E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Kryeministri mashtron nën moton “Zgjedhje të reja-Gënjeshtra të vjetra"

TIRANË- Anëtarja e grupit të punës për programin në PS Milena Harito ka dhënë një deklaratë për media në të cilën ka komentuar fushatën e PD. Deklarata fillon: “Sot vetëm 67 ditë na ndajnë nga 23 qershori, dita kur shqiptarët do të largojnë me votën e tyre të lirë Sali Berishën.”

Sipas saj kryeministri vazhdon të mashtrojë shqiptarët nën moton “Zgjedhje të reja-Gënjeshtra të vjetra” .

“Sali Berisha premtoi në 2009 se qeveria do të siguronte internet me bandë të gjerë brenda vitit 2012 në të gjitha familjet, në fshatrat dhe qytetet e vendit, si dhe kompjuter për të gjithë të rinjtë në shkollat shqiptare, brenda qershorit të vitit 2013. I ftoj të gjitha familjet, vecanërisht ato në fshat, si edhe studentët, që luftojnë cdo ditë për të mbijetuar, të na thonë nëse qeveria ka bërë dicka për ta në këtë drejtim. Sali Berisha premtoi laboratorë kompjuterikë në cdo shkollë të vendit. Nxënësit, të cilët nuk kanë shpesh as kushtet minimale të mësimdhënies si ujë, drita dhe ambjente të përshatshme, janë dëshmitarë të përditshëm të kësaj gënjeshtre”, vijon deklarata e Haritos.

Harito thotë se vetë ministritë e kësaj qeverie, janë paditur reciprokisht për abuzime në dhënien e licensave ekskluzive në tregun e fibrave optike, kanë hapur e kanë mbyllur tenderë, kanë paditur Komisionin e Prokurimeve Publike, duke e bërë qeverinë të ngjajë edhe më shumë qesharake në premtimet e saj.

“Kryeministri ka ndërhyrë në këtë treg, nga njëra anë duke mbështetur krijimin e një situate monopol dhe nga ana tjetër duke detyruar Postën Shqiptare të harxhojë paratë e taksapaguesve, për të krijuar pika interneti të cilat do të duhej t'i krijonte tregu privat, nëse Sali Berisha do ta lejonte të merrte frymë i lirë”, deklaron ajo.

Sipas Milena Haritos, faktet tregojnë që për shërbimin e internetit me bandë të gjerë, Shqipëria është jo vetëm e fundit nga vendet e BE, por edhe e fundit në rajon pas Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, kjo sipas të dhënave referencë të Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve.

Më tëj Harito është ndalur edhe tek tarifat për telefoninë celulare. “Shqipëria ka tarifat më të larta në Europë dhe në rajon për telefoninë celulare. Shqiptarët janë të detyruar ende sot e kësaj ditë të mbajnë nga 2 celularë, ndryshe nga të gjithë vendet e Europës, për arsye se parimet e konkurrencës së lirë e të ndershme nuk zbatohen në këtë treg. Ndërkohë që kryeministri mashtrues e paraqit këtë dështim si arritje të tij personale.”

Ndërsa për Partinë Socialiste, vijon më tej deklarata, Shqipëria dixhitale nuk është një flamur elektoral. “Ne zotohemi të pajisim me tableta individuale nxënësit e shkollave të mesme për t'u siguruar të gjithëve akses të barabartë në botën dixhitale. Do të dixhitalizojmë sistemin shëndetësor për të ulur kostot, për të rritur efikasitetin, për të përmisuar shërbimin dhe për të luftuar korrupsionin. Do të bëjmë trasparencë totale të shpenzimeve dhe dokumenteve të administratës publike dhe do të respektojmë me rigorozitet parimet europiane të konkurrencës së lirë e të ndershme në tregun e infrastrukturës dixhitale për të mos qenë më vendi i fundit në rajon”, përfundon deklarata e Milena Haritos.
(a.h/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›