E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërkombëtarët skicojnë 3 opsione për t’i dhënë fund krizës në Shqipëri

Në fillim të shkurtit, delegacion nga Asambleja në Shqipëri
Eljona Ballhysa
Në datën 28 janar, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës do të miratojë një nga tre opsionet e propozuara nga raporterët për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Në draft-rezolutën e paraqitur në Asamble, dy raporterët e KE-së,
Jaakko Laakso nga Finlanda, përfaqësues i grupit të majtë në Asamble, dhe David Wilshire, nga Mbretëria e Bashkuar, përfaqësues i grupit të djathtë, i kanë propozuar Asamblesë tri variante, A, B dhe C për përbërjen e delegacionit ndërkombëtar që do të vizitojë Tiranën zyrtare në fillim të muajit shkurt. Ky delegacion do të zhvillojë takime bilaterale me aktorët dhe faktorët kryesorë politikë dhe synimi i vizitës së tij është që të nxisë politikën shqiptare që të organizojë një tryezë dialogu mes palëve në mënyrë që t’i jepet fund krizës politike në vend.
Opsionet
Në paragrafin e fundit të draft-rezolutës së përgatitur nga raporterët e Këshillit të Europës propozohen tri opsionet që priten në diskutohen në Asamblenë Parlamentare dhe të miratohet një prej tyre. “Në mënyrë që të mbështesim procesin e pajtimit të partive politike në Shqipëri dhe të ndihmojmë Presidentin Topi në rolin e mediatorit për të rivendosur dialogun politik, Asambleja duhet të marrë qëndrimin e Komitetit të Ministrave dhe të grupeve parlamentare që të përdorin influencën e tyre mbi partitë politike në Shqipëri. Përsa i përket pjesës sonë, si bashkëraportues të Komitetit të Monitorimit, ne urojmë që të bashkëpunojmë me komunitetin ndërkombëtar, duke përfshirë edhe përfaqësuesit diplomatikë të Këshillit të Europës në Tiranë. Nëse kriza vazhdon ne shpresojmë se Asambleja do të miratojë një nga opsionet e mëposhtme: (Opsioni A: takim të liderëve të grupeve politike, p.sh. takimin e liderëve të Partive Popullore Europiane (grupi i djathtë) dhe të liderëve të Grupit Socialist në Asamblenë e KE-së); (Opsioni B: takim me liderët e të gjitha grupeve politike në Asamble); (Opsioni C: mbledhjen e Komitetit Presidencial); për të vizituar Shqipërinë së bashku me bashkëraporterët e Komitetit të Monitorimit”, shkruhet të propozimin që raporterët i bëjnë Asamblesë. Në seancën e datës 28 janar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës do të miratojë njërin nga opsionet, duke përcaktuar dhe nivelin e delegacionit që do të vizitojë në fillim të muajit të ardhshëm Shqipërinë.
Rezoluta
Në draft-rezolutën me titulli “Për funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri”, bashkëraporterët Jaakko Laakso dhe David Wilshire u bëjnë thirrje qeverisë shqiptare dhe opozitës që t’i japin fund krizës aktuale politike dhe të marrin përgjegjësitë që u takojnë në mënyrë që të vazhdojnë me reformat vitale. Ata sugjerojnë që qeveria të ngrejë menjëherë, pa vonesë, një komision parlamentar që të hetojë zgjedhjet e 2009-s dhe opozita duhet të kthehet në Kuvend për të marrë pjesë në punimet e tij. “Autoritetet shqiptare duhet të përmirësojnë paketën ligjore për zgjedhjet në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias. Në këtë kuadër, presidenti Topi duhet të luajë rolin e tij të negociatorit dhe të ndihmojë t’i jepet fund bojkotit që është bazuar në mospranimin e rezultatit të zgjedhjeve. Komiteti i Monitorimit propozon që anëtarë të Asamblesë të vizitojnë sa më shpejt Shqipërinë, pas sesionit dimëror parlamentar të Asamblesë”, - shkruhet që në pjesën e parë të raportit.

Opsionet
Opsioni A: Takim të liderëve të grupeve politike, p.sh. takimin e liderëve të Partive Popullore Europiane (grupi i djathtë) dhe të liderëve të Grupit Socialist në Asamblenë e KE-së;
Opsioni B: Takim me liderët e të gjitha grupeve politike në Asamble;
Opsioni C: Mbledhjen e Komitetit Presidencial;
Përcaktimi i delegacionit për të vizituar Shqipërinë së bashku me bashkëraporterët e Komitetit të Monitorimit në fillim të muajit shkurt

Kërkesat e PS-së për t’i dhënë fund bojkotit:

Miratimi i një ligji të veçantë që i hap rrugën hetimit të zgjedhjeve.
Ngritjen e një komisioni të posaçëm me prezencën e OSBE/ODIHR-it që do të drejtohet nga opozita, e cila do të jetë në maxhorancë në këtë komision.
Garantimi e së drejtës për të bërë transparencën e dëshmive për parregullsi gjatë procesit zgjedhor.
Identifikimin e përgjegjësve, zyrtarëve nga Ministria e Drejtësisë ose nga Drejtoria e Burgjeve, që kanë dhënë urdhër për të liruar të burgosurit gjatë periudhës zgjedhore.
Rikthimin në postet e tyre të nëpunësve të shtetit në pushtetin qendror dhe vendor, që janë hequr nga puna pasi mbështetën PS-në.
Ndryshime ligjore për të siguruar balancën mes qeverisë dhe opozitës në Këshillin Kombëtar të RTV.
Transparencë në zbardhjen dhe investigimin e vrasjes së deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, me pjesëmarrjen e hetuesve ndërkombëtarë të pavarur.

Maxhoranca e vendosur, nuk pranon hapjen e kutive

Në një kohë kur ndërkombëtarët kanë shtuar presionet për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, maxhoranca vazhdon të mos ndryshojë qëndrim. Pavarësisht se kërkesa primare e opozitës është hetimi i procesit zgjedhor dhe hapja e kutive të votimit në ato zona ku ata pretendojnë se ka pasur manipulim në procesin e numërimit të votave, përfaqësuesit kryesorë të PD-së shprehen kundër kësaj kërkese. Ata vazhdojnë të deklarojnë se janë të hapur për dialog dhe për hetim parlamentar, por me kusht që të mos hapen kutitë e votimit. Kjo, sipas përfaqësuesve të qeverisë dhe të PD-së, bie në kundërshtim me kushtetutën e vendit, për shkak se Kolegji Zgjedhor ka vendosur me vendim të formës së prerë përsa i përket kutive të votimit dhe rinumërimit të votave. Sipas demokratëve, Parlamenti nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave, ndaj dhe kërkesa e PS-së nuk mund të zbatohet. Pas publikimit të draft-rezolutës së raporterëve të KE-së, përfaqësuesit më të lartë të qeverisë dhe të PD-së e përshëndetën atë dhe i bënë thirrje opozitës të futet në Kuvend dhe të ngrenë komisionin hetimor parlamentar për të hetuar të gjitha parregullsitë e procesit zgjedhor me kusht të mos hapen kutitë e votimit. Por kjo nuk pranohet nga PS-ja.

OSBE: Vendimet e Kolegjit për zgjedhjet, të nxituara

Në raportimin e Zyrës së OSBE-së në Shqipëri para Këshillit të Përhershëm në Vjenë, për herë të parë janë vlerësuar si të nxituara vendimet e Kolegjit Zgjedhor. Ambasadori i kësaj organizate në Tiranë, Robert Bosh, ka informuar strukturën më të lartë të OSBE-së për gjendjen në vendin tonë, ecurinë e reformave dhe të ardhmen e kësaj organizate. Në qendër të raportit kanë qenë zgjedhjet parlamentare, hyrja e Shqipërisë në NATO dhe paraqitja e kërkesës së qeverisë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Duke përmendur “përmbushjen e shumicës së angazhimeve ndaj OSBE-së” dhe “progresin e prekshëm” që shënuan zgjedhjet e 28 qershorit, për herë të parë ambasadori Bosh konstaton një fakt në lidhje me vendimet që dha Kolegji Zgjedhor. “Ndonëse seancat e Kolegjit Elektoral, në vetvete, u mbajtën përgjithësisht në mënyrë profesionale, vendimmarrja u duk disi e nxituar”, - tha Bosh para Këshillit të Përhershëm. Ky qëndrim shënon një ngjyresë ndryshe nga qëndrimi i mëparshëm, apo edhe raporti i OSBE/ODIHR-it, duke pasur parasysh edhe denoncimet e bëra nga opozita dhe media për presione të mëdha nga ana e qeverisë ndaj anëtarëve të Kolegjit në momentin e shqyrtimit të apelimeve. Në skanerin e bërë për procesin zgjedhor janë konstatuar të drejta disa pretendime të opozitës, ndonëse pa faktime konkrete, presionet ndaj administratës dhe pushimet nga puna, lirimi i të dënuarve para ditës së votimeve, apo mosnumërimi i disa kutive të votimit. Në mbyllje të raportimit, ambasadori Bosh e konsideron shumë të rëndësishëm për vendin vitin 2010.

25 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›