E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sanduiçi i Ferit

“Ky është një festival sanduiç mes festivalit të Sarajevës dhe Festivalit në Venecies”, tha dje Feri në ekranin e Tv Klanit, Tv që mori të drejtat ekskluzive të transmetimit të aktivitetit (!) duke ngjallur xhelozinë e televizioneve të tjera kryesore të cilat e bojkotuan krejt atë që duhej të ishte ngjarja më e madhe kulturore për këtë verë.

“Sanduiçi i Ferit” supozon të justifikojë jehonën e vogël të zërit të Festivalit të Durrësit, që do të thotë sipas kësaj logjike se artistët shkojnë nga Sarajeva në Venecia dhe nuk mund të ndalen dot në Durrës. Po ata dy të ftuar të tjerë që priteshin dhe nuk erdhën nuk kanë lidhje as me Sarajevën, as Venecien, Mikele Plaçido (që është bërë si i shtëpisë) dhe Rade Serbedzija heroi i “Undernground”-it.

Aludimet që bën Feri, në këtë rast si kryetar i Qendrës Kombëtare Kinematografike, pra politikëbërësi, tingëllon veçse demagogji për të justifikuar, si të thuash, thatësinë e Festivalit Veror të Durrësit.

Padyshim që ky tip festivali, i lokalizuar në Durrësin administrativ (si ta kishte organizuar sektori i kulturës së bashkisë), i mbajtur në fije që i kontrollon një dorë, na kujton sa na mungon atmosfera festive e TIFF-it, dhe tregon se është festivali shqiptar më pak i ndjekur në historinë e festivaleve. Qendra Kombëtare Kinematografike duhet ta kuptojë se festivalin (të cilin Feri e ka quajtur projekt-pilot) nuk e bëjnë njerëz me influencë politike, por njerëz me ide, të rinj e të reja që ka ardhur koha për t’i dëgjuar dhe vlerësuar dhe për të shpëtuar atë s’ka arsye të vithiset duke iu dhënë para të patalentuarve të kinemasë dhe duke e mbyllur hapësirën e konkurrencës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›