PS: Në listat zgjedhore ka pasur dublime të fshehta

Partia Socialiste ka përsëritur shqetësimin e saj për problemet në listat zgjedhore. Opozita pretendon se në listat e zgjedhësve, kryesisht në kryeqytet ka dublime të qarta dhe të fshehta.
Po ashtu PS-ja thekson se në listë ka familje që në realitet nuk ekzistojnë, por që në listën e zgjedhësve gjenden me shumicë. Ka qenë deputeti socialist, Armando Subashi ai i cili në një komunikim me median, ka paraqitur këto shqetësime të opozitës.
Sipas tij, në Bashkinë e Tiranës ekzistojnë 5300 dublime, të cilat duhet të rregulloheshin nga gjendja civile, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Në listë përveç dublimeve të qarta ka dhe dublime të fshehta. Ne kemi mundur t`i zbulojmë ato. Po ashtu në listë, persona të caktuar kanë ndryshuar një element të identitetit të tyre”, u shpreh ndër të tjera Subashi.