PS: Kutitë, Partitë Popullore të Evropës dhe Berluskoni, janë keqinformuar

Tiranë, 12 Shkurt NOA Partia Socialiste
deklaroi sot se zyrtarët në Partitë Popullore të Evropës dhe kryeministri
italian janë keqinformuar dhe për rrjedhojë lëshojnë dhe deklarata që apelojnë
për rikthim të PS në Kuvend.
Jemi të keqardhur që zoti Daul është i
keqinformuar nga znj.Topalli, ashtu sikurse është i keqinformuar dhe
kryeministri Berluskoni nga z.Berisha, - deklaroi zonja Mimi Kodheli, deputete
e PS në një dalje për mediat para pak çastesh.
Ne duam, - vijon deklarata, - pikërisht
transparencën që bën Europa në raste si i yni, atë që bëri edhe Berluskoni në
Itali, duke hapur shumë kuti për të verifikuar ligjshmërinë e procesit
zgjedhor.
Kërkesa jonë për transparencë nuk ka të bëjë
me vendimin e gjykatës për mandatet. Ndërkaq e drejta jonë për hetimin e
zgjedhjeve është kushtetuese, - thekson Kodheli.
Kurse bën të qartë më tej qëndrimin e PS: Jemi
gati ti japim fund bojkotit sapo të na garantohet kjo e drejtë. Ne nuk duam të
marrim pushtetin në tavoline duke hetuar zgjedhjet e shkuara, por duam ti
japim fund grabitjes së votave nga pushteti duke garantuar zgjedhjet e
ardhshme.
Joseph Daul, Kryetari i Grupit të Partive
Popullore Evropiane kërkoi sot që PS të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të
rregullta dhe të kthehet në Parlament.
Për më tepër, z.Daul kujtoi faktin se Parlamenti
Evropian ka bërë rezolutë kundër bojkotit dhe në deklaratën e tij thekson:
Kërkesa për hapjen e kutive të votimit, dhe
rinumërimin është rrëzuar nga Kolegji Zgjedhor ndaj PS të respektojë vendimin e
Gjykatës dhe KQZ së.
Kurse po sot, edhe kryeministri italian
Berluskoni kërkoi që PS ti japë fund bojkotit dhe të kthehet në Parlament.
e.r/NOA