve. Sa e mundur është kjo gjë?
Nuk e besoj se mund të jetë tani për tani një opsion i PS-së.
Në Partinë Socialiste në këtë moment ka shumë mendime pro dhe kundër. Disa deputetë janë pozicionuar qartë kundër. A rrezikon selia rozë një përçarje?
Nuk e besoj se divergjencat brenda Partisë Socialiste për hyrjen e Grupit Parlamentar në Kuvend të mund të thellohen. Shpresoj se do të gjendet një zgjidhje për ta zbutur konfliktin e krijuar duke e lënë pastaj çështjen në vullnetin e individëve politikë brenda Grupit Parlamentar të PS-së për të gjykuar e vepruar. Mendoj se do të bëhen përpjekje përmes një veprimi politik të momentit të duhur që të 5 deputetët e PS të mos e realizojnë në mënyrë unilaterale projektin e tyre të hyrjes në Parlament.
Për të kaluar tek puna e Qeverisë në këto muaj si e konsideroni vendimin e Këshillit të Ministrave për të ndryshuar ligjin e SHISH?
Zoti Berisha, nga përvoja e gjatë e politikës, ka dëshmuar se ka një dashuri të madhe dhe të veçantë për institucionet e drejtësisë dhe të informacionit. Është politikan, qeveritar dhe shtetar që jeton me detajet informative. Ka një kërshëri të dijë gjithçka dhe për këdo dhe, me sa duket, kjo nuk është vetëm një aspekt i programit të tij politiko-qeverisës, por është dhe një tipar i karakterit të tij si njeri që mund ta interpretosh edhe si një deformim ose edhe si një sëmundje profesionale për shkak të profesionit të tij të dikurshëm si kardiolog që nënkuptonte njohjen në detaje të motorit të ekzistencës së njeriut.
Zoti Milo, si e vlerësoni qëndrimin e fundit të mazhorancës kundrejt Gjykatës Kushtetuese për ligjin e dosjeve, por dhe për paktin detar me Greqinë, qëndrime këto mjaft të ndryshme?
Partia Demokracia Sociale ishte në mes të partive nënshkruese që e kontestuan marrëveshjen për kufirin e ujërave territoriale. Unë do ti sugjeroja Qeverisë me këtë rast, që pas deklaratave me gjysmë zemre dhe gjysmë zëri që bëri duke pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të jetë e kujdesshme që negociatat e reja që mund të fillojnë me palën greke ti zhvillojë jo në emër të revanshit politik me baza inatçore për të vënë në vend të ashtuquajturin nder të humbur, por ti zhvillojë me kujdes, me profesionalizëm dhe mbi baza barazie, me qëllim që të arrihet në një marrëveshje transparente, të drejtë, të balancuar dhe afatgjatë. Kjo sigurisht që kërkon tërheqjen e mendimit të specializuar të njerëzve që nuk mungojnë dhe që në këto muaj debatesh dëshmuan se kanë njohuri të thella profesionale dhe që mund të kontribuojnë shumë në përpunimin e qëndrimit të specializuar shqiptar dhe në arritjen e një marrëveshjeje të plotë, por edhe të nevojshme dhe të ndershme për të dyja palët.
Ndërsa paralajmërimi për të çuar në Gjykatën e Strasburgut ligjin e dosjeve ose edhe për të bërë një referendum për këtë çështje, mendoj se është një reagim në inat e sipër për vendimin që mori Gjykata Kushtuese dhe nuk besoj se do të mund të procedohet, sepse kur të rikthehet qetësia dhe ekuilibri në mendjen e atyre që artikuluan këto deklarata, do të mendohen mirë se harxhojnë kohë dhe energji për çështje tashmë të kapërcyera dhe të arkivuara në jetën e politikës dhe shoqërisë shqiptare.
Bisedoi: Suela Topi

Ky lajm është publikuar: 05/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›