E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Ndalni “Gërdecin” e dytë, banorët e Shkodrës të lënë banesat

Partia Socialiste, në reagimin e ditës e djeshme, e ka vlerësuar situatën e rënduar nga përmbytjet në Shkodër si një “Gërdec” të dytë. Deputeti socialist Erion Braçe u ka kërkuar banorëve të zonave të përmbytura të largohen menjëherë nga shtëpitë e tyre dhe të evitojnë kështu një "Gërdec" të dytë njerëzor që nuk mund të mbulohet. “E shoh me sy dhe e ndiej me zemër çdo shqiptar të Shkodrës për të apeluar tek ata. Largohuni! Kjo është sakrifica juaj. Qeveria ka lënë vetëm një mundësi në këto kushte: shkarkimin e ujit në sasi të mëdha nga liqenet e hidrocentralet dhe zgjerimin e zonës së katastrofës nën ujë. Largohuni! Kjo është sakrifica juaj për të shpëtuar jetën e mijëra shqiptarëve të tjerë nga rreziku i thyerjes së digave, vënë në këtë rrezik nga qeveria e Republikës së Shqipërisë. Nëse Gërdeci material po konsumohet ju keni në dorë të ndalini ‘Gërdecin’ njerëzor”, - u shpreh Braçe. Sipas Braçes, katastrofa e përmbytjeve vjen nga paaftësia e qeverisë dhe këto akuza nuk kanë bazë politike, por janë fakte të renditura që çdokush mund t’i gjejë shumë lehtë në faqen zyrtare të METE-s. “METE bleu energji më datë 3 dhjetor, ndërkohë që dinte gjendjen e liqeneve. Këto të dhëna ndodhen në faqen zyrtare të METE-s, ndërsa menaxhimi i kaskadave është bërë në mënyrë korruptive”, - deklaroi deputeti socialist. Braçe i ka kërkuar Prokurorisë të nisë hetimet për këtë katastrofë, dhe jo kur të zhduken provat, duke theksuar se kjo nuk ishte produkt i kushteve atmosferike.
E. Jaçaj

PS, Doshi: “Berisha, i papërgjegjshëm për situatën në Veri të vendit”

Opozita dhe maxhoranca vihen në garë për marrjen e masave intensive për të parandaluar përmbytjet në Veri të vendit. Deputetët e Partisë Socialiste, Ilir Beqja dhe Tom Doshi, kanë inspektuar zonat e përmbytura në komunën e Dajçit. Deputeti Doshi ka kërkuar që qeveria të marrë masa për përmirësimin e situatës. “Qeveria të përmirësojë situatën dhe të mos përhapë panik te banorët”, - u shpreh ai. Doshi e cilësoi si të papërgjegjshme deklaratën e kreut të qeverisë, Sali Berisha, para dy ditëve, se jemi në prag të katastrofës. Kryeministri Berisha e ka cilësuar situatën në Veri të vendit në buzë të katastrofës si pasojë e përmbytjeve. Ai u ka bërë apel banorëve të zonës që të evakuohen duke braktisur shtëpitë që ndodhen në prag përmbytjeje. Kryeministri e ka bërë këtë deklaratë para dy ditëve, gjatë inspektimit në zonën e përmbytur në komunën Dajç të qarkut Shkodër. Kreu i qeverisë, ndërsa vlerësoi menaxhimin e suksesshëm të situatës, theksoi se gjendja e rrezikut nuk është kapërcyer ende dhe se banorët e zonës duhet të evakuohen.

7 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›