Peticion për gjendjen e Parkut Kombëtar
Ne, një grup qytetarësh, frekuentues të Parkut të madh, kemi bindjen se shprehim shqetësimin e të gjithë banorëve të qytetit të Tiranës për gjendjen e rëndë aktuale dhe të ardhmen e tij.
Prej kohësh është bërë fjalë për një projekt të madh, të mbështetur edhe nga donacionet e jashtme, që do t’i jepte një pamje të re moderne Parkut dhe Liqenit Artificial. Është folur për rikuperimin e hapësirave të vjetruara, për krijimin e sipërfaqeve të reja të gjelbëruara, për krijimin këndesh, për çlodhje, për shfaqje kulturore dhe terrene për aktivitete sportive. Na vjen keq që të konstatojmë se, ndonëse ka kaluar shumë kohë prej shpalljes ë këtyre projekteve, gjendja aktuale lë shumë për të dëshiruar. Praktikisht Parku është i braktisur. Pritej që të bëhej një mbjellje masive pemësh, por kodrat në shumë raste janë zhveshur. Pylli po rrallohet. Nuk janë të pakët drurët që janë vjetruar, kalbur dhe mund të bëhen shkak për aksidente me viktima. Rrugët janë ato të gjysmë shekulli më parë. Stolat janë shkatërruar ose shkulur. Makinat çajnë shtigje dhe kalojnë lirisht në park. Shikohen të kullosin dhen e dhi, lopë e kuaj. Nuk i pengon njeri. Askush nuk ka përgjegjësi.
E themi me dëshpërim të madh se statujat e rilindësve të shquar, vëllezërit Frashëri, Faik Konica, janë përdhosur keq: pllaka mermeri të shkulura, emra të fshirë. Një kontrast i thellë me varrezat e ushtarëve anglezë, që janë aty pranë. Liqeni poshtë po ndotet gjithnjë e më shumë nga ujërat e zeza. Niveli i tij ka rënë dhe mund të kthehet në moçalishte. Me këtë peticion ne nuk mund të paragjykojmë asgjë. Ne jemi qytetarë të thjeshtë, veteranë, miq të Parkut dhe shprehim një shqetësim. Nuk kemi të bëjmë fare me instrumentalizim të çështjes për synime politike. Ne nuk mbajmë asnjë anë. Ne thjesht u bëjmë thirrje autoriteteve kompetente, konkretisht Bashkisë së Tiranës, të ndërmarrin veprime të ngutshme për të ndalur degradimin e Parkut dhe për ta kthyer atë në funksionin e tij normal, si mushkëri e kryeqytetit.
Një grup miqsh të Parkut të madh
22 Gusht 2008