PS, Kodheli: Në Parlament, do paraqesim nismë të re

Deputetja socialiste, Mimi Kodheli në një konferencë për shtyp, ka deklaruar se heqja e TVSH-së, për produktet bazë ushqimore, do të ishte e vetmja rrugë për lehtësimin e barrës së rëndë fiskale, që rëndon mbi çdo qytetar shqiptar.
Në deklaratën për shtyp, të mbajtur në selinë rozë, Kodheli theksoi se opozita do paraqes në Parlament një nismë të re. "E pamë të rëndësishme që heqja e TVSH-së, të ilaçeve të ishte nismë e pjesës së parë që ne do të prezantojmë javën që vjen në parlament. Do të luftojmë në parlament që ky çlirim që i bëhet barrës fiskale, të ndodhë që sot. Të shohim sesi do të reagojnë oborrtarët e pushtetit”, u shpreh ajo.
Përsa i përket nismave të prezantuara nga opozita, nëse ato janë kushte që PS-ja të ulet për reformën zgjedhore, Kodheli theksoi se deputetët e majtë janë në Parlament për të përcjellë zërin e njerëzve që përfaqësojnë. Sipas saj, të qënit pranë qytetarëve fillon dhe me një nismë, siç është heqja e TVSH-së për produktet bazë ushqimore.