E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli në Vjenë: Shqipëria nuk lejoi që kriza të dëmtonte gruan

 

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, mori pjesë në takimin e 5-të ndërkombëtar të kryeparlamentareve gra, që u organizua në Vjenë nën kujdesin e kryetares së Parlamentit të Austrisë, znj. Barbara Prammer. Në fokus të debatit ishte lufta ndaj dhunës kundër grave dhe kriza ndërkombëtare, si çështje që ndikojnë në përkeqësimin e pozicionit të gruas në çdo vend, pavarësisht zhvillimit social të saj. Sipas njoftimit për shtyp të zyrës së Kuvendit, bëhet e ditur se kryetarja e Kuvendit gjatë fjalës së saj në këtë takim ndërkombëtar argumentoi se, “kriza ekonomike ndërkombëtare dëmton, së pari, gratë për shkak të pozicionit të tyre të pabarabartë, veçanërisht në tregun e punës, duke ofruar modelin e Shqipërisë, e cila sipas saj ka arritur të ruajë ritmet e rritjes ekonomike”. Dhuna kundër grave dhe kriza financiare ndërkombëtare u identifikuan si çështje që ndikojnë në përkeqësimin e pozicionit të gruas në çdo vend, pavarësisht zhvillimit social dhe ekonomik të tij. Në fokus të debatit ishte domosdoshmëria e një vizioni të ri për të shmangur pasojat e krizës me masa, që, vërtet kanë qëllime të mira, por prej të cilave gratë nuk përfitojnë. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë argumentoi se kriza ekonomike ndërkombëtare dëmton, së pari gratë për shkak të pozicionit të tyre të pabarabartë, veçanërisht në tregun e punës. Kryetarja e Parlamentit shqiptar duke folur për masat që Shqipëria ka marrë për minimizimin e efekteve të krizës, i paraqiti panelit modelin e Shqipërisë si një vend, që nëpërmjet zbatimit të një paketë të guximshme fiskale dhe dyfishimit të të ardhurave, edhe nga lufta kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal, ka realizuar rritjen më të madhe ekonomike në Evropë, duke ndikuar në mirëqenien e familjes shqiptare dhe, në mënyrë të veçantë, të gruas. Në fjalën e saj, Topalli theksoi se ndryshimi nuk duhet të vijë vetëm nëpërmjet politikave protektive për gratë, por, para së gjithash, ndryshimi vjen nga ajo ç’ka gratë bëjnë për vetveten. Në takimin me homologet e saj, Jozefina Topalli e vlerësoi si një arritje thelbësore të demokracisë shqiptare dyfishimin e numrit të deputeteve gra, duke u shprehur optimiste edhe për rritjen e numrit të grave në qeverinë e ardhshme. Gjatë takimit në Vjenë, kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë ndau me koleget e saj përvojën e një turi dyvjeçar në mbështetje të grave dhe ndërgjegjësimit për rolin që ato duhet të luajnë në shoqëri. “Unë kam ndjerë dhe kuptuar, nënvizoi Topalli, se energjia, përkushtimi, pasioni i gruas janë vlera të jashtëzakonshme, të cilat sjellin progres dhe unë jam e sigurt se ne të gjitha ndajmë të njëjtën ndjesi dhe përvojë se gratë janë një thesar, por jo tërësisht i zbuluar nga shoqëria”. Takimi i 5-të i kryeparlamentareve në Vjenë vlerësoi si prioritare partneritetin me median në përballimin e kësaj sfide në Objektivat e Mijëvjeçarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›