Përmbytjet, Berisha ndan detyrat për ministrat: “Të shpëtojmë jetë njerëzish”
Kryeministri mbledh qeverinë për situatën në Veri të vendit
Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, ka ndarë detyrat për secilin nga ministrat për të përballuar situatën e përmbytjeve në Veri të vendit. Kreu i qeverisë u kërkoi të gjithë ministrave që të hartojnë planin e veprimit për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave. Ai tha se detyra e qeverisë është që të ndihmojë banorët e këtyre zonave dhe të pengojë përmbytjet e mëtejshme të zonave të banuara. Duke informuar ministrat për situatën, Berisha tha se rreziku vazhdon të jetë permanent dhe se objektivi kryesor është largimi i banorëve nga zonat e rrezikuara. Ai premtoi se qeveria do të dëmshpërblejë të gjithë banorët për humbjet e shkaktuara nga përmbytjet, ndërsa bëri thirrje për solidaritet dhe ndihmë nga të gjithë grupet e interesit.
Koordinimi
Gjatë fjalës së tij Berisha tha se duhet me çdo kusht të evakuohet zona e Nën-Shkodrës, e Dajçit, e Velipojës, Ana Malit, si dhe rrethinat, për shkak të fryrjes së liqenit. Berisha tha se shkarkimet e KESH-it nuk kanë qenë kërcënuese për të shkaktuar përmbytjen, por sipas tij, dalja e detit krijoi një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme në rrethin e Kurbinit. Ai i bëri thirrje Komitetit Ndërministror për Emergjencat Civile që të përqendrohet kryesisht në Shkodër dhe në Kurbin, si dhe të mbajë nën kontroll Vjosën. Kryeministri sugjeroi Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës që përveç ekspertëve vendas, të marrë edhe ekspertizë ndërkombëtare. “Secila nga ministritë do të paraqesë para Komitetit, i cili do të kryesohet nga ministri i Brendshëm, planin e ndërhyrjes emergjente për zonën. Një rol të veçantë kanë Forcat e Armatosura, të cilat unë dua t’i përgëzoj për eficiencën që kanë dëshmuar gjatë gjithë këtyre ditëve. Zoti Imami, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura duhet të kompletojë me shpejtësi planin e evakuimit total të njerëzve dhe gjësë së gjallë dhe rrugët e evakuimit”, është shprehur Berisha. Ai ngarkoi ministrin Ruli që të angazhojë të gjitha bordet e kullimit nga mbarë Shqipëria në zonën Shkodër - Kurbin - Vjosë. Policia dhe Emergjenca Civile do të kenë detyra të reja nga marrja në mbrojtje të plotë të linjave të hidrovoreve e deri te ndihma për evakuimet dhe funksione të tjera. Përqendrim i veçantë, sipas Berishës, duhet në pritat e detit. Berisha tha se Ministria e Shëndetësisë duhet të përgatisë planin e ndihmës emergjence, duhet të studiojë të gjitha mënyra e ofrimit të saj, por veçanërisht planin e sanifikimit të të gjithë zonës pas përmbytjes. Kryeministri tha se Ministria e Punëve Publike do të bëjë çdo gjë për kontrollin e ujësjellësve dhe kanalizimeve. “Drejtoritë e Rrugëve do të jenë të gjitha në gatishmëri të plotë, sepse në një anë kemi ujërat, në anën tjetër mund të kemi borë dhe duhet të garantohet kalimi në akset rrugore. Ministria e Arsimit ta ndjekë në mënyrë të përditshme situatën dhe, sipas kushteve e rrethanave, shkollat, vetëkuptohet, shtyhen. Ministria e Kulturës duhet të bëjë një përkujdesje të madhe për të gjithë trashëgiminë kulturore”,- është shprehur Berisha.
Situata
Në fillim të fjalës së tij Berisha bëri një rezyme të situatës në zonat e përmbytura. Ai tha se situata e vështirë u krijua për shkak të reshjeve të shiut për 13 ditë me radhë në verilindje, gjë që solli rritjen me 100 herë krahasuar me periudhën e verës të prurjeve ujore të lumit Drin. “Por, nga këto reshje rritje edhe më të mëdha, që shkojnë në 150 herë, kanë njohur lumenjtë Mat, Valbonë, Curraj, Sharrë dhe degët e tyre. Këto prurje të mëdha bënë që nivelet e liqeneve të rriten me shpejtësi. Në këtë kontekst, më madhori ndër të gjithë, natyrisht, është liqeni i Fierzës, por më problematik për momentin është ai i Komanit”, - është shprehur Berisha. Ai shtoi se situata u vështirësua edhe më tej nga një dalje e fuqishme e detit. “Dalja e detit krijoi një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme në rrethin e Kurbinit. Në Tale shpartalloi, sikur të mos ekzistonte, pritat e betonit dhe përplasi me dhjetëra metra, në mos qindra, bunkerë, shtylla tensioni dhe çdo gjë. Në Lezhë përpiu kënetën, e zhduku dhe e shndërroi në det. Fryu jashtë mase Bunën dhe kontribuoi ndjeshëm në rritjen me shpejtësi të përmbytjes”, - është shprehur Berisha.
Sipas Berishës nga 950 familje të kërcënuara, 430 janë evakuuar, por sipas tij rreziku vazhdon të jetë i lartë dhe evakuimi është i domosdoshëm.
7 Janar 2010