E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Transparenca e zgjedhjeve, sërish protesta”

Kreu i PS-së: “Ndërprerja e protestave, vetëm për periudhën e negociatave”

Eneida Jaçaj

Në turin e takimeve me bazën në rrethe, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka paralajmëruar se do të rinisin protestat nëse kryeministri Sali Berisha nuk pranon kompromisin për transparencën e zgjedhjeve. Deklarata e liderit të opozitës është bërë dje gjatë takimeve që zhvilloi me elektoratin e Durrësit, Korçës dhe Elbasanit.
Socialistët këmbëngulin se zgjedhjet e 28 qershorit janë manipuluar nga partia në pushtet. Për këtë arsye kryesocialisti ka nisur turin në këtë periudhë negociatash me moton “Hap kutitë, liro vizat, çliro ekonominë”. Kryesocialisti sqaroi se ndërprerja e protestave dhe e bojkotit është vetëm për këtë periudhë negociatash.
Rama
“Është i vetmi fitues që i trembet të vërtetës së rezultatit që e ka nxjerrë fitues. Është i vetmi fitues që i trembet si djalli temjanit rrugës nga ka ardhur për t’u shpallur fitues dhe që nuk ka kurajën që të dalë përpara popullit të vet dhe, pa asnjë kompleks dhe pa asnjë droje, të thotë: Ja ku janë rrënjët e fitores sime”, - tha Rama. Lideri i opozitës përsëriti se vendi edhe sot po vuan pasojat e votës së mbyllur dhe se PS-ja nuk do të ndalet në betejën për hapjen e kutive. “Sot ne jemi në një moment të ndërmjetëm kur i kemi dhënë shansin zgjidhjes së kësaj krize duke dëshmuar gjithë vullnetin tonë një kompromisi që i hap rrugë transparencës, sepse kurrë nuk do të pranojmë një kompromis që mbyll rrugën e transparencës”, - u shpreh Rama, duke shtuar se “nuk ndalemi në betejën tonë. Ajo vazhdon dhe ne nuk do të prapsemi për asnjë moment. Greva dëshmoi se në PS ka fuqi morale dhe ne jemi gati të protestojmë në të gjitha mënyrat. Do t’i shkojmë deri në fund betejës sonë për t’i hapur rrugë transparencës”, - ka deklaruar Rama. Kryesocialisti theksoi se qëllimi i PS-së nuk është bojkoti, por kompromisi për zgjidhjen e krizës politikes, që po thellohet çdo ditë e me tepër.
Kriza ekonomike
Më tej, kreu i socialistëve e ka vënë theksin te situata e rëndë ekonomike që ka përfshirë vendin, duke u shprehur se ajo ka ardhur si pasojë e krimit elektoral të qeverisë. “Rrënimi ekonomik është rezultat i mungesës së transparencës dhe krimit elektoral. Çdo ditë rriten çmimet, mbyllen vendet e punës dhe bie fuqia blerëse”, - ka pohuar Rama.
Kreu i PS-së ka kritikuar qeverinë për ndryshimin e një sërë ligjesh, të cilat, sipas tij, nuk kanë sjellë asgjë pozitive, por kanë rrënuar edhe më tej ekonominë shqiptare. Sipas tij,vetëm 4 muaj më parë dhe në 57 muajt e qeverisjes ‘Berisha’ ka ndryshuar linja tatimore 52 herë. Ai u shpreh se kjo tregon mungesën e vizionit të zhvillimit te qeveria. Në gjykimin e kryesocialistit, qeveria e këtij vendi nuk ka prioritet ekonominë, por pasurimin e oborrit të pushtetit. Sipas tij, grabitja e votës nuk i hapi asgjë më të mirë vendit, por shtrëngimin e ekonomisë dhe rrënimin e saj në familjet shqiptare.

7 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›