E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pak prehje për Lorkën

Një tjetër kërkesë për hapjen e varrit të përbashkët ku ndodhen eshtrat e poetit të madh spanjoll Federico Garcia Lorca, i vrarë në tetor 1936 afër Granadës, do t’i paraqitet drejtësisë spanjolle.

ARMH, shoqata që përkujton viktimat republikane të luftës civile spanjolle (1936-39) dhe të diktaturës së Francisco Francos (1939-75), ka njoftuar se kjo kërkesë për hapjen e varrit do të paraqitet gjatë ditëve të ardhshme.

Familja e Lorca-s, që vdiq 38-vjeçar, gjithnjë ka qenë kundër hapjes së varrit kolektiv e ndodhur në një luginë afër lokalitetit të Viznarit, ku gjinden edhe eshtrat e dy flamurmbajtësve anarkistë dhe mësuesit të shkollës Diascoro Galindo, i vrarë nga franskistët në të njëjtën kohë me poetin.

Por sipas ARMH, mbesa e mësuesit, Nieves Galindo, kërkon që të verifikohen nëse eshtrat e paraardhësit të saj ndodhen në varr dhe pastaj t’i paraqesë një kërkesë tjetër për hapjen e varrit gjykatësit Baltasar Garzon i Audiencës kombëtare, instanca më e lartë penale spanjolle.

Gjykatësi Garzon po heton tashmë, me kërkesë të disa shoqatave, rrethanat në të cilat me mijëra simpatizantë republikanë janë vrarë ose janë zhdukur gjatë represionit frankist, ndërkohë që prokurori i Audiencës kombëtare ka kërkuar klasifikimin e kësaj dosjeje.

Që prej shtatë vjetësh, ARMH (Shoqata për Rigjenerimin e Kujtesës Historike) ka nxjerrë në Spanjë më shumë se 100 varre të përbashkëta të viktimave të diktaturës frankiste.

------------------Thënie e ditës

“E gjithë letërsia është mësymje kundër kufirit.”

Nga “Ditari” i Franc Kafkës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›