Shkodra dhe Lezha nën ujë, qeveria, plan vetëm për 2200 familje
Komiteti Ndërministror i Emergjencave publikon të dhënat. Masat nuk parashikojnë përkeqësimin e situatës në terren
Në kohën kur pjesa më e madhe e Shkodrës, Lezhës dhe Fushë-Kuqes ndodhen nën ujë, qeveria shqiptare ka përgatitur një plan shpëtimi vetëm për zhvendosjen e 2200 familjeve. Komiteti Ndërministror i Emergjencave njoftoi dje paketën e masave që do të merren në zonat e përmbytura, ndërkohë që situata në terren është më e rëndë. Mbrëmë është shtuar ndjeshëm numri i prurjeve në hidrocentrale, gjë që i ka detyruar krerët e Energjetikës që HEC-et të punojnë me kapacitet maksimal, duke përfshirë edhe shkarkimet që bëhen nga portat e digave. Sipas të dhënave zyrtare, “në hidrocentralin e Vaut Dejës niveli i shkarkimeve më datë 06.01.2010, në orën 14:00, ka qenë në kuotën 1770 m3/s, gjë që rrezikon shtimin e nivelit të ujit në zonat e banuara. Vetëm me derdhjet nga kaskada e Drinit dhe Matit situata mbetet e rënduar. Burimet zyrtare të Ministrisë së Brendshme raportojnë se deri mbrëmë janë përmbytur 870 banesa dhe 4816 hektarë tokë.
Situata
Pasditen e djeshme në Ministrinë e Brendshme është mbledhur Këshilli Ndërministror i Emergjencave, i cili sapo është ngritur për të koordinuar punën për përballimin e përmbytjeve në Veri të vendit. Kryetari i këtij grupi, zoti Lulzim Basha, ministër i Brendshëm, e ka cilësuar emergjente situatën në Shkodër pas rritjes së prurjeve të ujit në hidrocentrale. Sipas statistikave që ka Komiteti, raportohet për 870 shtëpi të përmbytura. Situata është më e rëndë në komunën e Dajçit, në të cilën ndodhen nën ujë 650 shtëpi dhe 1500 hektarë tokë. Jo pak problematike është situata edhe në qytetin e Shkodrës, ku autoritetet zyrtare raportojnë për 140 shtëpi nën ujë. Duke iu referuar të dhënave të Drejtorisë së Bujqësisë në qarkun e Shkodrës, rreth 4820 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur.
Plani
Komiteti Ndërministror i Emergjencave ka bërë një plan për zhvendosjen e vetëm 2200 familjeve me rreth 8800 banorë. Ky parashikim është bërë në kushtet e një gjendjeje si kjo e ditëve që po kalon zona e Shkodrës. Por nuk ka parashikime në rast të përkeqësimit të gjendjes në terren. Njoftimi zyrtar për takimin e grupit të drejtuar nga ministri Basha thotë: “Nëse do të përballemi me shkarkime masive të 3 hidrocentraleve në kaskadën e Drinit, në komunat e Nën-Shkodrës duhet të evakuohen 2200 familje me rreth 8800 banorë. Për përballimin e një situate të tillë kërkohen rreth 35 mjete transporti për të bërë evakuimin e komunitetit për zonën e Nën-Shkodrës. Plani parashikon në detaje numrin e familjeve që do të zhvendosen në bashkinë e Shkodrës, komunat Guri i Zi, Ana e Malit, Dajç, Bërdicë dhe Rrethina. (Shih planin në tabelë)
Ndihmat
Burimet zyrtare pohojnë se në Bashkinë e Shkodrës janë shpërndarë pako ndihmash për familjet në lagjet “Ajasem”, “Bahçallek”, “Livade”, me mbështetjen e dy varkave gome të ushtrisë, si dhe janë evakuuar rreth 40 persona të komunitetit rom, të cilët janë akomoduar në Repartin Ushtarak të Rrencit. Në komunën Ana e Malit janë shpërndarë rreth 100 pako me ushqime. Nga grupi i punës inxhiniero-teknik, i ngritur nga prefekti në bashkëpunim me strukturat e ushtrisë, është punuar dhe riparuar rreth 140 m argjinaturë brenda ditës së djeshme dhe po punohet në komunën e Velipojës për riparimin e argjinaturës në fshatin Ças. Komiteti Ndërministror raporton se janë evakuuar nga strukturat e ushtrisë rreth 200 kokë bagëti në afërsi të nënstacionit të pompave që furnizojnë komunën Velipojë, pranë fshatit Trush të komunës Bërdicë dhe rreth 450 familje nga Komuna Dajç.
Koordinimi
“Është shumë e rëndësishme që ministritë e linjës dhe institucionet e varësisë të paraqesin në Komitetin Ndërministror planet e azhornuara të masave të përshtatura me situatën aktuale dhe me zhvillimet në ditët e ardhshme, si dhe informacionin mbi burimet njerëzore dhe materiale të gatshme, bazuar në secilin prej skenarëve të mundshëm të vijueshmërisë së situatës së emergjencës”, - tha ministri Basha në takimin e parë të Komitetit të Emergjencës. Ky grup ndërministror do të raportojë tri herë në ditë për situatën.
Policia, postbllok banorëve në Dajç
Forcat e policisë që prej pasdites së djeshme kanë ngritur një postbllok në hyrje të komunës Dajç për të penguar banorët të kthehen në shtëpitë e tyre. Sipas informacioneve të marra rezulton se gjendja në këtë komunë është tepër kritike dhe se niveli i ujit vazhdon të rritet. Duke parë këmbënguljen e banorëve për t’u rikthyer në shtëpitë e tyre, pjesa më e madha e të cilave janë të përmbytura nga uji, uniformat blu kanë ngritur një postbllok për t’i ndaluar ata t’u afrohen shtëpive. Kjo masë është marrë nga Policia e Shtetit, pas urdhrit të lëshuar nga Komiteti Ndërministror i Emergjencave. Burimet nga pushteti vendor raportojnë se situata është duke u rënduar orë pas ore për shkak të prurjeve të shumta të lumenjve. Edhe pse banorët kanë këmbëngulur të kthehen në banesat e tyre, pasi u frikësohen grabitjeve të mundshme, forcat e policisë i kanë kundërshtuar më forcë duke mos i lejuar ata të rikthehen pranë banesave të tyre.
Qeveria ngre Komitetin Ndërministror të Emergjencës Civile
Këshilli i Ministrave zhvilloi gjatë ditës së djeshme një mbledhje të fokusuar plotësisht në situatën e vështirë në të cilën ndodhen banorët e zonave veriore të vendit për shkak të përmbytjes. Për të kapërcyer këtë situatë qeveria miratoi ngritjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile për përballimin e situatës së krijuar si pasojë e reshjeve të shumta dhe të vazhdueshme të shiut të rëna ditët e fundit në vendin tonë dhe përmbytjet. Ky komitet do të kryesohet nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe në përbërje do të ketë ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ministrin e Financave, Ridvan Bode, ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, ministrin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj. Ky komitet do të nisë menjëherë punën për hartimin e një plani masash për përballimin e kësaj situate. Gjatë fjalës së tij Berisha tha se “detyra jonë është të parandalojmë katastrofën”. Sipas tij, Komiteti do të koordinojë me autoritetet vendore të gjithë procesin e evakuimit nga zonat e përmbytura.
SIPËRFAQET E PËRMBYTURA NË SHKODËR
- Komuna Bushat rreth 650 ha tokë
- Komuna Velipojë rreth 300 ha tokë
- Komuna Dajç rreth 1500 ha tokë
- Komuna Ana e Malit rreth 741 ha tokë
- Komuna Guri i Zi rreth 90 ha tokë
- Komuna Bërdicë 1200 ha tokë
- Bashkia Shkodër rreth 300 ha tokë
- Komuna Rrethina rreth 15 ha tokë
- Komuna Guri i Zi 20 ha tokë
Gjithsej rreth 4816 ha tokë
SHTËPITË NËN UJË
- Bashkia Shkodër rreth 140 shtëpi
- Komuna Dajç rreth 600 shtëpi
- Komuna Ana e Malit 130 shtëpi
Gjithsej 870 shtëpi
NUMRI I TË ZHVENDOSURVE
- Bashkia Shkodër 60 familje dhe 40 persona të komunitetit Rom
- Komuna Ana Malit 30 familje së bashku me gjënë e gjallë
- Komuna Dajç 430 familje së bashku me gjënë e gjallë
- Komuna Bushat 7 familje
Gjithsej deri tani janë evakuuar rreth 527 familje
ZHVENDOSJET SIPAS PARASHIKIMEVE
- Bashkia Shkodër, rreth 320 familje, rreth 1600 banorë
- Komuna Guri Zi, 577 familje ose rreth 1624 banorë, rreth 1480 krerë lope
- Komuna Ana e Malit, rreth 180 familje, ose 550 persona, 6400 gjë e gjallë
- Komna Dajç, rreth 850 familje, 2577 banorë
- Komuna Berdicë, rreth 195 familje, rreth 900 banorë, rreth 2850 gjë e gjallë
- Komuna Rrethina, rreth 50 familje, rreth 250 banorë, rreth 300 gjë e gjallë
Gjithsej duhet të evakuohen rreth 2200 familje me rreth 8800 banorë
7 Janar 2010