E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Komision i posaçëm për reformën zgjedhore. PD: Dakord

PD-PS të gatshëm të përfundojnë reformën zgjedhore brenda këtij sesioni parlamentar. Valentina Leskaj dhe Astrit Patozi kanë shprehur këtë vullnet bashkëpunimi mes dy partive. 

 PS-ja kërkon ngritjen brenda kësaj jave të një komisioni për të realizuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, u shpreh e gatshme për të bashkëpunuar me të gjithë faktorët në këtë drejtim. Në një konferencë për shtyp, kryetarja e Grupit Parlamentar të PS, Valentina Leskaj propozoi që brenda javës së ardhshme të ngrihet Komisioni për Ndryshimet në Kodin Zgjedhor me përfaqësues të partive politike parlamentare për t'i dhënë udhë procesit". "Ka mbetur afërsisht një muaj deri në mbylljen e këtij sesioni dhe lënia e këtij procesi për në shtator do ishte një pengesë për përgatitjen normale të zgjedhjeve. Ne jemi të gatshëm për të punuar me gjithë faktorët, grupi i ekspertëve pranë PS ka kohë që ka nisur punën", tha Leskaj. Në të njëjtën linjë edhe homologu demokrat i Leskaj, Astrit Patozi, u shpreh me tone bashkëpunuese se e mbështet angazhimin e socialistëve në këtë drejtim, ndonëse shton se është humbur mjaft kohë që nga 21 prilli, kur u bënë ndryshimet kushtetuese. "Ka patur dy mundësi për të avancuar përmes Komisionit të Ligjeve dhe mundësia e dytë për një komision të posaçëm. Sot na kërkohet komisioni i posaçëm dhe ne jemi dakord që të nisë që javën që vjen", u shpreh Patozi. Kryetarja e grupit parlamentar socialist shprehu shqetësimin e saj në lidhje me vonesën e procesit për reformën zgjedhore. Sipas Leskajt, "reforma zgjedhore nuk mund të quhet e plotësuar vetëm me ndryshimet kushtetuese, qoftë edhe ato të Kodit Zgjedhor". Kryetarja e grupit socialist kërkoi nga qeveria realizimin e kartave të identitetit. "Zgjedhjet rrezikohen nëse nuk përfundojnë në kohë regjistri i votuesve dhe kartat e identitetit. Ne jemi seriozisht të shqetësuar për çështjen e kartave të identitetit, pasi vonesa e deritanishme nuk garanton prodhimin dhe shpërndarjen e tyre në kohë përpara zgjedhjeve. Qeveria duhet të japë garanci, duke bërë publike afatet përfshirë edhe shpërndarjen e kartave të identitetit", tha Leskaj.           a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›