E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS heq dorë nga mocioni për Topallin

Socialistët heqin dorë nga mocioni i shkarkimit të Kryetares së Parlamentit. 

Aristir Lumezi

Ideja e hedhur nga Edi Rama, se grupi parlamentar do të kërkojë një mocion për shkarkimin e saj, duket se ka ngelur në rrugë. Burime nga selia rozë pohojnë se është hequr dorë nga një ide e tillë, e cila nuk do të sillte asnjë rezultat pro opozitës. Në një nga mbledhjet e tij, grupi parlamentar socialist vendosi ngritjen e një grupi pune me deputetët e Komisionit të Ligjeve për të parë të gjitha shkeljet e bëra nga Kryetarja e Parlamentit në drejtimin e Kuvendit. Në atë kohë nuk ishin të paktë zërat që pohonin se ngritja e grupit të punës është një masë presioni dhe jo mjeti për të shkuar te mocioni për shkarkimin e Topallit. Shkak për këtë mocion u bë zvarritja, sipas socialistëve, e dekreteve të Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Dy mocionet e para ndaj kryeparlamentares, të bëra vetëm pak muaj pas marrjes së drejtimit të Parlamentit nga ana e saj, dështuan për të majtët. Opozita e bashkuar atëherë nuk mundi të sigurojë votat e nevojshme për të pasur sukses në kërkesën e saj për shkarkimin e Topallit. Ishte kryetari socialist që denoncoi këtë veprim të Topallit dhe që vuri në lëvizje edhe grupin socialist për hartimin e një mocioni. Pas Ramës, edhe kryetarja e grupit socialist, Leskaj dhe nënkryetari i saj, Braçe, përforcuan idenë e mocionit ndaj Topallit. Por pas ardhjes në Kuvend të dekreteve dhe plotësimit të kërkesës së grupit të deputetëve socialistë për t'i votuar ato në mënyrë të fshehtë me kuti, bënë që ideja e parë e mocionit të largohej edhe më shumë. Veçanërisht një gjë e tillë ndodhi edhe kur u pa se maxhoranca ishte kompakte në votat e saj për rrëzimin e dekreteve të Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Asnjë grup pune nuk është ngritur dhe nuk ka funksionuar në drejtim të realizmit të kërkesës për mocion. Edhe pse partitë e tjera opozitare e mbështetën idenë e socialistëve për mocion, madje kreu i LSI-së kërkoi mocion shkarkimi në radhë të parë për Kryeministrin Berisha, socialistët u tërhoqën nga sfida e shkarkimit të Jozefina Topallit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›