E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Ja kushtet për dialog me mazhorancën

TIRANË-Deputeti i PS, Ditmir Bushati bëri të ditur sot se PS është e gatshme t’i hapë rrugë dialogut me mazhorancën ashtu sic apelojnë ndërkombëtarët, por me disa kushte.
“Për të dialoguar me opozitën Saliu duhet të heqë dorë nga vjedhja e mandatit tonë në Tiranë, të respektojë shtetin e së drejtës dhe institucionet ndërkombëtare, pastaj të nxjerrë nga sirtari i pluhurosur rezolutën tonë për Kuvendin të propozuar. Përmbushja me rigorozitet e tyre sikundër prioriteteve të tjera do t’i hapte rrugën procesit të shtetndërtimit”, bëri të ditur në konferencën për shtyp, Ditmir Bushati.

Duke falenderuar në emër të PS angazhimin e ndërkombëtarëve për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, Bushati theksoi se dhe selia rozë I bashkohet linjës për përfundimin e procesit zgjedhor të nisur prej 1 muaji.

Më tej Bushati vuri në dukje se konkluzionet e ndërkombëtarëve flasin qartë se Berisha e tjetërsoi rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë.
“Farsa që vijon të shfaqet para syve tanë nga tavolina e Ristanit në KQZ, përdorimi politik i Kolegjit Zgjedhor, i cili nuk vuri në vend drejtësinë e kërkuar dhe mospranimi i ekspertizës ndërkombëtare nga ana e qeverisë prej një institucioni prestigjioz si Komisioni i Venecias, siç i ka hije një vendi e shoqërie Europiane, përbëjnë vetëm disa prej fakteve se përse zgjedhjet nuk përmbushen standardet e njohura ndërkombëtarisht për zgjedhje demokratike”.

"Qëndrimet e Bashkimit Europian të ripërsëritura në mënyrë konstante nga Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme Baronesha Ashton dhe Komisioneri për Zgjerimin Fule tregojnë qartë se për shkak të manipulimit të vullnetit të popullit në tavolinë, e për rrjedhojë të përkeqësimit të krizës politike dhe rrënimit të garancive kushtetuese, Shqipëria nën pushtetin e Saliut renditet në vagonin e fundit të trenit të integrimit europian", deklaroi nder te tjera Bushati duke shtuar se eshtë koha që të dëgjohet apeli i partnerëve ndërkombëtarë e të ndalet farsa me mandatin e kryetarit të bashkisë së Tiranës.
 
Sipas PS, farsa që zhvillohet në tavolinën e Ristanin ka për qëllim të varrosë një njëherë e përgjithmonë pasjen e një procesi zgjedhor të ndershëm.

"Atdheu sot është në udhëkryq dhe larg jetësimit të projektit Europian, pasi Saliu çdo ditë po e dëshmon hapur se projekti i tij nuk është një Shqipëri e re, moderne dhe funksionale në Bashkimin Europian, por një Shqipëri e kapur me zinxhirët e interesave politikë dhe ekonomikë të oborrit të tij. Po aq e pashpresë, e vjetër dhe cinike është edhe oferta e tij për opozitën për shkëmbim pushtetesh ndërkohë që farsa që zhvillohet në tavolinën e Ristanit në KQZ ka për qëllim të varrosë besimin e qytetarëve tek një proces zgjedhor i drejtë e i ndershëm".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›