E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse rrezikon të shpërndahet Këshilli Bashkiak

 

Nëse Këshilli Bashkiak nuk arrin të miratojë edhe për dy mbledhje radhazi buxhetin e 2009-ës, ai rrezikon të shpërndahet. Këtë parashikon ligji për "organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore". Pas rrëzimit për herë të dytë të këtij projekti, të paraqitur nga bashkia, anëtarët rrezikojnë mandatin e tyre nëse nuk pajtohen me të e i japin votën. "Këshilli Komunal ose Bashkiak shpërndahet para kohe me vendim të Këshillit të Ministrave, kur nuk arrin të marrë vendim për miratimin e buxhetit brenda tre muajve nga data e përcaktuar", thuhet në ligj. Por nga sa u duk në debatet e dy ditëve më parë që karakterizuan mbledhjen, anëtarët e djathtë dhe ata të LSI janë të vendosur të kundërshtojnë buxhetin deri sa atij t'i bëhen ndryshimet e kërkuara. Pas hedhjes në votë nuk u arrit të plotësohet kuorumi prej 29 votash pro për të miratuar. Kjo pasi 24 anëtarë votuan kundër, 23 pro, 2 apstenuan ndërsa 6 anëtarë mungonin. Gjithsej ky këshill është i përbërë nga 55 anëtarë. Ata  zgjidhen për një periudhë 3-vjeçare. "Mandati i këshilltarit është i vlefshëm nga koha që këshilltarët bëjnë betimin dhe e nënshkruajnë atë, deri në konstituimin e këshillit pasardhës", parashikon ligji. "Fakti që këshilli rrezikon të shpërndahet nëse nuk i jep votën buxhetit, mund të jetë një nga arsyet pse Bashkia e Tiranës nuk pranon të bëjë ndryshimet që i janë kërkuar për buxhetin e vitit 2009", pohuan burime nga Këshilli Bashkiak. Sipas tyre, këto ndryshime janë të domosdoshme. Në mbledhjen e dy ditëve më parë, anëtarët e LSI dhe PD e cilësuan si korruptiv, flagrant dhe jo efektiv buxhetin e paraqitur nga bashkia.                                   z.ll

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›