Meta: Do hapim 6 mijë vende pune në naftë
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, i shoqëruar nga nënkryetari dhe kandidati që udhëheq listën e kandidatëve të LSI në Fier, Dritan Prifti, si dhe nga kandidatët e tjerë të këtij qarku, zhvilluan takime në Zharrë dhe në Portëz të rrethit të Fierit. Gjatë vizitës në Zharrë, Meta dhe Prifti vizituan zonën e puseve, e cila është krejtësisht e ndotur nga puset e naftës që vazhdojnë të funksionojnë nëpërmjet teknologjive të vjetra dhe të konsumuara. Kreu i LSI garantoi se me ardhjen në pushtet pas 28 Qershorit, LSI do të investojë jo vetëm për të mbrojtur shëndetin e banorëve, të cilët jetojnë në këto zona, por edhe për të bërë të mundur hapjen e 6 mijë vendeve të reja pune në sektorin e naftës. Gjatë takimit me banorët e Zharrë, Meta theksoi se dua të shpreh mirëkuptimin më të plotë për këtë problem dhe vështirësi që ka komuniteti juaj dhe është për të ardhur keq që nuk investohet për të mbrojtur shëndetin e banorëve të Zharrës dhe gjithë këtyre komuniteteve, ku ekzistojnë puse të tilla me teknologji të vjetër. I gjithë programi ynë mbështetet mbi logjikën ekonomike, por dhe mbi dimensionin social, sepse jemi forcë e majtë, progresiste, jemi forcë, e cila garanton një rritje shumë më të madhe ekonomike dhe të qëndrueshme, e cila kthehet në dobi tek të gjithë shqiptaret dhe jo një rritje ekonomike që të shkoje në favor të Fazlliçit apo miqve të tjerë të Berishës, por një rritje ekonomike që të shkojë tek njerëzit, që kanë më shumë probleme.
Dhe ajo që është më e rëndësishmja, u shpreh kreu i LSI, ne do të garantojmë investime, të cilat kanë një teknologji të përparuar dhe që shoqërohen me zgjidhjen e pasojave për ndotjen e mjedisit dhe shëndetin e komunitetit tuaj. Ne kemi një program të qartë dhe jemi të vendosur që të ecim përpara në këtë drejtim, sepse kjo është një pasuri kombëtare, e cila duhet të kthehet në një burim mirëqenie për gjithë vendin, por në radhë të parë për ata që jetojnë mbi këtë pasuri. Nënkryetari i LSI dhe kandidati që udhëheq listën e kandidatëve për deputetë të LSI për Fierin, Dritan Prifti u shpreh se pas 28 qershorit, nuk do të lejohen më këto lloj ndotjesh të ambientit, nuk do të lejohet më që gazi dhe nafta të shkojnë për të dëmtuar shëndetin e qytetarëve tanë, nuk do të lejohet më të largohen nga puna 1000 apo 1500 naftëtarë për interesat e ngushta të një kompanie private, nuk do të lejohen më që këta naftëtarë të këtyre zonave, të mos përfitojnë punësim nga kjo lloj industrie.