E Diel, 1 Nëntor 2026

Plani rregullues, objekt sherri dhe akuzash

Mbledhja e Këshillit Bashkiak lidhur me planin rregullues të kryeqytetit ka dështuar edhe një herë tjetër. Ky plan ka qenë objekt për një lum akuzash në adresë të kryebashkiakut, disa herë me radhë nga ana e përfaqësuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike. Kreu i Partisë Demokratike e mbështeti një pjesë të mirë të fushatës së tij elektorale tek mungesa e një plani urbanistik të kryeqytetit. Për këtë detaj u bë me faj gjithnjë kryebashkiaku Edi Rama. Demokratët thonin se arsyeja se pse bllokohet plani urbanistik ka të bëjë me dhënien e lejeve të ndërtimit në mënyrë selektive. Situata në vendimmarrjen e Këshillit Bashkiak është tensionuar gjithmonë e më shumë. Duke nisur edhe nga numri i anëtarëve të Këshillit Bashkiak, aktualisht anëtarët e PD-së dhe LSI-së përbëjnë mazhorancën e kësaj strukture. Konkretisht, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të 18 shkurtit 2007: PS mori 21 mandate, PD 17, LSI 6, PR 2, PAD 1, BLD 1, LZHK 1, PAA 1, PBDNJ 1, PDR 1, PDI 1, PSD 1 dhe PDK 1.

Miratimi i planit rregullues të Tiranës në Këshillin Bashkiak është hallka e dytë që duhet të kalojë ky plan pas miratimit në Këshillin e Rregullim-Territorit të Tiranës. Më pas vendimi përfundimtar merret nga KRRTRSH-ja, Këshilli i Rregullim-Territorit të Republikës së Shqipërisë. Marrëdhënia nuk është mes kompanisë kontraktuese, por me institucionin. Prandaj dhe prezantimi duhej të ishte bërë nga Rama, ose njëri prej drejtuesve të lartë. Në këtë mënyrë do të njiheshim qartë me prezantimin dhe problematikën e këtij plani", ka deklaruar dje kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj. Që prej vitit 1989, pra që prej 20 vjetësh, Tirana nuk ka një plan të ri rregullues, edhe pse ajo është zmadhuar tej mase, duke u bërë nga një qytet me 240 mijë banorë, në një metropol me rreth 1 milion banorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›