E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Jo bashkëpunim me një pushtet të vjedhur

Opozita radikalizon pozicionin. Balla: Pa transparencë s’ka reforma

Hapja e kutive të 28 qershorit, si kërkesë e opozitës së majtë, po transformohet në kusht përcaktues për kursin e reformave në Shqipëri. Pavarësisht evoluimit të situatës politike, kushteve dhe rrethanave që krijoi periudha pas grevës së urisë, qëndrimi i Partisë Socialiste në raport me shumicën në pushtet po i përmbahet me vendosmëri pretendimit për transparencë të zgjedhjeve. Në këtë kuadër, deputeti i saj, Taulant Balla, ka dhënë dje një përgjigje domethënëse për sa i përket ftesës së një dite më parë të Kryeministrit Sali Berisha lidhur me bashkëpunimin pozitë–opozitë për ligjet organike. “Si një Mugabe në mes të Europës, në vend që të reflektonte për qorrsokakun ku e ka futur vendin, Sali Berisha u tregua edhe një herë një hipokrit i pandreqshëm, duke ftuar opozitën për bashkëpunim. Të harrosh krimin elektoral të 28 qershorit, do të thotë të harrosh se në Shqipëri do të ketë ndonjëherë zgjedhje të lira e të ndershme. Sali Berisha duhet ta ketë të qartë se është në moralin dhe përgjegjësinë tonë para shqiptarëve, por edhe angazhim përkundrejt institucioneve europiane, për ta çuar deri në fund kauzën e transparencës së zgjedhjeve. Në emër të këtij morali dhe të kësaj përgjegjësie ne nuk mund t’i shtrijmë dorën e bashkëpunimit një pushteti të vjedhur”, deklaroi Balla. Në çdo pikëpamje, qoftë edhe duke u parë si negociata dypalëshe, qëndrimet e kësaj natyre zbulojnë se forca imponuese e Partisë Socialiste konsiston në numrin e vendeve që kontrollon në Parlament. Oferta e Berishës për reforma, edhe pse nënkupton taktikën e braktisjes së transparencës për 28 qershorin, në vetvete është pasqyrim i realitetit politik, i cili i jep opozitës atributin e forcës përcaktuese. Rrjedhimisht, cilido qoftë ligjërimi publik i saj, duket se projektimi i luftës parlamentare në logjikën e kushtëzimit dhe bllokimit të qeverisjes po përkufizohet si pika dominuese e selisë rozë. Gjithsesi, zërat për radikalizim të sjelljes politike të saj nuk kanë munguar dhe në këtë kontekst edhe dje është dhënë një sinjal konkret. Nënkryetari i grupit parlamentar, Saimir Tahiri, deklaroi në mediat televizive se një opsion i hapur mbetet edhe bojkoti i seancës plenare, ku pritet votimi i dekreteve të Presidentit Topi për anëtarët e Gjykatës së Lartë, për shkak të ndryshimeve të rregullores së Kuvendit që përcaktojnë votim të hapur në seancë. Edhe pse formalisht ai ka argumentuar se për këtë gjë do të jetë grupi parlamentar që do të vendosë, duhet nënvizuar se deklarime të kësaj natyre flasin për ngjizjen e mendimit për rifillimin e lëvizjeve të forta. Kështu, vetëm dy ditë më parë, sekretari organizativ, Blendi Klosi, ka hedhur idenë e bojkotit parlamentar dhe rifillimit të lëvizjeve të rrugës, çka mbetet për t’u vendosur në forumet e partisë. Lidhur me riadaptimin e kësaj politike, duket se brenda PS-së po gjallojnë mendime të ndryshme për sa kohë deputetë të saj kanë preferuar të presin zhvillimin e mbledhjes së grupit sot në mesditë. “Nuk ka ende asnjë vendim, por vetëm deklarata personale”, thanë për “Shqip” burime nga ekipi kuvendor socialist. Thënë ndryshe, radikalizimi i mundshëm i veprimeve politike të PS-së mbetet ende në stadin informal të një debati mediatik, por që pavarësisht kësaj bën me dije se ai mbetet po aq aktual në axhendën e saj sa edhe disiplinimi politik në jetën institucionale.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›