E Diel, 1 Nëntor 2026

Dade në Bruksel: “Nuk ka ligj që e ndalon investigimin e zgjedhjeve”



Shaban Sulçe

Dje u zhvillua në Bruksel Konferenca e nivelit të lartë mbi perspektivat për ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor. Në këtë veprimtari, ku morën pjesë përfaqësues të lartë të vendeve të Europës Juglindore që mbulojnë çështjet e politikës së jashtme dhe të integrimit europian, si dhe zyrtarë të Bashkimit Europian që mbulojnë çështjet e zgjerimit, u diskutua për perspektivat e Ballkanit Perëndimor në këndvështrimin e raporteve të fundit të progresit të Komisionit Europian. Gjatë panelit të diskutimit me temë “Mbajtja e Ballkanit Perëndimor në rrugën e reformave” e mori fjalën sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Partisë Socialiste, deputetja Arta Dade. Duke folur për çështjen e integrimit, Dade u ndal gjithashtu edhe në qëndrimin e Partisë Socialiste për të kërkuar transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Përpara të pranishmëve Dade tha se nuk ekziston asnjë ligj që pengon investigimin e manipulimeve në zgjedhje.

Transparenca
Duke u ndalur në procesin zgjedhor të 28 qershorit, sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare vuri në dukje se Partia Socialiste i ka kontestuar hapur shkeljet e rënda dhe manipulimet masive që u vunë re në votimet e 28 qershorit. Dade akuzoi kryeministrin Berisha se në këto zgjedhje abuzuan me votat e shqiptarëve dhe me besimin e ndërkombëtarëve. Ajo nënvizoi se justifikimet e Berishës se hapja e kutive bie ndesh me ligjin, janë të pavlefshme, pasi sipas saj nuk ka asnjë ligj që mund të pengojë transparencën e zgjedhjeve. “Ne kemi marrë vendimin për ta kushtëzuar hyrjen tonë në Kuvendin e Shqipërisë, me hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e votave në të gjitha ato pjesë të vendit ku ka kontestime dhe prova për dhunë, parregullsi dhe manipulime. Më 28 qershor PD-ja dhe kryeministri Berisha abuzuan me votat e shqiptarëve dhe me besimin e bashkësisë ndërkombëtare. Rezultati i zgjedhjeve, ku askush nuk fitoi maxhorancën, doli pas një procesi ku opozita u përball me dhunën e shtetit, me intimidimin e votuesve, me përdorimin e hapur dhe banal të fondeve publike në interesin elektoral të njërës palë dhe me përdorimin ekstrem të administratës shtetërore dhe kapaciteteve të saj në funksion të fitores së Partisë Demokratike. Siç e ka nënvizuar raporti final i OSBE/ODIHR-it, votat e shqiptareve u numëruan në një të tretën e tyre keq ose shumë keq. Nuk ka ligj qe e ndalon investigimin e zgjedhjeve”, - theksoi Dade.

Integrimi

Gjatë diskutimit të saj Dade theksoi se integrimi europian është sfida më e rëndësishme për Shqipërinë që nga rënia e sistemit komunist. “Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare vuri në dukje rolin e Partisë Socialiste si një faktor vendimtar në përgatitjen dhe konsolidimin e terrenit për integrimin e Shqipërisë në NATO dhe Bashkimin Europian. “Në tetë vitet e qeverisjes së saj Partia Socialiste ka sjellë normalizimin gradual të situatës në vend, si dhe ka hedhur hapa të sigurt drejt një dialogu të qëndrueshëm e konstruktiv me partnerët europianë dhe euroatlantikë. Integrimi i vendit në NATO, në prill 2008, është shembulli konkret i këtij vullneti të palëvizshëm të opozitës së majtë. Por integrimi në NATO nuk duhet keqpërdorur politikisht. Me të nuk duhet abuzuar, ashtu siç ndodhi në zgjedhjet e fundit, ku një vend anëtar i Aleancës Atlantike rrëshqiti tërësisht nga standardet e organizatës në lidhje me zgjedhjet”, - u shpreh deputetja socialiste.

Korrupsioni
Duke folur për domosdoshmërinë e një lufte reale kundër korrupsionit, Dade theksoi se qeveria aktuale ka një rekord absolut të prezencës në radhët e saj të ministrave të hetuar nga Drejtësia për skandale publike. “Korrupsioni galopant, klientelizmi i skajshëm që kanalizon shuma të mëdha parash te bizneset politike dhe familjare, shkeljet ligjore dhe abuzimet financiare të shumave të mëdha nga ana e zyrtarëve të lartë të shtetit, janë sot simptomat e një qeverisjeje që ka tejkaluar kuadrin ligjor dhe ka instaluar në vend një sistem interesash mafioze”, - vijoi Dade në fjalën e saj. Një nga pikat që zuri vend të rëndësishëm në diskutimin e sekretares për Marrëdhëniet Ndërkombëtare ishte dhe fakti se qeveria ka vijuar të shkelë liritë themelore të shtetasve. “Me këtë mandat moral të cunguar, qeveria ‘Berisha’ jo vetëm po dëmton seriozisht imazhin ndërkombëtar të vendit, por po komprometon edhe perspektivën europiane të Shqipërisë. Mbledhja e fundit e Këshillit Europian para dhjetë ditësh është një pasqyrë e qartë e dilemave e ndarjeve të thella që konsiderojnë brenda vendeve anëtare lidhur me dhënien ose jo të statusit të vendit kandidat për Shqipërinë e kjo i detyrohet jo vetëm zgjedhjeve të manipuluara të 28 qershorit, por edhe rekordeve të rënda negative që shumica që drejton vendin ka akumuluar gjatë mandatit të parë qeverisës”, - tha Dade.

Braçe: “Dokumenti i Ministrisë së Financave vërteton abuzimet në rrugën Durrës-Kukës”

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka publikuar dje një dokument të Ministrisë së Financave, i cili, sipas deputetit socialist, vërteton abuzimet financiare dhe rritjen e kostos për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Duke i cilësuar abuzimet për këtë rrugë si vjedhjen e shekullit, Braçe kërkoi nga Prokuroria që të nisë hetimet për kryeministrin Sali Berisha, për ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha dhe për ministrin aktual, Sokol Olldashi. “Ky dokument tregon se kostoja për një kilometër, në 6 muajt e parë të vitit, është rritur nga 826 milionë lekë në 1.5 miliardë lekë të rinj, ose nga 8.9 milionë dollarë në 16.3 milionë dollarë. Pa asnjë shkak të treguar, në kushtet kur çmimet e materialeve të ndërtimit pësuan rënie drastike, mbi të gjitha, kur materializimi në rrugë ka qenë vetëm 50%, ndërsa shpenzimi 93%! Ky është shpërdorimi i parave të shqiptarëve për të cilin ne nuk gëzohemi, por kemi të gjithë të drejtën shqiptare ta denoncojmë! Mjafton vetëm ky dokument i Ministrisë së Financave, që Prokuroria të nisë hetimet kryesisht, për të gjithë aktorët e këtij operacioni kriminal. Ndryshe nga kudo, këtu, për tunelin tonë të shtrenjte, rrëzimin e tij, nuk ka informacion, teknik; shkaqet, arsyet për të cilat nuk mund të akuzohet mali si i pabesë, përmasat e shembjes dhe efektet e saj mbi veprën, projektin e ri për të rikuperuar këtë dëm fizik në vepër, faturën financiare që do të duhet për të rikuperuar rënien e tunelit. Natyrisht, shifrat, volumet dhe pagesat e kryera për to tregojnë se shkaku kryesor është te nxitimi elektoral. Nxitimi elektoral për të justifikuar me këtë vepër korrupsionin e qëndrueshëm, si element thelbësor i saj, po kthehet në mallkim për këtë vepër publike. Por, pa diskutim, element themelor, për së dyti, përtej kostos, për të nisur hetimet kryesisht për Sali Berishën, Lulzim Bashën e Sokol Olldashin, kompaninë ndërtuese!“ - tha Braçe.

11 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›