E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poliçan, epidemia është dizenteri

Dizenteria është ulur këmbëkryq në Poliçan. Alarmin e dha dje Instituti i Shëndetit Publik në Tiranë pas analizave të kampionëve të marrë nga të prekurit e epidemisë së pak ditëve më parë. 

POLIÇAN / DILAVER XHELILI

Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli, pohoi se bëhet fjalë për mikrobe të ndryshme, si salmonela, sigela etj., të cilat shkaktojnë sëmundjen e dizenterisë.
Ndërkaq, dje janë shënuar edhe 15 raste të tjera të të sëmurëve, të cilët janë paraqitur në qendrën shëndetësore të Poliçanit me të njëjtat simptoma, si të të prekurve të tjerë nga kjo epidemi: temperaturë, të vjella dhe diarre. Kreu i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotka pohoi dje pasdite se, kishin mbërritur analizat nga Tirana dhe se bëhej fjalë për përhapjen e dizenterisë. Bashkia ka ngritur shtabin e emergjencës nga ku po survejohet gjithë situata e janë marrë masa konkrete për dezinfektimin e ujit të pijshëm, nga i cili është konstatuar të jetë dhe shkaku i kësaj epidemie. Të sëmurëve që janë paraqitur që në ditën e parë në qendrën shëndetësore, do t'u bëhen sërish analizat një për një. Instituti i Shëndetit Publik jep alarmin pasi sëmundja është ngjitëse. Specialistët e grupit të punës porosisin banorët të mos e konsumojnë ujin e pijshëm, ndërsa ka nisur puna për dezinfektimin e depove të ujit. Burime nga qendra shëndetësore në Poliçan bënë të ditur se, ka gjasa që pasi të bëhen për herë të dytë analizat, të prekurit me viruset e dizenterisë do të vihen në karantinë me qëllim që të mos preket pjesa tjetër e popullatës. Nga 15 të prekurit e djeshëm të kësaj sëmundjeje, 8 mësohet se janë fëmijë. Ata janë paraqitur kryesisht gjatë natës në gjendje të rënduar. Tashmë numri total i të sëmurëve ka arritur në 120 vetë. Specialistë të ISHP-së i bëjnë thirrje komunitetit të këtij qyteti të mos konsumojnë ujin nga rubinetet, si dhe të evitojnë kontaktet me personat e prekur. Banorët e Poliçanit këto ditë e kanë blerë ujin e pijshëm, por duket se të sëmurët e kanë marrë më parë virusin. ISHP-ja sqaron se të sëmurët duhet të trajtohen me antibiotikë nga 5-7 ditë. Nuk përjashtohet mundësia që ata që janë më rëndë, të shtrohen në spitalet e Tiranës për një trajtim më të specializuar. Epidemia e dizenterisë u përhap pak ditë më parë, kur 90 të prekur u paraqitën brenda pak orësh në qendrën shëndetësore të Poliçanit. Ndërsa në ditët në vijim, shifra erdhi në rritje. Ministria e Shëndetësisë u alarmua për situatën e krijuar dhe çoi një grup specialistësh që nga Tirana për të evidentuar shkakun. Që në fillim u dyshua uji i ndotur. Por tashmë analizat e ISHP-së konfirmojnë se dizenteria në Poliçan ka si shkak pikërisht ujin dhe higjienën e ndotur.

Spitalet mbushen me fëmijë

GJIROKASTER - Temperaturat e larta, thatësira dhe konsumimi i ushqimeve të pakontrolluara kanë çuar në dyndje të të shtruarve në pavijonet e pediatrisë dhe të infektivit në spitalin e Gjirokastrës. Rreth 20 fëmijë të shtruar dy ditët e fundit kanë mbushur të gjithë shtretërit e pediatrisë ndërkohë që në të njëjtin nivel paraqitet gjendja në Infektiv. Sipas pediatrit Dilaver Stroka, mungesa e një trajtimi të rregullt ushqimor dhe të sigurt, ka sjellë këtë gjendje. Fëmijët e shtuar që i përkasin moshave nga 5 deri në 10 vjeç, janë paraqitur me komplikacione të dukshme në sistemin e aparatit tretës si dhe temperaturë të lartë trupore. Ata kanë deklaruar se kanë konsumuar akullore dhe ushqime të tjera me prejardhje shtazore. Për mjekët konsumimi i lëngjeve nga kjo kategori moshe, ka qenë e kursyer por edhe nëse ka ndodhur janë konsumuar pije freskuese jo të sigurta po të kaluara nga afati i skadencës. "Fëmijët po trajtohen klinikisht dhe nuk kanë rrezik për jetën", pohojnë burime spitalore.            p.n

Vlora me ujë të pastër

VLORE - Qyteti i Vlorës këtë vit nuk do të vuajë nga uji i ndotur. Sipas analizave të kryera nga laboratorin bakteriologjik në Drejtorinë e Shëndetit Publik, uji i pijshëm është brenda parametrave për konsumim nga ana e qytetarëve. Këtë fakt e bën të ditur drejtoresha e Shëndetit Publik, Bruna Ndreu. Sipas saj, uji i pijshëm ka qenë për një kohë të gjatë në disa zona i ndotur bakteriologjikisht. Madje, shpeshherë ka pasur dhe qytetarë, sidomos fëmijë që janë shtruar dhe në spital për të marrë mjekim. Ndotja sipas Ndreut, ka ardhur si pasojë e çarjes së tubacioneve të amortizuara. Por prej dy muajsh është punuar për riparimin e rrjetit dhe depot tashmë janë klorifikuar. Ndreu shton se, turistët që do të vizitojnë Vlorën këtë vit do të kenë ujë 24 orë, të pastër. Ndërsa për qytetin do të vijojnë sërish kufizimet për disa orë. "Tashmë nuk ka asnjë zonë të qytetit me ujë të pijshëm të ndotur", u shpreh Ndreu, duke garantuar se këtë vit problematika me ujin e pijshëm është zgjidhur.   q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›