Sesioni i OKB-së, Shqipëria pro Palestinës
TIRANË Në punimet e sesionit të 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që fillojnë më 20 shtator në Nju Jork, Shqipëria do të jetë në mbështetje të shtetit të Palestinës. Ky qëndrim është rikonfirmuar në takimin që Zv-Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, zhvilloi me ambasadorët e Palestinës, Arabisë Saudite, Egjiptit dhe Përfaqësuesin e Libisë në Tiranë. Gjatë takimit, ministri Haxhinasto konfirmoi edhe një herë se Shqipëria e ka bërë të qartë pozicionin e saj në mbështetje të zgjidhjes së qëndrueshme të krizës në Lindjen e Mesme. “Shqipëria, - theksoi ai, - është ndër vendet e para që e ka njohur Shtetin e Palestinës, ndaj dhe kërkon gjetjen e rrugës më të mirë, që procesi i paqes në Lindjen e Mesme të shkojë përpara. Vendi ynë do të mbështesë çdo veprim dhe aksion diplomatiko-politik që do t’i shërbejë në mënyrë efikase dhe realisht arritjes së paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme”.