E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Dialogu ndër fetar i një rëndësie nevralgjike

TIRANË Kryeministri Sali Berisha ishte dje i pranishëm në Asamblenë e Përgjithshme të Komisioneve Drejtësi dhe Paqe të Evropës, me temë “Marrëdhëniet ndërkulturore dhe ndër fetare, mundësi dhe sfidë për një të ardhme të përbashkët”. Gjatë fjalës së mbajtur, kryeministri Sali Berisha theksoi se dialogu ndërfetar është shumë i rëndësishëm.

“Ky dialog, kjo përpjekje, ky mision, është i një rëndësie nevralgjike, sepse sërish duhet të pranojmë, se muret e padijes krijojnë përshtypje dhe hendeqe terësisht të pamerituara midis besimeve, apo midis kulturave, midis kombeve me besime të ndryshme”, - tha ai.

Por Berisha solli edhe një eksperiencë personale, lidhur me anëtarësinë e Shqipërisë në Konferencën Islamike. “Një ditë në zyrën time, prita një grup parlamentarësh nga një vend mik. Pasi iu bëra një ekspoze, u shpreha se jam i hapur për çdo pyetje dhe njëri prej tyre më shprehu shqetësimin më të madh, se pse Shqipëria është anëtare e Konferencës Islamike? Gjëja e parë që më erdhi në mend i thashë: ‘Zotëri, burri i parë i shtetit në botë që më ka përgëzuar ka qenë Papa Gjon Pali i II dhe këtë mesazh përgëzimi e dërgoi, sepse ishte i bindur në domosdoshmërinë dhe nevojën e dialogut, midis popujve me besime të ndryshme”, - tha ai. Në këtë kontekst, Berisha theksoi se të tillë janë të krishterët dhe myslimanët shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›