E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, sot miratohet Kodi dhe Ligji i Prokurorisë

Dy partitë kryesore në vend, do të japin konsensusin për miratimin e dy drafteve të rëndësishme

TIRANË- Si asnjëherë tjetër, ndërrimi i viteve do të shoqërohet me një atmosferë “rozë” mes dy partive më të mëdha në vend, njëra në pushtet dhe tjetra në opozitë. E gjitha kjo do të ndodhë në seancën plenare të paradites së sotme, që do të përmbyllë edhe këtë sesion parlamentar. Kodi i Ri Zgjedhor dhe Projektligji “PërProkurorinë”, sot vetëm sa do të marrin miratimin formal të kartonëve jeshilë, pasi PD-ja e PS-ja e kanë shpallur hapur qëndrimin e tyre për këto dy drafte të rëndësishme.

Kodi Elektoral

Pas kthimit të dekretit për ligjin e ri zgjedhor nga ana e Presidentit Bamir Topi, Komisioni i Reformës, në një nga mbledhjet e tij më të shkurtra, miratoi dispozitën kalimtare, ku i kërkohet Presidentit që brenda 7 ditëve pas hyrjes në fuqi të ligjit, të dekretojë ditën e zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009. Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore nuk shqyrtoi amendamentet e propozuara nga PDK-ja dhe LSI-ja. Madje, edhe në seancën e sotme nuk do të ketë asnjë diskutim për këto amendamente, përveçse miratimin e raportit të këtij komisioni.

Prokuroria

Projektligji për Prokurorinë është drafti i dytë i rëndësishëm që pritet të miratohet sot me konsensusin e dy partive të mëdha. Arsyeja kryesore e arritjes së këtij pakti lidhet pikërisht me ndryshimet e duhura që iu bënë këtij drafti, pas pranimit të kërkesave edhe nga misionet e huaja, që asistojnë vendin tonë në fushën e ligjbërjes për institucionet e drejtësisë. Si OPDAT-i, ashtu edhe EURALIUS-i kanë vlerësuar me nota pozitive draftin në fjalë, duke u shprehur se ai është konform standardeve të kërkuara. Nga komunikimi shkresor që këto dy misione kanë kryer me Ministrinë e Drejtësisë si nismëtare e këtij projektligji, rezulton se pothuajse të gjitha vërejtjet që ato kanë bërë ndaj draftit fillestar janë reflektuar. Përjashtim bën vetëm propozimi i OPDAT-it për krijimin e postit të zëvendësprokurorit, i cili është vlerësuar si i panevojshëm. EURALIUS-i, ashtu edhe OPDAT-i kanë rënë dakord edhe me propozimin e nismëtarëve të këtij projektligji për të kufizuar imunitetin e prokurorëve..

Drafti, çfarë përcaktohet për prokurorët

TIRANË- Për herë të parë, në draftin për Prokurorinë futet e drejta e prokurorit për të ankimuar në gjykatë vendimin për shkarkimin e tij. Neni 17 i projektligjit përcakton të drejtën e prokurorit të shkarkuar për të ankimuar këtë vendim në organet gjyqësore. Ai mund të ankimojë duke filluar nga Gjykata e Apelit deri në atë të Lartën. Gjithashtu, kundrejt këtij ankimi ai ka të drejtën që të marrë një masë shpërblimi. Prokurorit i hiqet e drejta për të pasur mbrojtje nga hetimet. Me shfuqizimin e pikës 36, prokurori është tashmë një person i hetueshëm, i cili mund të arrestohet. Në nenin 28 të draftit përcaktohet e drejta ministrit për të bërë raport për inspektimet në Prokurori, dhe për t’ia paraqitur atë Kuvendit. Në të njëjtën kohë, ministri gëzon të drejtën që t’i propozojë Presidentit marrjen e masave disiplinore për prokurorët në varësi të këtij raporti. Sipas pikave të parashikuara në projektligj, ministri mund t’i rekomandojë Presidentit edhe fillimin e procedimit disiplinor, por jo masën. Gjithashtu, puna e Prokurorisë mund të jetë tashmë objekt i inspektimit të ministrit, i cili mund të raportojë në Kuvend, një herë në vit dhe sa herë që e kërkon legjislativi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›