E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogba shpërthen në lot: “Lamtumirë Botëror”



Ylli i Çelsit dhe i Bregut të Fildishtë do të mungojë në Botëror pas një dëmtimi të rëndë pas përplasjes me mbrojtësin e Japonisë, Markos Tulion Tanaka, në miqësoren e zhvilluar në Sion të Zvicrës
Drogba u trajtua në spital pas dyshimeve të thyerjes së bërrylit të krahut të djathtë. Pas ekzaminimit, Drogba tha se nuk është i aftë të luajë në Kupën e Botës. Bregu i Fildishtë udhëhoqi 1-0 pas një goditje të lirë të ekzekutuar nga Didier Drogba dhe të devijuar në autogol nga Tulio në minutën e 13-të, përpara se golashënuesi më i mirë i kampionatit anglez të largohej në minutën e 15-të. Kolo Ture shënoi golin e dytë në minutën e 80-të. Trajneri i Bregut të Fildishtë, Sven-Goran Erikson, tha: “Jam i shqetësuar. Është një dëmtim në bërryl dhe ne nuk e dimë se sa i keq është, prandaj e çuam drejt dhe në spital”. Është shumë serioze, është shumë për t’u shqetësuar, ai është kapiteni ynë, një nga sulmuesit më të mirë në botë”. Mungesa e 32-vjeçarit do të jetë një humbje e madhe në kampionatin e parë të zhvilluar në Afrikë, pasi Drogba është “Futbollisti më i mirë afrikan i vitit”. Kjo do të jetë edhe një humbje e madhe edhe për Bregun e Fildishtë, i konsideruar si nga ekipet favorite për të qenë një prej ekipeve afrikane më të suksesshme në Botëror, pavarësisht se në grupin G ka ekipe të mëdha si Brazili dhe Portugalia, por dhe një skuadër jo më pak të rrezikshme, si Koreja e Veriut. Ndeshja e parë e Bregut të Fildishtë është ajo kundër Portugalisë së Kristiano Ronaldos, më 15 qershor (ora 16:00).

Italia në ankth,
fantazisti Pirlo
rrezikon Botërorin

Fantazisti i Italisë, Andrea Pirlo, po vuan nga një dëmtim dhe rrezikon të mungojë në Kupën e Botës. Lajmin e dha gazeta sportive italiane “Tuttosport”. Ylli i Milanit la stërvitjen në qendrën e grumbullimit të Italisë në Sistriere pasi pësoi një goditje në pulpë dhe nuk do të jetë i disponueshëm për miqësoren e së shtunës kundër Zvicrës, miqësorja e fundit përpara ndeshjes së tyre të parë në Kupën e Botës kundër Paraguait, më 14 qershor (20:30). Sa i madh është dëmtimi i 31-vjeçarit nuk dihet ende, por të gjithë kanë frikë se ai mund të mungojë në turneun e Afrikës së Jugut. Pirlo udhëtoi drejt Milanos për të bërë teste plotësuese. Pavarësisht një sezoni jo të mirë me Milani, Pirlo është një nga lojtarët më të vlefshëm të trajnerit të Italisë, Marçelo Lipi, pasi është një nga futbollistët krijues. Pirlo ishte një nga lojtarët më të mirë në triumfin e Italisë në Kampionatin Botëror të Gjermanisë në vitin 2006. Pirlo radhitet si lojtari i 331-të në renditjen e “Castrol”.

Po ikin kapitenët,
Rio Ferdinand
jashtë Kupës së Botës

Kapiteni i Anglisë vuan nga një dëmtim në gju. Stivën Xherard mund të marrë shiritin e kapitenit

Kapiteni i Anglisë, Rio Ferdinand, i dha fund ëndrrës së tij për të ndihmuar vendin e tij në fitimin e Kupës së Botës. Mbrojtësi i Mançester Junaitid vuan nga një dëmtim në gju pas stërvitjes së parë në Afrikën e Jugut. Lajmi i keq alarmoi jo pak trajnerin Fabio Kapelo, pavarësisht se bosi i “tre luanëve” shpreson ende në një rikthim të tij, pas një skanimi mjekësor të Ferdinand.
Qëndërmbrojtësi i Totenhemit, Majlëll Dauson, shihet si zëvendësuesi i Ferdinand, ndërkohë që Stivën Xherard mund të marrë shiritin e kapitenit. Edhe portieri Dejvid Xhejms mungoi në stërvitjen e së premtes, por Kapelo është më pak i shqetësuar për situatën dhe këmbënguli si 39-vjeçari ka vetëm një problem të vogël me gjurin. Ndeshja e parë e Anglisë është ajo kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 12 qershor

Uruguai me armë sekrete, ... pijen mate

Kombëtarja e Uruguait planifikon të sjellë një armë sekrete në Kupën e Botës... 150 kile mate, pija e nxehtë e njohur edhe si pije kombëtare. Formacioni nuk ka udhëtuar ende në Afrikën Jugut dhe do të jetë nga ekipet e fundit që do të mbërrijë përpara se Botërori të nisë aksionin, më 11 qershor. Pija “magjike” është një lloj çaji, në të cilën zihet bari yerba mate në ujë të nxehtë dhe konsumohet shumë në Uruguai dhe Argjentinë. Uruguaianët janë pirësit më të mëdhenj në botë të pijes mate. Uruguai ndodhet në grupin A ku bëjnë pjesë edhe Franca, Meksika dhe vendi organizator, Afrika e Jugut dhe sipas parashikuesve të “Castrol” kanë 60% shanse për të kaluar grupin dhe 6.6% shanse për të arritur në finale. Ndeshje a parë e tyre është kundër Francës (11 qershor, 20:30)

5 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›