PS-LSI, nis përplasja para zgjedhjeve
Aristir Lumezi
Rikthehen akuzat e ndërsjella PS-LSI. Shkak për këtë është bërë mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku këshilltarët e LSI-së kanë votuar kundër buxhetit 2009. Pas një periudhe qetësie mes dy forcave kryesore të majta, e cila dukej se mund të çonte në një përafrim të tyre para zgjedhjeve, socialistët kanë deklaruar dje se Ilir Meta është ish-aleati i tyre duke mbyllur çdo dritare bashkëpunimi. Këshilltarët e PS-së në Bashkinë e Tiranës përmes një konference për shtyp akuzuan LSI-në dhe kryetarin e saj, Ilir Meta, se po bashkëpunon me Sali Berishën. "Ne jemi të keqardhur që ish-aleati ynë, Ilir Meta, që ka një vit që akuzon Partinë Socialiste për bashkëpunimin në Parlament për të futur Shqipërinë në NATO dhe BE, mbrëmë dha një provë të qartë të gatishmërisë së tij për të bashkëpunuar me Partinë Demokratike e me Sali Berishën për të futur Tiranën në qorrsokak, duke i lënë qytetarët për herë të parë në 18 vjet pa buxhetin e tyre për qytetin", u shpreh këshilltarja socialiste Mimi Kodheli. Ndërsa LSI gjatë një konference për shtyp sqaroi publikisht votën kundër buxhetit të përgatitur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Kryetarja e Grupit të Këshilltarëve të LSI-së në Bashkinë e Tiranës, Monika Kryemadhi, tha dje se "ne kërkojmë që Kryetari i Bashkisë të reflektojë ndaj qëndrimeve dhe propozimeve tona, me qëllim që buxheti i Bashkisë së Tiranës të jetë buxheti i qytetarëve, gjithëpërfshirës dhe transparent".
Kryetari i Këshillit Bashkiak Tiranë, Sokol Dervishaj, hodhi poshtë pretendimet e PS-së se vota kundër ishte politike dhe e bashkuar me PD-në. "Spekulimet se LSI-ja ka bashkuar votat me PD-në janë spekulime mediatike. Ne nuk kemi bashkuar votat me askënd, ne nuk kemi votuar për kapriço kundër këtij projektbuxheti, ne nuk e kemi votuar këtë projektbuxhet, sepse nuk ka marrë parasysh kërkesat, sugjerimet dhe propozimet tona, të cilat janë të depozituara, janë të paraqitura, qoftë në mbledhjet e Këshillit, qoftë pranë ekzekutivit dhe të gjitha i kanë shumë të qarta", tha Dervishaj. Socialistët u shprehën dje se, "LSI bashkoi votat me PD për interesa të ngushta politike, kundër interesave të qytetarëve të Tiranës". Por deri pak ditë më parë, LSI ka akuzuar Partinë Socialiste se ka bashkëpunuar në mënyrë jo transparente me Partinë Demokratike kundër zgjedhjeve të lira, kundër pavarësisë së institucioneve, por dhe për të konsoliduar pozitat e kryeministrit në përpjekje për të kontrolluar institucionet kushtetuese të vendit. Në 21 prill socialistët në konsensus të plotë me PD-në miratuan ndryshimet kushtetuese, të cilat u kontestuan nga partitë e vogla, por dhe nga shoqëria civile. Ndërsa në 29 dhjetor 2008 konsensusi PD-PS çoi në miratimin e Kodit Zgjedhor të kthyer më parë nga Presidenti, por dhe ligjin e ri të Prokurorisë.