E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lagjja në qendër të qytetit përmbytet pas çdo shiu

Burrel

Lagjja “Pjetër Budi” në qytetin e Burrelit përmbytet nga ujërat sa herë që bie shi. Ky është një problem ndër vite për banorët e kësaj lagjeje, nga më të mëdhatë në qendër të qytetit të Burrelit. Banorët ankohen se në ditë me reshje shiu duhen çizme për të hyrë në pallatet e banimit. Banorët tregojnë se pellgjet e ujit që krijohen, rrinë me ditë të tëra edhe pas ndërprerjes së reshjeve. Ujërat e ndenjur prej ditësh kthehen në vatra ndotjeje, duke u bërë një rrezik permanent epidemish infektive për banorët. Më të rrezikuar mbeten fëmijët, që në mungesë të fushave dhe këndeve të lojërave janë të detyruar të luajnë në këto pellgje uji para pallateve të tyre të banimit. Banorët ironizojnë se për të hyrë në shtëpi atyre u duhet ndërtuar një urë. Ndërkohë thonë se më në vështirësi vihen kur ka raste vdekjesh dhe njerëzit që vijnë për ngushëllim, si dhe ata që nxjerrin xhenazen, duhet të jenë të pajisur me çizme. Sipas banorëve, mësohet se përmbytja e lagjes së tyre nga vërshimet e ujërave të bardha në ditë me reshje është një problem shqetësues për ta prej pesë vitesh. Banorët pohojnë se herë pas here kanë kërkuar pranë Bashkisë së Burrelit ndërhyrjen me fonde investimi për sistemimin e ujërave të bardha, por deri më tani kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›