E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i Topallit: Fut Islamin në delegacionin shqiptar në Strasburg

Mes emrave të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KE-së, edhe deputeti socialist
Albert Gjoka

Kuvendi i Shqipërisë bën një tjetër shkelje në marrëdhëniet me Këshillin e Europës. Në listën e delegacionit parlamentar shqiptar që i është dërguar zyrtarisht Strasburgut, është përfshirë edhe deputeti socialist, Kastriot Islami, emri i të cilit figuron në grupin e deputetëve që do t’u nënshtrohen procedurave të verifikimit të kredencialeve nga Asambleja Parlamentare e KE-së. Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga zhvillimi i Sesionit të Zakonshëm të kësaj Asambleje, Kuvendi i Shqipërisë përfaqësohet nga 6 deputetë, ndërsa dy vende të tjera janë bosh për shkak të bojkotit të opozitës. Presidenca e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës publikoi dje listën e përfaqësuesve dhe zëvendësuesve për çdo delegacion, që pritet t’u nënshtrohet procedurave të verifikimit të kredencialeve. Për çudi, në listën e delegacionit shqiptar figuron edhe deputeti socialist, Kastriot Islami, së bashku me Shpëtim Idrizin, Lajla Përnaskën, Ilir Rusmalin, Mesila Dodën dhe Arenca Trashanin. Prania e deputetit socialist në këtë listë është një shkelje flagrante procedurash nga Kuvendi i Shqipërisë, pasi ai nuk ka bërë betimin si deputet dhe nuk u është nënshtruar procedurave në komisionet e Kuvendit dhe nuk është votuar në seancë për të marrë të drejtën e përfaqësimit në një organizatë të tillë parlamentare.

Lista
Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ka paraqitur listën e delegacioneve të parlamenteve të shteteve anëtare, të cilat do t’iu nënshtrohen verifikimit të kredencialeve. Në Sesionin e Zakonshëm të Asamblesë së Këshillit të Europës do të jepet vendimi për vlefshmërinë e përfaqësuesve dhe zëvendësuesve të anëtarëve të delegacioneve për secilin vend. Me fillimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë, dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, Kuvendi dërgon listën e re të anëtarëve të grupit që përfaqësojnë vendin tonë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Por, burimet zyrtare pohojnë se në kryetarja e Kuvendit, zonja Topalli, bashkë me emrat e deputetëve të djathtë, ka përfshirë edhe deputetin socialist Kastriot Islami, i cili nuk ka bërë ende betimin për t’i konsideruar, sipas Kushtetutës, deputetë. Po ashtu, Islami nuk u është nënshtruar procedurave në Byronë Parlamentare, në komisione, në grupe dhe nuk është miratuar në seancë me votim të hapur. Lista e dorëzuar nga Kuvendi i Shqipërisë në Strasburg do t’iu nënshtrohet procedurave të verifikimeve të kredencialeve nga Asambleja Parlamentare e KE-së, e cila i miraton të gjithë anëtarët e delegacioneve. Sipas dokumentit që presidenti i ka dorëzuar Asamblesë, në raste të kontestimeve të anëtarëve të çdo delegacioni, atëherë ka komisione të posaçme, të cilat merrem me to dhe vlefshmëria e kredencialeve të tyre përcaktohet sipas kuadrit rregullativ. “Në rast objeksionesh apo kontestimesh, kredencialet e kontestuara do t’u përcillen komisioneve pa debat, të cilat do të raportojnë pas Asamblesë, në mbështetje të neneve 7 dhe 8 të Rregullave të Procedurës”, - thuhet në letrën përcjellëse që presidenti i ka dërguar dje Asamblesë Parlamentare për “verifikimin e kredencialeve të përfaqësuesve dhe zëvendësuesve” të delegacioneve nga secili vend anëtar i Këshillit të Europës. Sipas tij, aktualisht përfaqësia shqiptare ka dy vende ende të paplotësuara për shkak të bojkotit të Partisë Socialiste në Kuvend. Por, ligjërisht, do të duhej të ishin tri vende bosh.

Procedurat
Me fillimin e legjislaturës së re, Kuvendi i Shqipërisë nis procedurat për miratimin e listave të reja të anëtarëve të delegacioneve në Asambletë Parlamentare të OSBE-së, Këshillit të Europës dhe Nismës së Bashkëpunimit të vendeve të Detit të Zi. Procedurat kalojnë në Byronë Parlamentare. Sipas nivelit të përfaqësimit, çdo grup parlamentar dorëzon emrat e anëtarëve të delegacioneve respektive. Duke iu referuar Rregullores, kryetarja e Kuvendit i paraqet listën e të gjithë anëtarëve të delegacioneve në seancë, ku bëhet votimi i hapur. Aktualisht, vetëm deputetët e maxhorancës e kanë kaluar këtë procedurë, ndërsa opozita ka bojkotuar Kuvendin që në fillimin e punimeve të legjislaturës, në shtator 2009. Për rrjedhojë, ajo nuk është e përfaqësuar ligjërisht as në delegacionet parlamentare të Shqipërisë në strukturat ndërkombëtare. Tashmë, problemi i mandatimit të Kastriot Islamit si pjesëtar i delegacionit në Strasburg do të jetë çështje e Asamblesë Parlamentare të KE-së dhe e komisioneve të saja, të cilat do të verifikojnë në detaje kredencialet e tij.

Beteja e dytë e Topallit me Strasburgun

Vetëm një vit më parë, kryeparlamentarja Jozefina Topalli u vu në shënjestër të debateve dhe verifikimit të procedurave nga struktura parlamentare e Këshillit të Europës. Me një vendim të papritur, Topalli i dërgoi shkresë Presidencës së Asamblesë Parlamentare të KE-së, duke shkarkuar nga detyra kryetarin e delegacionit shqiptar, zotin Aleksandër Biberaj. Biberaj në atë periudhë ishte njëherësh edhe një nga nënkryetarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Pas ankesës që bëri deputeti i PD-së në lidhje me shkarkimin nga kryesimi i delegacionit, Asambleja ngriu përkohësisht kredencialet me përfaqësinë shqiptare. Asokohe, Kastriot Islami, një nga anëtarët e delegacionit tonë, e konsideroi vendimin e kryetares së Kuvendit një akt të paprecedentë, gjë që nxin imazhin e Shqipërisë në strukturat e Këshillit të Europës. Kuvendi dërgoi më pas të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga autoritetet parlamentare të Strasburgut, ku paraqiteshin dokumentet e zëvendësimit të drejtuesit të delegacionit Aleksandër Biberaj me deputetin Ilir Rusmali. Një zëvendësim i tillë, kaq i papritur, u interpretua nga mediat si një përplasje mes rrymave të ndryshme brenda Partisë Demokratike, por edhe si një konflikt i drejtpërdrejtë mes zonjës Topalli dhe deputetit Aleksandër Biberaj. Tashmë, ky është incidenti i dytë i kryetares së Kuvendit me Strasburgun, ku kësaj radhe është shumë e vështirë të justifikosh të qenit anëtar i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KE-së të zotit Kastriot Islami, i cili, sipas Kushtetutës së Shqipërisë, ai ende nuk e ka mandatin e deputetit.

Islami: “Nuk do të shkoj në Strasburg”

Deputeti socialist, Kastriot Islami, ka deklaruar për “Albania-n” se nuk do të shkojë në Strasburg për të marrë pjesë në sesionin e radhës së Asamblesë Parlamentare të KE-së. Ai ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjes nëse e ka miratuar kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë që të përfshihej në listën që do të dërgohej te Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KE, e cila më pas do t’iu nënshtrohej procedurave të tjera të verifikimit të kredencialeve, bashkë me deputetët e tjerë të maxhorancës. Zoti Islami ka qenë në legjislaturën e kaluar pjesë e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Madje ai është përfshirë edhe në misionet e kësaj organizate në disa vende, në cilësinë e vëzhguesit apo të mediatorit, si i dërguar special i Strasburgut.

Raporterët e KE-së: Bojkoti i opozitës bllokon formatimin e delegacionit

Në draft-rezolutën e Këshillit të Europës që pritet të miratohet në Asamblenë Parlamentare në sesionin e datës 28 janar, ndër problemet e shumta që kanë ngritur raporterët është edhe konstituimi i delegacionit parlamentar të Shqipërisë në këtë organizatë. Kjo për shkak të bojkotit të Kuvendit nga opozita dhe pamundësisë që ajo të ketë përfaqësuesit e saj në këtë delegacion.
“Veçanërisht, na vjen keq se marrëdhëniet e Shqipërisë me Asamblenë Parlamentare të KE-së janë të dëmtuara nga pamundësia e Parlamentit për të caktuar një delegacion të ri, pasi anëtarët e delegacionit të vjetër, të cilët i përkasin opozitës, nuk marrin pjesë në aktivitetet e Kuvendit dhe të komisioneve të tij”, - thuhet në një ndër pikat e draftit të rezolutës së raporteve të Këshillit të Europës.

DELEGACIONI SHQIPTAR NE AP TË KE-së
Anëtarët e Shqipërisë

Përfaqësuesit
Shpëtim Idrizi (Partia për Drejtësi dhe Unitet)
Lajla Përnaska (Partia Demokratike)
Ilir Rusmali (Partia Demokratike)
(Vend bosh i PS-së)

Zëvendësuesit
Mesila Doda (Partia Demokratike)
Kastriot Islami (Partia Socialiste)
Arenca Trashani (Partia Demokratike)
(Vend bosh për opozitën)

25 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›