“Kadri Hazbiu më ndaloi të merrja pjesë në varrimin e Mehmetit”
AFRIM IMAJ
“Kur prisja që Kadri Hazbiu të më sqaronte sadopak rreth asaj që kishte ndodhur mbrëmjen e 17 dhjetorit, ai më tmerroi më keq. Madje, më urdhëroi mos të merrja pjesë as në varrimin e Mehmetit”. E pabesueshmja për Duro Shehun ka ndodhur kur është gjendur në zyrën e tij, vetëm pak çaste pasi ka marrë vesh lajmin për vetëvrasjen e Mehmetit. Në vijim të intervistës për gazetën “Panorama” vëllai i ish-kryeministrit, i cili u gjet i vrarë mëngjesin e ftohtë të 18 dhjetorit ‘81, rrëfen momentet dramatike të ceremonisë mortore dhe zhgënjimin nga miqtë e hershëm të të vëllait të cilët jo vetëm i kthyen krahët, por qysh të nesërmen nxituan ta quajnë tradhtarë e poliagjent...
Cili ishte veprimi i parë që bëtë pasi morët vesh lajmin për vetëvrasjen e Mehmetit?
Krejt padashur këmbët më çuan nga dritarja. Jashtë kishte filluar një stuhi e lehtë. Përqark pallatit kishin filluar të patrullonin civilë të armatosur, gjë që do të thoshte se që nga ky moment ishim në objektivin e policisë sekrete. Ashtu siç isha në këmbë u drejtova për nga telefoni. I telefonova Veli Llakës për të ma sqaruar më mirë lajmin që më kishte dhënë pak çaste më parë. “Të lutem, i thashë, më ndihmo të takohem me Kadri Hazbiun”. Në atë kohë ai bënte detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Veliu pasi më tha se Kadriu ndodhej në zyrë më premtoi se do t’ia transmetonte kërkesën time. Prita në çaste të tëra në ankth. Shpresoja shumë se kontakti me të do të më orientonte për shumë gjëra. Kishin kaluar gati 40 minuta, kur më telefonoi Veliu e më tha se më priste në zyrë ministri i Mbrojtjes. U nisa me një frymë. Rrugës sillja ndërmend lloj-lloj dilemash e qëndrimesh për atë që kishte ndodhur. Kadri Hazbiu që do të takoja kishte qenë një nga miqtë më të afërt të Mehmetit dhe familjes sonë. Fakti që pranoi të më takonte, më lehtësoi disi për gjëmën që parandieja. Po çuditërisht këtë radhë do të takoja një Kadri tjetër...
Si ua shpjegoi Kadri Hazbiu rrethanat në të cilat u vra Mehmeti?
Për mua ishte një takim befasues ai me Kadriun, pasditen e 18 dhjetorit në zyrën e tij. Sa hapa derën dhe u afrova për te tavolina e ministrit, pashë tre oficerë që më ndiqnin nga afër dhe më rrinin fare pranë.
“Pse erdhe?”, më pyeti me një ton të ftoftë Kadriu.
“Çfarë ka ndodhur me Mehmetin?”, i thashë unë.
“Vrau veten, u vetëvra dhe,... kaq”, shtoi Kadriu.
“Tashti, ne interesohemi të dimë...”
“Për atë vajzën e Turdive, ju e dini...”
Aty për aty gati pavetëdije i thashë se nuk dinim gjë përse bëhej fjalë, po Kadriu që mesa dukej nuk fliste vetëm në emër të tij, kaloi nga momentet e sqarimit për atë që kishte ndodhur, te porositë zyrtare për atë që duhej të bënim ne familjarët pas këtyre çasteve.
“Tani, më tha, lajmëro vëllezërit dhe shkoni në shtëpi, te xhenazja. U thuaj se partia nuk do ta varrosë. Është vetëvrarë, e kjo do të thotë tradhti. Pastaj me ato që ka bërë për atë fejesën, mund të dalë se ka qenë armik”.
Këmbëngula për t’i kërkuar edhe diçka tjetër, me bindjen që tek ai, pavarësisht këtyre rrethanave, nuk mund të ishte fshirë çdo gjë nga lidhjet shpirtërore me Mehmetin, por ishte e kotë. Atë çast Kadriu u çua në këmbë, hoqi syzat dhe m’u drejtua përmbledhtazi: “Është urdhër. Kështu duhet bërë! Mirupafshim!”.
Vetëm kaq zgjati takimi me të. Më kujtohet porosia që më dha që unë si oficer e komunist mos të merrja pjesë në varrimin e Mehmetit, por të shkoja vetëm për ta përgjuar trupin e pajetë të tim vëllai. Dola jashtë dhe mora rrugën për në shtëpi. Tanimë, kisha zbardhur thelbin e çështjes. Tre oficerët që më rrinin ngjitur në zyrën e Kadriut më ndoqën në distancë deri te porta e pallatit. Të tjerë civilë të armatosur ishin vendosur nga të katër drejtimet e banesës...
Çfarë kujtoni nga çastet kur shkuat për të parë vëllain e vetëvrarë në shtëpinë e tij?
Bëra atë që më tha Kadriu. Ishte një urdhër që të linte të kuptoje se ishte pleqëruar me majën e kupolës. Deshifrimi i tij më shkoqur do të thoshte se ceremoninë mortore do ta bënim vetëm ne familjarët. Lajmërova vëllezërit dhe aty nga mbrëmja u nisëm për te banesa e Mehmetit. E gjithë rruga për aty ishte blinduar me policë e roje të armatosura. Në afërsi të vilës dy autoblinda të gardës ishin vënë në pozicion luftimi. Në të gjitha godinat përreth, pushkatarë e roje të armatosura vigjilonin si në momente luftimi. Kaluam mes tyre dhe u gjendëm në banesë. Arkivoli me trupin e pajetë të Mehmetit ishte vendosur në mesin e dhomës së madhe. Anash tij në karrige rrinte e shoqja dhe djemtë. Në shpinë të tyre disa njerëz të panjohur me revole në brez. Një pamje e rëndë, shumë e rëndë me një heshtje torturuese kishte pushtuar tërë mjedisin. Për një moment të gjithë mbetëm si të shtangur...
Pra, nisët një lloj homazhi në heshtje...
Teksa ndenjëm pak çaste kështu, gojëkyçur, vendosa të interesohem për rrethanat në të cilën kishte ndodhur hataja.
Ju drejtova të parës Fiqretit: “Çfarë ndodhi?”, e pyeta.
Ajo e zënë si në faj m’u përgjigj me një xhest që të linte të kuptoje se nuk ishte momenti për sqarime të tilla. Vetë vështrimi i saj dhe gishtërinjtë e njërës dorë te buzët, tregonin se gjithçka rreth e qark ishte në përgjim.
U ktheva pastaj nga Ali Çenua, bodigardi i Mehmetit dhe një nga njerëzit më të besuar të tij. “Më thuaj Ali, e pyeta, si ndodhi?”. Ai më shpjegoi se në momentin e ngjarjes nuk kishte qenë aty. Të njëjtën gjë më pohoi edhe Ladi, djali i madh i Mehmetit.
E vetmja që pranoi të rrëfejë diçka më shumë, po përsëri në një lloj konfuzioni, ishte Farija, punonjësja e vilës. “Çdo nga mua, filloi ajo përgjigjen e saj. Kryeministri u vra. Para katër ditësh ishte për gjah në Elbasan. Ishte si molla.
“Kush ishte me shërbim këtu?”, këmbëngula unë.
“Ishte një vajzë e re, që sa ka filluar punë”, sqaroi Farija.
“Ku është ajo, çfarë u tha?”, pyeta më tej.
“Nuk e di. Nuk ka ardhur. Thonë që e kanë transferuar...”, rrëfeu si me një lloj pendese gruaja që kishte shërbyer te Mehmeti rreth 20 vjet me radhë.
Kur e pashë se çdo interesim ishte i kotë, u kërkova rojeve që rrinin përqark nëse mund t’i shikoja plagët në trupin e Mehmetit. Në çast njëri ndër ta, që me sa dukej ishte përgjegjësi i tyre, m’u drejtua me turfullimë “Në asnjë mënyrë!”. Ishte po ai, i cili insistimit tim për shpjegime të mëtejshme, ju përgjigj me një urdhër të prerë: “Ju duhet të largoheni sa më parë që këtej!” Mënyra si ma komunikoi këtë nuk linte vend e arsye për diskutime të tjera. Për mua nuk mbeti gjë tjetër vetëm të çohesha e të ikja. Gjithçka më tej ishte e kotë...
Erdhi e nesërmja, dita e ceremonisë mortore. Mehmet Shehu deri ato çaste kishte statusin e kryeministrit të vendit. A pati ceremonial zyrtar për përcjelljen e tij në banesën e fundit?
Ka qenë diçka paradoksale përcjellja e Mehmet Shehut në banesën e fundit. Një ngjarje e paprecedent me sa di unë në historinë e shteteve e të popujve. Nga të gjithë familjarët e Mehmetit, vetëm mua më kishin njoftuar një ditë më parë se jo vetëm nuk do të kishte një ceremoni zyrtare, por aty nuk duhej të shkoja as unë. Këtë ma pati thënë Kadri Hazbiu gjatë takimit në zyrën e tij në Ministrinë e Mbrojtjes. T’i bie shkurt, varrimi i Mehmetit u bë si një ceremoni ilegale...
Megjithatë thuhet se në atë ceremoni ka pasur zyrtarë të Këshillit të Ministrave...
Aparati i qeverisë atë ditë kishte caktuar 10 veta, zyrtarë të thjeshtë të administratës, të cilët u gjendën në atë ceremoni me një mikrobus dhe gjatë gjithë kohës ndenjën në heshtje pa komunikuar me asnjë nga familjarët. Një natë më parë radioja dhe televizioni lajmin e vrasjes së Mehmetit e transmetuan telegrafisht me një shprehje: “Kryeministri Mehmet Shehu, pas një goditje nervore vrau veten”. Dhe asnjë fjalë tjetër. Përveç kësaj deklarate zyrtare, në njoftimet mediatike nuk u tha gjë për ditë zie e ceremoni mortore, siç bëheshin në atë periudhë për personalitetet zyrtare të politikës komuniste...
Si shkoi ceremonia mortore dhe kush foli nga zyrtarët e pranishëm në të?
Paraprakisht vendosëm për ta çuar në varrezat e Sharrës, aty ku kishim edhe prindërit. Ishte një ditë me tufan të egër dhe me bubullima të shumta. Një ditë e zymtë dimri që në Tiranë ndodh rrallë. Përveç 10 zyrtarëve që ishin caktuar me urdhër siç e thashë, në varrim erdhën edhe një pjesë e familjarëve. Ishin dy djemtë e Mehmetit, Vladimiri dhe Bashkimi, djali tjetër Skënderi ishte në Suedi për studime. Ishte vëllai ynë Nexhipi, ndërkohë që vëllai tjetër Arshiu ishte i sëmurë dhe kishte çuar aty djalin Kujtim Shehun. Në ceremoni nuk u lejuan të merrnin pjesë shumë të afërm, miq e shokë të Mehmetit, të cilët i lajmëruan komitetet e partisë të rajoneve ku ishin për të qëndruar larg saj, gjithnjë me arsyen se nuk kishim të bënim me përcjelljen e kryeministrit, por të një armiku të fshehur të partisë...
Diçka për kortezhin e veçantë të asaj ceremonie...
Një kortezh, nëse mund ta quajmë kështu me 10-15 veta, me një mikrobus të aparatit të Kryeministrisë, makinën e funeralit dhe një mjet të komunales së qytetit të Tiranës. Asgjë tjetër.
Cili ishte rrugëkalimi i këtij kortezhi dhe kush kujdesej për mbarëvajtjen e ceremonisë?
Rrugëkalimi fillonte te shtëpia e Mehmetit, vila qeveritare në krahë të Komitetit Qendror, në drejtim të “21 Dhjetorit” për në varrezat e Sharrës. Po që të përshkruaje këtë atë ditë të ftohtë dimri, duhej të kaloje mes një gardhi policësh e ushtarakësh që ishin vendosur në të dy krahët e rrugës. Madje, njerëz të armatosur na ndiqnin nga të gjitha ballkonet e pallateve buzë rrugës. Në Sharrë, pastaj dendësia e policisë dhe e njerëzve të saj ishte edhe më e madhe.
Kush e mbajti fjalën e lamtumirës në ceremoninë e varrimit të Mehmetit?
Fjalën e lamtumirës e mbajti Vladimiri, djali i madh i Mehmetit. Ai falënderoi të pranishmit dhe përmendi se familjarët e tij do të dinë të nderojnë emrin dhe veprën e Mehmet Shehut si ish-partizan, komandant, komunist dhe atdhetar. Vetëm tre katër minuta zgjati ligjërimi i tij. Pastaj...Çuditërisht nëpunësit e aparatit të Kryeministrisë, ata që kishin ardhur kuptohet me urdhër, nuk kishin sjellë asnjë tufë me lule.
vijon nesër...
“Autokritikën sekrete të Kadriut e gjeta te ‘Panorama’”
“Kadri Hazbiu pas vrasjes së Mehmetit i ka bërë një letër sekrete Enver Hoxhës”. Duro Shehu, vëllai i kryeministrit komunist shprehet se, e ka munduar prej vitesh makthi i përmbajtjes së këtij dokumenti. “E botoi vitin e kaluar “Panorama” dhe mora vesh përse bëhej fjalë. Asgjë e re, veç përpëlitjeve për të shpëtuar nga gijotina e Enverit”, thotë vëllai i Mehmetit duke përgëzuar punën e gazetës. Për të ky dokument, i quajtur ndryshe “autokritika e panjohur e Kadri Hazbiut”, nuk është gjë tjetër vetëm një përpjekje e dështuar për të shpëtuar nga gijotina e Enverit. “Pas vrasjes së Mehmetit, shton vëllai i tij, me Kadriun ndodhi një metamorfozë e çuditshme. Fillimisht ju ngritën puplat dhe mendoi se ishte rasti për t’u bërë kryeministër. Kur e pa që nuk ja varën, e ndjeu që i vinte fundi dhe nxitoi të shpëtonte duke u rrëfyer tek Enveri. E bëri me shkrim rrëfenjën te Komandanti aty nga maji i vitit ‘82, po nuk fitoi gjë. I përgjërohej në të për besnikërinë e madhe ndaj tij, i shkruante gjerë e gjatë për “tradhtinë e Mehmtit”, për përgjegjësinë që ndjente se i kishte munguar vigjilenca dhe i kishte kaluar miu ndër hundë, se kishte gabuar që i kishte rekomanduar Feçor Shehun për ministër të Brendshëm etj., etj. Po Enveri që ishte shumë herë më dinak nga Kadriu, asnjëherë nuk e bëri prezent autokritikën e tij. Ai nuk kishte kohë të merrej me të tilla gjëra, por operoi ndaj tij siç kishte bërë edhe me Mehmetin...” Kështu e pësoi edhe Kadriu që i vajti dëm gjithë ajo autokritikë...”, përmbledh me një ton sarkazme vëllai i Mehmet Shehut në rrëfimin për gazetën “Panorama”.
Maria, çekja që shërbeu 20 vjet në vilën e Mehmetit
Ajo shërbeu 20 vjet në shtëpinë e Mehmetit dhe asnjëherë nuk u mor vesh si u gjend aty. Në gjallje të kryeministrit komunist shumëkush e dinte thjesht një të afërmen e tij.
“Mehmeti, shprehet për gazetën “Panorama” Durua, i vëllai i tij, e respektonte si motrën e vet. Deri sa vdiq Maria ai nuk rreshti së kërkuari njerëzit e saj në Çeki. Disa herë kishte folur drejtpërdrejt me homologun e vet në Pragë, por kurrë nuk ra në gjurmët e njerëzve të saj”. Duro Shehu kujton se Maria ishte një grua e mrekullueshme dhe ndjehej si në shtëpinë e vet me njerëzit e Mehmetit. Kur vdiq, shton ai, e varrosëm në krahë të prindërve te varrezat e Sharrës, madje me mbishkrimin te koka “Marie Cirici Shehu”. Ai mban mend një rast kur i vëllai Mehmeti ka qortuar rëndë familjarët e vet për Marien. “Maria, shprehet Durua, para se të ndërronte jetë e la me testament që pensionin e saj ta merrte Bashkimi, djali i vogël i shtëpisë. Në një farë mënyre ne, të gjithë ishim pajtuar me këtë gjest. Kur e mori vesh Mehmeti jo vetëm që e ndaloi, por na qortoi rreptë. Boll na ka shërbyer në gjallje, tha ai, pse të na shërbejë edhe pas vdekjes...”
neser do te lexoni
Rrëfimi i Duro Shehut për motivet e vërteta pse kundërshtoi për t’u fejuar me mbesën e Enverit. Cili ishte roli i Nexhmije Hoxhës në hakmarrjen e Enverit për miqësitë e prishura në bllokun e udhëheqjes. Të pathënat për simpatitë e Enverit për gratë e bukura, burrat e të cilëve i emëronte ministra. Çfarë ndodhi me Silva Turdiun pas vetëvrasjes së Mehmetit.