E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Korrupsionija faktet e reja mbibizneset e Vokshit

TIRANë- Partia Socialiste ka bërë sot publike, dokumente të tjera që sipas këtij subjekti, hedhin hije të rënda dyshimi, në lidhje me konfliktin e interesit dhe aferën e korrupsionit për deputeten demokrate, Albana Vokshi.
Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Eduard Shalsi, paraqiti sot para mediave faktet e tjera si dhe kërkoi sqarim publik, mbi atë që ai e quajti "afera korruptive Vokshi".

“Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen e publikut një biznes, Vision Construction sh.p.k., kompani në bashkëpronësi të zotit Tartari dhe të një emri të njohur si për opinionin publik ashtu edhe për Kryeministrin. Rrahman Selmanllari, i njohur ndryshe si miku i ngushtë i djalit të Berishës, apo edhe si përfaqësuesi i interesave të biznesit të familjes Berisha, pra rezulton të jetë aksioneri tjetër i kësaj kompanie. Dhe këtu duket bashkëpunimi mes të dy aksionerëve”.

Sipas Shalsit, emrin e Selmanllarit opinioni publik e kujton shumë mirë dhe në rastin e Gërdecit.
Sipas Shalsit, "këto dokumente hedhin hije të rënda dyshimi mbi heshtjen e zgjatur të Sali Berishës në lidhje me konfliktin e interesit dhe aferat e korrupsionit që ka ngritur PS këto javë për Albana Vokshin".
“Për më tepër, objekti i biznesit i kësaj firme është “tregtimi i karburanteve dhe vajrave lubrifikuese,” të cilat prodhohen nga fushat e naftës e gazit që i janë falur me koncesion nga Sali Berisha, Arian Tartarit për llogari të firmës së tij Stream Oil”, tha Shalsi në deklaratën për shtyp.

“A është heshtja e Kryeministrit e detyruar nga përfshirja e drejtpërdrejtë e tij e familjes së tij në këto afera korrupsioni? Opinioni publik mund të gjykojë vetë”.

PS kërkoi sot sqarim publik në lidhje me akuzat për afera korruptive të deputetes Albana Vokshi, akuza që sipas opozitës, përfshijnë pushtetin në një rrjet korrupsioni me biznesin.

“PS kërkoi sot nga palët e përfshira duhet ti sqarojnë publikisht pyetjet që dalin nga kjo lidhje…Në të kundërt heshtja e tejzgjatur e pushtetit në lidhje me këto afera mund të interpretohet si pranim faji nga ana e tij”.

Partia Socialiste ka artikuluar javët e fundit një sërë akuzash ndaj deputetes të PD-së, Albana Vokshi, duke e akuzuar atë se në mënyrë korruptive dhe në konflikt të pastër interesi, ka favorizuar kompaninë e biznesit ku bashkëshorti i saj gëzon një pjesë të mirë të aksioneve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›